Letër e hapur: drejtuar z.Taravari në lidhje me leximoren

I nderuar z. Taravari!

Arsyeja përse ju shkruaj është një ankesë, që kishte postuar një mik në rrjetet sociale, apo autokritikë siç e quan ai. Bëhej fjalë për një rrëfim të dhimbshëm që m’u rrënqesh mishi kur e lexova: shpresat e tij dhe pritshmërit e tij për ndryshim ishin shuar totalisht, dhe këtë e lidhte me faktin se në qytet nuk kishte një biblotekë apo leximore të miëfilltë, sipas tij as vend ku mund të blesh apo lexosh një libër.

Ju shkruaj sepse kur lexova këtë postim mu dhimbs ajo mikesha ime vockël, Zehra Ebibi, një talent i vërtetë dhe një lidere e ardhshme për mbarë kombin. Mu dhimbs kur mendoja se ku i bën punimet e shkollës apo kërkimet e ardhshme të fakultetit apo studimeve të mëtejshme. Mu dhimbs ajo kolegia ime gazetare, se ku i kalon pasditet apo fundjavat kur ja do shpirti një lexim të mirë. Ashtu si për veten time, kur mendoj se bibloteka ka qenë një ambient i pandashëm i rritjes time personale dhe profesionale. Qoftë kjo bibloteka e qytetit tim, e shkollës, e më pas e kryqytetit ku u zhvendosa, bibloteka e fakultetit, kafe libraria e lagjies, bibloteka e fshatit kodrinor matanëdetit në “kurbet” ku dhe nisa studimet master.

Unë fatkeqsisht (apo fatmirsisht) nuk jetoj në Gostivar por mu dhimbs ky miku im i cili duket i pashpresë dhe rënkon për mungesën e një leximoreje, në të njëjtën kohë kur në Kinë sapo u hap biboteka më e madhe në botë me 1.2 milionë libra, dhe pa shkuar aq largë në Tiranë po mbahet Panairi i Librit dhe shifrat në rritje çdo vit e më shumë qoftë numri pjesmarrja e shtëpive botuese qoftë në tituj qoftë në lexues dhe vizitues. Kuptohet që rrëfimi i tij, mbushur me nota emocionale dhe ndoshta i hiperbolizuar deri diku, nga vetë fakti se librari kam parë me sytë e mi, dhe me sa dij unë ekzistojnë disa: si ajo e Shkollës së Mesme Teknike, “Rruga e Rilindjes” si dhe bibloteka shtetërore.

Dy të parat, është një gjë e mirë që ekzistojnë, vetëm se kanë një target grup të caktuar dhe jo çdo kush mund të ketë akses pasi nuk janë gjithëpërfshirëse qoftë në tematikë qoftë në gjuhë. E para është e aksesueshme nga nxënësit e shkollës përkatëse dhe tematika e librave është e limituar në libra shkencorë dhe profesjonalë të fushës në fjalë,  ndërsa e dyta përmban një numër të madh librash në gjuhën arabe dhe tematika e librave është e limituar vetëm në lëminë fetare: si libra mbi historinë dhe filozofinë islame. E fundit, pra ajo shtetërorja është më gjithëpërfshirëse në tituj, tematikë dhe gjuhë mirëpo numri i librave përsëri mbetet i vogël dhe problemi kryesor, sipas një reportazhi realizuar nga TV2 Gostivar, nuk ka një leximore dhe shumica e librave nuk mund të nxiren jashtë saj.

Përse ju drejtohem juve?

Jam e vetëdijshme që tashmë të gjithë i kanë sytë tek ju dhe presin prej jush atë ndryshimin e madh. As nuk mund ta imagjinoj se sa perjudhë e ngarkuar dhe delikate është kjo e tranzicionit: ndryshimit nga një kryetar komune, përfaqësues i një partie, në një kryetar komune të ri përfaqësues të një tjetër partie. Jam e bindur se kjo perjudhë paraqët sfida te reja duke filluar nga ç’bërja e dëmeve që mund të ketë shkaktuar udhëheqja e mëparshme, siç mund të jetë problemi me borxhet në bunxhet (nëse është i vërtetë si lajm) e deri tek krijimi i një stafi të ri dhe vendimarrje të menjëhershme që nuk presin kohë. Ashtu siç keni premtuar gjatë fushatës tuaj, prioritet për ju do të ishte depolitizimi i arsimit, problemi i deponimi, filtrimi i ujit si dhe Kultura dhe Rinia.

