Vizita e Abrashit që shkaktoi telashe mes aksionarëve të klubit ‘FC Prishtina’

Vizita e klubin futbollistik ‘FC Prishtina’ e kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, ka shkaktuar përçarje brenda aksionarëve. Ndonëse është kohë fushate dhe vizita të tilla konsiderohen normale, aty ndodhi diçka më shumë, shkruan Insajderi. Nga faqja zyrtare e klubit në Facebook, është publikuar një komunikatë e cila nxjerr preferencat politike.

Përmes saj i kanë dhënë mbështetje kandidatit të LDK-së, Arban Abrashi dhe kanë kritikura punën e deritashme të kryetarit aktual, Shpend Ahmeti, i cili synon ta drejtojë komunën për të dytin mandat.

“Abrashi e takon FC Prishtinën që gjendet në rrugë!”, kështu nis komunikata e FC Prishtina.

“FC Prishtina është e hapur për çdo kandidat, por kryetari i deritanishëm për katër vite nuk i hapi dyert klubit dhe as tani në fushatë nuk ka shprehur interesim të na vizitoj!!!!”, thuhet më tej aty.

Por jo vetëm kaq, komunikata në mënyrë indirekte bën thirrje të votohet kandidati i LDK-së, Arban Abrashi.

“Ai ka garantuar prishtinasve se do t’i nxjerr nga kriza thuajse menjëherë pasi ta fitojë mandatin e kryetarit të Prishtinës, natyrisht nëse qytetarët ia besojnë votën më shumë sesa kundërkandidatit dhe kryetarit aktual, Shpend Ahmeti”, thuhet më tej në komunikatën e klubit.

Natyrisht, kandidati i LDK-së e shfrytëzoi vizitën për ta sulmuar kundërkandidatin e tij, duke thënë se sporti ka degraduar.

“Jam këtu që ta tregojë përkrahjen time për sportin në Prishtinë. Në katër vitet e fundit sporti është degraduar në Prishtinë. Jemi dëshmitarë se klubet prishtinase ushtrojnë jashtë Prishtinës, kurse zhveshtoret i kanë në një lokacion tjetër jashtë Prishtinës dhe lojtë i luajnë jashtë Prishtinës”, tha Abrashi, shkruan Gazeta Insajderi.

Por kryetari i këtij klubi, Remzi Ejupi, nuk harroi t’i thotë disa fjalë, duke thënë se është injoruar klubi FC Prishtina.

“Është për keqardhje se si është injoruar klubi ynë. Mendoj që klubi e meriton ta ketë një vëmendja shumë më të madhe në të ardhmen. Klubi është ky që është, bardh e kaltër, dhe nuk mund t’ia ndërrojmë ngjyrat. Është klub i kryeqytetit dhe krejt Kosovës dhe s’ka nevojë për politizim të sportit por duhet mbështetur sinqerisht sporti”, ka theksuar Ejupi.

Por e gjithë kjo ka shkaktuar pezmatim mes aksionarëve të klubit.

Rahman Haradini, i cili thotë të jetë ndër aksionarët kryerorë të klubit futbollistik FC Prishtina, ka reaguar duke thënë se kjo është bërë me qëllim të përfitimit të njërit kandidat dhe shpërndarjen e dezinformatave për kandidatin tjetër.

Madje ai ka akuzuar edhe ata që kanë folur dhe që e kanë pritur në takim kandidatin e LDK-së, duke thënë se ata nuk përfaqësojnë as 1/3 e aksionerëve.

“I indinjuar me këtë shkrim në facebook nga ana e administratorit të faqes , i njoftoj të gjith dashamirësit e futbollit e sidomos adhuruesit e klubit FC Prishtina se sot është keqpërdor emri i klubit FC Prishtina nga ana e disa aksionerve të klubit të cilët nuk janë as 1/3 e akcionerëve, të njejtit nuk kanë pasë të drejt të favorizojnë njërin kandidat e as të shpërndajnë dezinformata për kandidatin Shpend Ahmeti”, ka shkruar ai në një koment në postimin e komunikatës së klubit.

“Unë si aksionari kryesor në klubin FC Prishtina dhe në emër të akëionerëve tjerë që janë shumicë në klub ju deklaroj me përgjegjësi se gjendjen në klub e kanë pru po të njëjtit këta anëtar të bordit që sot shpërndan dezinformata për Shpend Ahmetin më qellim të perfitimit të kandidatit tjetër”, ka shkruar më tej ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button