SHBA-ve u ra maska në Mianmar

Muslimanët e Arakanit po përballen me sprova shumë të mëdha para syve të botës. Ushtria e Mianmarit dhe disa turma budiste po vrasin njerëz në Arakan, pa dalluar foshnja, fëmijë, gra apo të moshuar. Përdhunimet ndodhin në masë të madhe, shtëpitë plaçkiten, fshatrat digjen, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë gjendje, Këshilli Evropian për Muslimanët Rohingya e ka përkufizuar si “gjenocid i ngadalësuar”, megjithatë, kjo u përshpejtua pas 25 gushtit. Në Arakan, atdheun historik të muslimanëve Rohingya, thuajse nuk ka ngelur asnjë musliman.

Sipas të dhënave të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladeshin fqinj ka arritur në 617 mijë e 500, por kjo shifër vazhdon të rritet çdo ditë.

Ministri i Jashtëm i Bangladeshit, Ebul Hasan Mahmut Ali, në muajin shtator tha se ushtria e Mianmarit ka vrarë afër tre mijë muslimanë të Arakanit, megjithatë, është e pamundur të jepet shifër e saktë, për arsye të pamundësisë për të hyrë në rajon.

OKB edhe pas masakrave të ngjashme të vitit 2016 të ushtrisë së Mianmarit kishte publikuar një raport, duke dokumentuar masakra, përdhunime masive dhe krime të tjera çnjerëzore nga forcat e sigurisë së Mianmarit.

Edhe pse ka reagime nga Turqia dhe, aty këtu, disa reagime të tjera, dhe edhe përkundër përshpejtimit të “gjenocidit të ngadalësuar”, bota dhe komuniteti ndërkombëtar me në krye SHBA-të, Kinën, Rusinë dhe Indinë, vazhdojnë të luajnë të shurdhrin.

Hallka e fundit e kësaj ishte Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i cili më 15 nëntor vizitoi Mianmarin dhe u takua me lideren San Suu Kyi dhe kryekomandantin e ushtrisë së Mianmarit Min Aung Hlaing, duke treguar se nuk është aq i vullnetshëm për sanksione të gjera ekonomike ndaj Mianmarit.

Tillerson dhe, rrjedhimisht, SHBA-të, reduktuan fajin në vetëm disa ushtarë dhe individë budistë ekstremistë për krimet çnjerëzore ndaj muslimanëve të Arakanit, të cilëve, sipas dokumentimeve përmes raporteve të OKB-së, ua vranë foshnjet, ua përdhunuan gratë, ua plaçkitën dhe dogjën shtëpitë dhe u detyruan të migrojnë në qindra mijëra, të cilët sipas organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, iu nënshtruan “spastrimit etnik”, dhe të cilët, sipas Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya, u përballën me “gjenocid të ngadalësuar”. Nëse vijnë raporte “kredibile”, SHBA-të i bënë thirrje qeverisë së Mianmarit t’i nxjerrë fajtorët para drejtësisë.

Po ashtu, duke përfshirë në rendin e ditës edhe operacionet ushtarake dhe konfliktet në rajonet e tjera të Mianmarit, Tillerson u përpoq ta zvogëlojë rëndësinë e asaj që po ndodh në Arakan. Ndërkaq, vendimet lidhur me atë nëse sipas SHBA-ve veprat ndaj muslimanëve Rohingya janë apo jo “spastrim etnik”, ai deklaroi se i kanë lënë pas vizitës në Mianmar.

Duke marrë një qëndrim miop dhe duke pretenduar se organizata ARSA, për të cilën pretendohet se ka shkaktuar nisjen e ngjarjeve, ka shkaktuar të gjitha këto zhvillime, SHBA-të treguan se nuk i shohin si sistematike krimet çnjerëzore ndaj muslimanëve Rohingya. Ndërkaq, veprat pas këtyre sulmeve, ata i cilësuan si një lloj “dalje jashtë kontrolli” duke u kundërpërgjigjur ndaj sulmeve. Kjo me të vërtetë është një miopi e shkallës së lartë.

Në fakt, edhe një vit më parë, qeveria e Mianmarit kishte bërë të njëjtën e asaj që po bën pas 25 gushtit, teksa, për më tepër, këto krime çnjerëzore kanë të kaluar edhe më të thellë. Duhet një analizë e thellë rreth asaj se si SHBA-të e lidhën tërë atë histori persekutimi me një sulm me armë primitive ndaj qendrave të forcave të sigurisë më 25 gusht të vitit 2017, ndërkohë që OKB i përkufizon muslimanët e Arakanit si “populli më i persekutuar në botë”.

Thënë shkurt, me vizitën e Tillersonit në Mianmar, SHBA-ve u ra maska për sa i përket dramës së muslimanëve Rohingya dhe iu zbulua fytyra.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button