Laramani në trashëgiminë e bashkëshortëve

Para pak kohësh bëra një punim kërkimor shkencor në lidhje me trashëgiminë ligjore. Për fat të keq ajo që vërejta ishte për të ardhur keq. Një dallim në institute juridiko trashëgimore, që juristët tonë nuk e dijnë ose nuk e bëjnë dallimin. Më saktësisht, shkrimin dëshiroj që ta orientoj në dallimin që ekziston lidhur me përfaqësimin në trashëgimi dhe trashëgiminë e transmituar. Janë dy institute juridike që në pamje të jashtme duken të njëjta por në fakt dallojnë shumë nga njëra tjetra. Me përfaqësim në trashëgimi nënkuptojmë situatën në të cilën pasardhësi i trashëgimtarit të të ndjerit (trashëgimlënësit të parë) thirret në trashëgimi, dhe fiton të drejtën për të trashëguar kur trashëgimtari ka ndërruar jetë para trashëgimlënësit. Më konkretish ka të bëjë me situatën kur ka vdekur babai,nëna e fëmijëve para gjyshit, gjyshes të tyre. Në këtë rast pasi të vdes gjyshi/gjyshja fëmijët kanë të drejtë të trashëgojnë pjesën që do t’i takonte babait, nënës të tyre, nëse do ishte gjallë pasi të ndërronte jetë gjyshi/gjyshja.

Me trashëgimi të transmituar nënkuptojmë situatën, kur ka vdekur gjyshi, por pa u hapur procedura trashëgimore vdes edhe babai i fëmijëve, duke mos u deklaruar nëse e pranon ose jo trashëgiminë. Në këtë rast për dallim nga rasti i parë në trashëgimi mund të thirret edhe bashkëshortja e të ndjerit të dytë, për të trashëguar të shoqin.

Është për të ardhur keq që nuk bëhet një dallim i tillë nga njerëzit e praktikës që realizojnë procedurën e ndarjes së trashëgimisë, duke çuar në arbitraritet gjatë ndarjes së pasurisë që do i takonte trashëgimtarëve. Pra, dua të sqaroj se në të dy situatat (edhe kur trashëgimtari vdes para trashëgimlënësit dhe kur vdes pas trashëgimlënësit) zbatojnë PËRFAQËSIMIN, me çka diskriminohet bashkëshortja/bashkëshorti (në të shumtën e rasteve) duke e mënjanuar nga e drejta për të trashëguar. Për opinionin më të gjërë dhe që nuk janë juristë d.t.th se nëse bashkëshorti vdes pas të atit të ndjerë tashmë, bashkëshortja nuk trashëgon burrin e saj, dhe anasjelltas, dmth nëse bashkëshortja vdes pas të atit të saj bashkëshorti nuk e trashëgon të shoqen ( edhe pse në këtë rast duhet të zbatohet instituti i trashëgimisë së transmituar).

Faji lidhur me këtë pikë së pari qëndron në Fakultetet Juridike që nuk i kushtojnë rëndësi kësaj materie dhe lejojnë që me neglizhencën e tyre të bëhen këto padrejtësi. Së dyti faji qëndron edhe tek mungesa e egos profesionale të juristëve, të cilët pasi diplomojnë mendojnë se kan mësuar gjithçka të nevojshme për të dalë në profesion, dhe për këtë arsye bëjnë gabime amatoreske në këto çështje. Kjo si pasojë e mungesës së kurreshtjes dhe dëshirës për të përmirësuar veten e tyre në profesion, gjë që pastaj reflekton edhe në jetën e përditshme juridike. Gjithashtu si pjesë e fajit në këtë pikë është edhe vetëdija e ulët e personave kompetent për ndarjen e trashëgimisë, se ndonjëherë të udhëhequr nga qëllime malicioze qëllimisht bëjnë këto gabime.

Në vijim do shpjegojmë logjikën e njërës dhe logjikën e tjetrës dhe ku qëndron dallimi.

Pse në  përfaqësim nuk e trashëgon bashkëshortja të shoqin e saj të ndjerë para vjehrrit të saj, por paraqiten vetëm fëmijët e saj? Arsyen e parë e nxjerrim nga dispozita ligjore ’’Pjesa e trashëgimisë që do t’i  takonte fëmijës së ndjerë para trashëgimlënësit sikur të kishte jetuar më gjatë se trashëgimlënësi, e trashëgojnë fëmijët e tij, nipërit e trashëgimlënësit, në pjesë të barabarta, ndërsa nëse njëri nga nipërit ka ndërruar jetë para trashëgimlënësit, atëherë pjesa që do i takonte atij sikur të ishte gjallë në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit, e trashëgojnë fëmijët e tij, stërnipërit e trashëgimlënësit, në pjesë të barabarta dhe kështu me radhë deri sa të ketë pasardhës të trashëgimlënësit’’ (neni 14 i Ligjit për Trashëgimi të R.M). Arsyeja e dytë që nuk trashëgon bashkëshortja me anë të përfaqësimit është, sepse bashkëshortja njëherë e ka trashëguar të shoqin kur ai ka ndërruar jetë dhe është hapur procedura trashëgimore për të. Ndërsa në këtë situatë bëhet fjalë për një masë trashëgimore tjetër, atë të vjehrrit të saj. Në këtë nuk ka të drejtë të trashëgojë sepse nuk është në vijë të drejtë vertikale si pasardhëse biologjike e vjehrrit të saj. Ndërsa fëmijëve u takon të përfaqësojnë të atin sepse janë në vijë vertikale me gjyshin e tyre.

Nga ana tjetër, sa i përket trashëgimisë së transmituar, bashkëshortja/bashkëshorti mund të paraqitet si trashëgimtare. Por pse, ku qëndron logjika e kësaj? Ja një sqarimi të thjeshtë për ta arsyetuar të njëjtën- duke pasur parasysh se bashkëshorti/bashkëshortja ka jetuar më tepër se i ati, atëherë llogaritet se pasuria që i ka takuar i është ndarë bashkëshortit/bashkëshortes edhe pse nuk ka ndodhur realisht. Për këtë arsye edhe bashkëshortja/bashkëshorti mund të thirret në trashëgimi si trashëgimtarë të rendit të parë të bashkëshortit/es të saj bashkë me fëmijët. Gjithashtu si arsye qëndron edhe ajo se pas vdekjes së bashkëshortit/es të drejtat e tij për t’u deklaruar nëse e pranon ose jo trashëgiminë që do i takonte atij në këtë rast kalojnë tek trashëgimtarët e tij, që këtu bën pjesë edhe bashkëshortët.

Shpresoj dhe uroj që në të ardhmen juristët tonë të kenë kujdes të veçantë për këtë çështje. Kjo ngaqë mund të bëjnë padrejtësi të cilat ndikojnë jetët e njerëzve, dhe gjithashtu mirëqënien e tyre jetësore.

Enkelej Ajazi- Student në ciklin e dytë të studimit të shkencave juridike, drejtimi juridiko-civil, Fakulteti juridik-UEJL

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button