Kur të lexojmë më shumë…

Sprovën e famshme “The sweet power of music”, të botuar në vitin 1922, Faik Konica e nis me adhurimin e Shekspirit për artin e perëndishmë – muzikën. Për shijen e shpirtërave të kultivuar, është kjo sprovë e jashtëzakonshme poetike e cila nuk e ka shoqen ndër shkrimet shqiptare mbi artin me tërheqjen më të madhe magjike.

Ta shijojmë bashkë copëzën më të mahnitshme të saj:

Për ata që e kuptojnë dhe e duan me thellësi, muzika nuk është një qejf; është një fe. Dëgjoni me kujdes dhe përmbledhje Preludin e parë të Sebastian Bachut, dhe do t’ju tronditet shpirti si prej një seri nga bota tjatër, nga një botë ideale dhe të panjohur, shumë të largme, po dhe shumë të afërme. Janë tri nota që duket sikur përsëriten pa fund, po kanë kurdoherë një dritare të re. Në ato të tri nota Bachu i ka lënë njerëzisë një mesazh të pavdekur. Ç’kuptim ka? A na këshillon përuljen përpara fatit, dashurinë shpëtimtare nëpër ferrat e jetës, apo një qetësi fisnike në mes të furtunës? Ndofta të gjitha bashkë. Për ne besnikët e muzikës. Preludi i parë i Bachut është lutja më e madhe e fesë sonë, që na lartëson dhe na forcon në luftën dhe në shëmtimet e jetës, ashtu si ju ndihin juve të krishterë dhe muhamedanë lutjet më të shenjtëruara të feve tuaja. Po lutja jonë ka një fuqi bindëse që s’e kanë lutjet e tjera: Kur dëgjon Preludin e Parë të Bachut të reveluar nga një dorë devote dhe të ditur nuk është punë një besnik i thellë i Muzikës të bëjë të keqen, – nuk është i zoti ta bëjë!

Pa dyshim, shkrimi në fjalë shpërfaq pasionin dhe kulturën muzikore të ustait të letrave shqipe, të aristokratit më të papërsëritshëm të artit e të kulturës botërore prej shqiptarëve. Me këtë ese briliante, Konica sikur përpiqet të ngulë në trutë tanë idenë e rëndësisë së jashtëzakonshme që luan muzika në kultivimin e shpirtit kolektiv të një kombi; sikur dëshiron t’na e kujtojë sa bie sahati për shijen tonë në procës shkërmoqjeje, shkaku i bastardhimit të asaj që duhet t’na vijë në vesh, jo si zhurmë torturonjëse, po si zë i ëmbël që merr frymë në sheshe lulesh aromëplota.

Po këtë koncept Konica e kishte edhe për mbretëreshën e letërsisë – poezinë, që kërkonte të shkruhet me gjuhën e qiellit, gjuhën që të bën të qeshësh e të qash, të gëzohesh e të trishtohesh, e që të vete mu në zemër…; poezinë që shfaqet e lehtë, e qetë, me fjalët kullojnë jo si dropull a përrua, po si një lumë pa vala, i shtrihur mes barërash

Pra, edhe në këtë pikë ai njihte vetëm një shkallë arti: atë të parën dhe këtë e respektonte edhe kur ishin në pyetje poezitë që shkroi vetë, ndaj, jo rastësisht, ato janë aq të pakta në numër…

Kur të lexojmë më shumë për konceptin konician mbi artin në përgjithësi dhe muzikën e poezinë në veçanti, do ta kemi më të qartë përse aq pamëshirshëm godiste vjershaxhinjtë sharlatanë të kohës së tij, që shkruanin vargje, pa talentin elementar për këtë fushë arti.

Ai ishte i vetëdijshëm për dëmin e pariparueshëm që ia shkaktojnë shijes estetike të një etnie poetët mediokër, që shpesh fshihen pas motiveve atdhetare, duke harruar se letërsia dhe atdhetaria janë dy gjëra të ndryshme

Konica bëri atë që duhej ta bëjë, i vetëdijshëm se do të ndërsejë kundër vetes inatet e pafisnikëruara të mediokritetit, sepse nuk deshi t’i bëjë model bilbili sorrat estetike të kohës që i ra hise ta jetojë. Ai e lëvroi me vendosmëri titani pjesën e tij të shkëmbit, ndaj mbeti përjetësisht i denjë për respektin tonë.

Po ne çka bëjmë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button