Janë propozuar emra për Ministrinë e Shëndetësisë, topi ngelet te Zaev

Vazhdon saga për Ministrinë e Shëndetësisë. Të gjithë pyesin, por askush nuk mundet të japë përgjigje se kush dhe nga cila parti do të udhëheq me pozitën që deri para se të bëhej kryetar i Gositvarit, udhëhoqi Arben Taravari, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev, ngelet në qëndrimin e mëparshëm të deklaruar në media se “opsionet janë të hapura dhe se bo bisedohet nëse për ministër të Shëndetësisë do të zgjidhet ndonjë person nga Aleanca për Shqiptarët apo nga ndonjë parti tjetër”.

“Unë e kam thënë qëndrimin tonë, ne mendojmë për të gjitha mundësitë se si të mbushen të gjitha vendet e lira, besoj se do të jetë në të mirë të të gjithëve”, tha sot shkurt kryeministri, Zaev, në lidhje me atë se kush do ta marrë Ministrinë e Shëndetësisë.

Nuk ka informata as nga Aleanca për Shqiptarët se a do ta marrin ata këtë Ministri, ose kush do të jetë personi që do ta zë vendin e bashkëpartiakut të tyre, Taravari.

Jo-zyrtarisht Portalb.mk, mëson se bisedimet do të vazhdojnë mes Zoran Zaevit dhe Ziadin Selës, ndërkaq përfliten dy emra potencial që i ka ofruar Aleanca për Shqiptarët – mjekun nga Tetova, Vullnet Ferati dhe mjekun nga Gostivari, Arsim Izairi.

Ndryshe, Zaev para disa ditëve paralajmëroi se rikonstruim të Qeverisë do të ketë për ministër të Shëndetësisë do të vendoset ndonjë kandidat që nuk vjen nga Aleanca për Shqiptarët.

“Akoma nuk kemi vendosur. Kemi filluar bisedime me partnerët e koalicionit, shpresojmë se deri në fund të kësaj jave do të mund të marrim vendim. Të gjitha opsionet janë të hapura, momentalisht as unë nuk e di se kush do të jetë emri, nga cila parti, kush do të zgjidhet nga kandidatët”, tha kryeministri Zaev, transmeton Portalb.mk.

Ai theksoi se konsultimet vazhdojnë, të gjitha opsionet janë të hapura, ndërsa para nesh, theksoi, është shumë me rëndësi edhe vendimi personal, gjegjësisht për çfarë persona bëhet fjalë.

“Shëndetësia është lartë në pritjet e qytetarëve. Nëse vjen nga Aleanca për Shqiptarët atëherë nuk do të ketë rikonstruim të Qeverisë. Nëse vjen nga ndonjë parti tjetër politike është logjike se Aleanca mbetet në koalicionin qeveritar dhe duhet të ketë vend ministror. Për këtë janë të hapura të gjitha mundësitë për debat. Vendimtare do të jenë emrat që na qëndrojnë në dispozicion dhe kush do ta ndërmerr këtë funksion përgjegjës”, tha Zaev.

Ai informoi se ka marrë emër si propozim nga Aleanca për shqiptarët për vendin e zbrazur ministror, por ka edhe emra tjerë që dëshirojnë t’i shqyrtojnë me qëllim që të merret vendimi më i mirë i mundshëm.

Ndryshe, kjo pozitë ministrore u bë temë debati në opinion, pasi që ish ministri, Arben Taravari, i fitoi zgjedhjet lokale në rrethin e dytë më 29 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button