Kampioni ballkanik, Salihasi: Ëndërroj një ditë t’ua thyej rekordet kampionëve botëror (VIDEO)

“Dua të bëhem kampion botëror dhe jo vetëm aq, ëndrra ime është një ditë t’ua thyej rekordet kampionëve të mëparshëm”. Kështu shprehet kampioni i dyfishtë i Ballkanit në mundje nga Klubi “Tefejuz”, 15 vjeçari nga Shkupi Aid Salihasi në intervistë për Portalb.mk.

44 medalje dhe 9 kupa, ky është rezultati i gjimnazistit të sportit nga Shkupi, që ka arritur të triumfojë në turnetë e Maqedonisë  dhe ndërkombëtare për karrierën e tij sportive 4 vjeçare.

Aid Salihasi

Salihasi së fundi është dekoruar me medalje të artë në Kampionatin Ballkanik për Kadetë dhe Pionerë në Murska Subota të Sllovenisë në kategorinë deri më 47 kilogram që u mbajt në fillim të muajit nëntor.

Padyshim se për suksesin e tij shumë meritorë është edhe trajneri i tij, Nazmi Ali, i cili edhe përskaj mungesës financiare që ka pasur ky klub, ka arritur që të nxjerr maksimumin.

Ali, për Portalb.mk, thotë se mundësi Salihasi është njëri ndër talentët më të mëdhenj në klub dhe prej tij pritet që ta kthejë shkëlqimin që e këtij sporti.

“Klubet e mundjeve kanë mungesë financiare, ndërkaq talente kanë shumë. Për fat të keq nuk investohet shumë në sportin e mundjes edhe pse sigurisht ata shpërblehen me medalje, për dallim nga futbolli dhe sportet e tjera të shtrenjta. Dua që të apeloj deri te Agjencia për Rini dhe Sport që të gjejë mënyrë që Aidit t’i sigurojë bursë që t’i lehtësohet ushtrimi. Aidi e meriton”, thotë trajneri Nazmi Ali.

Aid Ali
Nazmi Ali – Aid Salihasi

Më poshtë mund ta lexoni intervistën me kampionin ballkanik në dy stilet e mundjes: greko-romak dhe të lirë.

Portalb: Me çfarë vështirësi keni hasur për të arritur këtu ku jeni sot?

Aid Salihasi: Fillimet e para sigurisht që çdoherë janë të rënda. Me mundje kam filluar të merrem që nga viti 2013, bashkë me shokun tim Jetmir Bytyqi. Bashkë me të kemi stërvitur, ai më ka ndihmuar që të përvetësoj taktika të ndryshme në këtë sport. Pas ca kohësh fillova të marr medalje në turne dhe fillova të zbres kilogramë. Momenti më i vështirë ka qenë kur për njëherë kam zbritur 7 kilogramë për kampionatin ballkanik, ku mora vendin e dytë. Pas këtij kampionati kam pasur shumë inat dhe kjo më ka shtyrë që më pas me shumë punë dhe përkushtim t’ia arrij qëllimin, gjegjësisht të bëhem i pari. Padyshim se trajneri im, Nazmi Ali, ka punuar shumë me mua dhe për atë i falënderohem shumë, pos tij, me mua ka punuar edhe mundësi, Erdoan Memeti.

Aid Salihasi

Portalb: Pse e keni zgjedhur sportin e mundjes, çka ju pëlqen më shumë te ky sport luftarak?

Aid Salihasi: Gjithçka më pëlqen te mundja. Këtë sport gjithnjë e kam dashur, për atë kjo edhe ka reflektuar në atë që e bëj, pra në suksesin tim, pasi që kam marrë shumë medalje. Mundja më ka larguar prej jetës së rrugës, mendoj që çdo i ri duhet të merret me sport.

Portalb: Cili është qëllimi juaj që dëshironi ta arrini në karrierën tuaj?

Aid Salihasi: Qëllimi im është që t’i arrij majat, dua të bëhem kampionat botëror, por jo vetëm aq, dua që një ditë edhe t’ua thyej rekordet kampionëve botëror. Kjo është ëndrra ime dhe do të bëj çmos, që një ditë këtë ëndërr ta realizoj. Kam besimin se me punë dhe përkushtim gjithçka arrihet.

Aid Salihasi

Portalb: A janë të mjaftueshme kushtet në të cilat ushtroni që të arrini majat e suksesit?

Aid Salihasi: Kushtet janë 0. Me këto kushte, kam arritur suksese më shumë se dikush që ka kushte shumë-shumë më të mira. Suksesi im është rezultat i dëshirës dhe vullnetit tim, por dhe i ndihmës së personave të klubit tim, si me të holla, ashtu edhe punë dhe stërvitje, që të jem ky që jam sot.

Portalb: Cila është porosia juaj për dashamirët e sportit?

Aid Salihasi: Të gjithë sportistët dua t’i porosis: “edhe nëse dështoni, kurrë të mos e humbni vetëbesimin, ndryshojeni planin, por kurrë qëllimin”. Kurse për ata që e duan sportin, por nuk merren me aktivitete sportive, dua që t’u bëj apel që sa më shumë t’u ndihmojnë sportistëve të rinj.

Më poshtë mund të shihni disa inserte nga përballjet e Salihasit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button