Një vendim shumë strategjik ky për ta nisur me depolitizimin e arsimit dhe siç duket ju e keni ndërmarrë tashmë këtë hap, edhe pse personalisht më duket si një thikë me dy presa pasiqë nëse ky depolitizim nuk është i sinqertë mund të rrezikohet ç’politizimi me politizim. Thënë shkurt dhe në fjalë të thjeshta: heqja e gozhdës me gozhdë. Megjithatë kjo është një çështje më vete, krejt subjektive dhe do ja lëm kohës më mirë. Mirepo ajo që desha të theksoj është se ndër prioritet tuaja duhet të jetë dhe hapja e kësaj leximoreje të shkretë, të shumë pritur dhe shumë dashur nga qytetarët (përfshirë këtu edhe fshatarët, pse jo).

Problemi Deponimit dhe Filtrimit të ujit të pijshëm pa asnjë dyshim janë probleme jetësore dhe shendetësore përsa i përket shëndetit fizik. Mirëpo që fiziku të jetë i shëndoshë duhet që paralelisht të investojmë edhe tek shëndeti mendor dhe shpirtëror që ta fal leximi. Kjo do të zgjidhte edhe çështjen e kulturës dhe rinisë dhe sfidat që lidhen me të. Leximorja do i largonte të rinjtë nga kazinotë dhe do i afronte më shumë me kulturën dhe artin. Nuk dua të ndalem tek rëndësia dhe dobitë që do të sillte leximorja, pasiqë dhe ju vetë jeni të vetëdijshëm dhe e keni pranuar edhe në emisionin Kallxo, debati në studio mbi Zgjedhjet Lokale 2017 nga PortAlb. Por dëshiroj të ndalem tek mënyrat dhe strategjitë se si kjo do zgjidhte shumë probleme që lidhen me rininë dhe kohën e tyre. Në mbyllje të reportazhit që përmenda më lart në lidhje me biblotekën u citua shprehja se: dëshira dhe vullneti i qytetarëve por sidomos të rinjëve ka rënë, fatkeqsisht.

Nuk di se ku bazohen për të ardhur në këtë konkluzion, mirëpo nëse është një e vërtetë e njohur prej të gjithëve dhe një fakt i pamohueshëm atëherë duhet ta dijmë si një rrezik i madh po i kanoset rinisë së vendit. Disa justifikohen se kur e ke barkun bosh, se kur nuk ke një mundësi punësimi dhe një rrogë mujore apo një sipërmarrje tënde, se kur je i tunuduar nga kazinotë, bastoret apo lokalet e natës kaq lehtë të aksesueshëm dhe kaq pranë qëndrave urbane, gjëja e fundit që të shkon ndërmend është pikërisht leximi. Pjesërisht mund të jetë e vërtetë, por nga ana tjetër mendoj se një miks kompleks faktorësh mund të ndikojnë në këtë rënje të interesimit për lexim.

Edukuesit në radhë të parë, si prindërit, edukatorët, mësuesit, profesorët, hoxhallarët luajnë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Por ja ta zëmë se ata e bën punën e tyre dhe u rrit interesimi për lexim, çfarë, si dhe ku duhet të lexojnë këto të rinj? Leximorja nuk duhet të shihet vetëm si një sallë leximi me disa rafte librash. Ajo duhet të prmovohet, ndoshta me fushata sensibilizuese nga vetë bashkia nëpër televizione lokale apo billborda rrugësh, si një vatër e ngrohtë (ku tekstualisht lexuesit mos të dridhen nga i ftohti) ushqimi shpirtëror dhe mendor.

Për këtë mund të krijohet një bibloteke lëvizëse që mund të vizitojë shkollat dhe qendrat e edukimit, mund të bashkëpunohet me organizatat rinore për projekte dhe ide se si të nxisim leximin dhe frekuentimin e kësaj leximoreje, se si mund ta bëjmë atë vatër aktivitetesh si: mbrëmje poetike, forume diskutimi mbi leximet apo mbrëmje promovimi librash duke ftuar autorë për autografe apo dhe mini panaire librash në çarshi. Kam dhe shumë ide dhe projekte të tjera që do dëshiroja t’i ndaja me P.R-in tuaj dhe shpresoj për një përgjigje publike sepse ja keni premtuar këtë Jeta Xharrës (pra se do i ktheni përgjigje shoqërisë civile) dhe sepse kjo rini meriton një përgjigje shpresëdhënëse dhe kjo audiencë meriton të dëgjojë prej jush.

Me respekt,
Një Gazetare dhe Aktiviste e shoqërisë civile

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button