Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë pranë UT e përfundoi fushatën sensibilizuese kundër përhapjes së diabetit

Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës, Ditës ndërkombëtare të diabetit – 14 Nëntorit – i ka kushtuar vëmendjen e duhur, si me realizimin e fushatës sensibilizuese, por edhe me mbajtjen e ligjëratave për diabetin, si një nga sëmundjet kronike më të përhapura në shoqërinë tonë.

Në programin e aktiviteteve sensibilizuese, më 15 nëntor 2017, në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të UT-së, Prof. Dr. Lutfi Zylbeari dhe Dr. Spec. Beqir Mahmudi, para studentëve dhe pedagogëve të tyre ligjëruan për korrelacionin ndërmjet diabetit dhe shtatzënisë, si dhe Para-Diabetin dhe zhvillimin e tij të hershëm.

Në ligjëratat e tyre, qëndron në kumtesën e UT-së, profesorët e FSHM-së i njoftuan të pranishmit për masat preventive kundër përhapjes së diabetit, si të ushqyerit e shëndetshëm, aktivitetet fizike, ruajtjen e peshës trupore në kufi të normales, si dhe evitimin e përdorimit të duhanit, i cili e parandalon, ose e prolongon paraqitjen e diabetit.

Zylbeari, në vijim të ligjëratës së tij apeloi që të rritet ndërgjegjësimi, sidomos te gjinia femërore, si dhe profesionistët e shëndetësisë për rolin dhe efektet e dëmshme të diabetit te gratë shtatzënë; zbulim sa më të hershëm të diabetit gestacional; të kryhen vizita më të shpeshta te mjeku për testim të glikemisë, HbA1c.proteinuirisë, C-cistatinës, mikroalbuminurisë, uresë në gjak, elektroliteve etj; të realizohen aktivitete fizike për të shpenzuar energjinë trupore me qëllim të uljes së nivelit të glukozës në gjak dhe si më të preferuara gjatë shtatzënisë janë: noti, vrapimi i lehtë dhe ecja, theksoi profesor Lutfi Zylbeari.

Ai, po ashtu vuri në dukje edhe këshilla të tjera, si respektimin e dietës dhe kujdesin në ushqim, ku veçoi shmangien e ushqimit me përmbajtje të karbohidrateve me indeks të lartë glikemik, shujta më të shpeshta me sa më pak kripë, konsumimin e pemëve dhe perimeve dhe konsumimin e 2-3 litrave me ujë gjatë ditës. Ndërkaq, Dr. Spec. Beqir Mahmudi u fokusua te problemet e pacientëve me paradiabet, me të cilët sikurse tha ai, duhet të punohet që sa më herët të zbulohet diabeti, që të ngadalësohet zhvillimi i komplikimeve që sjell kjo sëmundje te ky grup i njerëzve.

Prof. Dr. Nasir Bexheti, dekan i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, vlerësoi se ligjëratat japin kontributin dhe mesazhin e qartë për opinionin e gjerë dhe pacientet që të jenë të kujdesshëm për mosparaqitjen e diabetit në mesin e tyre.

“Me realizimin e ligjëratave të profesorëve tanë, sot i kurorëzojmë aktivitetet për shënimin e Ditës botërore të diabetit, dhe mendoj se ligjëratat janë një mesash i qartë deri te opinioni, qytetarët dhe pacientët tanë, se cilat janë sugjerimet e mjekëve për parandalimin e diabetit dhe për pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje që t’i ndjekin rekomandimet e mjekëve për mbajtjen nën kontroll të kësaj sëmundje të rrezikshme”, tha Bexheti.

Këtë vit, 14 nëntori – Dita Ndërkombëtare e diabetit u shënua nën moton: “E drejta jonë për një ardhmëri të shëndoshë”, e afishuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, njofton Zyra për informim e UT-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button