Ivaniç: BeH nuk do të njohë Kosovën

 “Përderisa ekziston Aleanca për Ndryshime në institucionet e Bosnjë e Hercegovinës (BeH) nuk do të ndodh njohja e Kosovës dhe as që mund të ndodh, pasi ne kemi të gjitha mjetet për të parandaluar këtë”, deklaroi sot Mladen Ivaniç, anëtari i Presidencës së BeH-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai theksoi se, “Njerëzit mund të kenë dëshirat e tyre, ndërsa disa të tjerëve ne u garantojmë se kjo nuk do të ndodh. Për ne kjo është një temë e mbyllur, ajo thjeshtë nuk ekziston”.

Ivaniç sot në Banja Llukë mbajti konsultime me ministrat në Këshillin Ministror të BeH-së dhe deputetët e Asamblesë Parlamentare të Kuvendit të BeH-së nga Aleanca për Ndryshime, rreth gjendjes aktuale politike në Republikën Sërpska (RS) dhe në BeH.

Në takimin e kabinetit të Ivaniç në Banja Llukë të pranishëm ishin edhe ministrat Igor Cërnadak dhe Mirko Sharoviç, deputetët Aleksandra Pandureviç, Momçilo Novakoviç.

Ivaniç pas konsultimit, porositi qytetarët e RS dhe Serbisë se “BeH nuk do të njohë Kosovën dhe se nuk ka as gjasa minimale që kjo të ndodhë”.

“Retorika që kërcënon me luftë na kthen 20 vite pas dhe ne e dënojmë. Aleanca për Ndryshime insiston se paqja dhe stabiliteti janë në interes të BeH-së, dhe se ka ikur koha e përleshjeve luftarake dhe se zhurma luftarake meriton çdo kritikë”, ka thënë Ivaniç.

Sipas tij, paqja dhe stabiliteti janë në interes të RS dhe nga kjo pikëpamje do të veprojë.

Mirko Sharoviç, ministër i Tregtisë së Jashtme dhe Ekonomisë të BeH-së, tha se sot nuk janë takuar që të bisedojnë rreth daljes nga institucionet, por që të konsultohen për situatën e krijuar dhe ngritjes së tensioneve.

“Ajo që ne erdhëm në përfundim është opsioni dhe përgjigjja më e mirë në situatën e re dhe nxitjes së frikës dhe atmosferës luftarake vjen nga shumë burime. Pra, ndaj deklaratave të papërgjegjshme dhe nxitjes së frikës nga ana e Bakir Izetbegoviçit, përgjigjja jonë është e qartë, përderisa ne jemi në institucionet e përbashkëta çështja e njohjes së Kosovës asnjëherë nuk do të jetë në rend dite. Këtë e konsiderojmë si deklaratë private të Bakir Izetbegoviçit e cila nuk ka gjasa të kalojë”, tha Sharoviç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button