A do të largohen përmendoret që irritojnë Greqinë?

Përmendoret kontestuese që janë pjesë e projektit kundërthënës “Shkupi 2014”, përfshirë edhe atë të Aleksandrit të Madh në sheshin kryesor të qytetit, pritet të diskutohet nga Qeveria pas një propozimi të një grupit të ekspertëve për largimin e tyre. Kreu i grupit, Mirosllav Gërçev thotë se ngritja e shumë përmendoreve është bërë në kundërshtim me Ligjin për përmendoret, ndërsa sipas tij, janë bërë edhe keqpërdorime të shumta financiare që dëshmojnë krimet e pushtetit të kaluar, njofton REL.

“Ne kemi propozuar që këto përmendore të çmontohen, pasi janë në kundërshtim me Ligjin për përmendoret. Tani i mbetet Qeverisë që të sjellë vendimin. Pra, ne vetëm se kemi evidentuar problemet. Të gjitha këto përmendore, një njërën apo mënyrën tjetër, janë fryt i një krimi të rëndë shtetëror, i bërë nga regjimi i VMRO-DPMNE-së gjatë 11 viteve të qeverisjes me vendin. Pra, janë përmendore të krimit dhe të shkeljes të rëndë të së drejtës ligjore”, thotë Mirosllav Gërçev, udhëheq i grupit të punës për shqyrtimin e përmbajtjes së projektit “Shkupi 2014”.

Por, sipas njohësve të çështjeve politike dhe ndërkombëtare, pas nismës për largimin e disa përmendoreve kontestuese, qëndrojnë qëllime tjera që kanë të bëjnë me zbutjen e toneve me Greqinë për çështjen e emrit.

Alajdin Demiri, ish-diplomat, ndalet te përmendorja e Aleksandrit të Madh, por edhe tek aeroporti i Shkupit me të njëjtin emër. Ai thotë se njoftimet se gjatë ngritjes së kësaj përmendoreje janë bërë shkelje ligjore, janë vetëm se arsyetime për të larguar atë për shkak të reagimeve të vazhdueshme të Greqisë ,e cila kishte akuzuar Shkupin për irredentizëm, për shkak të tendencave të vazhdueshme për të përvetësuar apo për identifikimin e maqedonasve të sotëm me maqedonasit antikë.

“Ky pushtet mundohet në mënyra të ndryshme që të zëvendësojë ose të zbusë kërkesën greke ose nevojën e brendshme me çështjet teknike se është ndërtim pa leje, vendosje pa leje, e arsyeje tjera. Por, vlerësoj se këto janë arsyetime teknike për të realizuar qëllimin, i cili ka të bëjë me atë se këto gjëra apo përmendore duhet të zhbëhen për të krijuar kushte më relaksuese dhe më të afërta për bisedime lidhur me kontestin e emrit. Kjo, veç tjerash është edhe një pajtim me historinë se këta maqedonasit e sotëm me Maqedoninë Antike dhe kjo pa dyshim se do të relaksonte raportet me Greqinë”, thotë Demiri.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë vizitës të hënën në Slloveni, ka thënë se Qeveria do të bëjë çmos për hapjen e një faqe të re me Greqinë, por pa përmendur çështjen e përmendoreve, që janë kritikuar në vazhdimësi nga Athina zyrtare.

“Ne do të ndërtojmë raporte miqësore me Greqinë dhe në atmosferë të tillë miqësore, unë sinqerisht besoj se mund të gjendet zgjidhje për çështjet e vështira. Kështu që Maqedonia po bën një përpjekje, e cila shpresoj se do të përcillet me synimin përfundimtar, zgjidhjen e problemit të cilin Greqia e ka me emrin tonë kushtetues”, ka thënë Zaev.

Nga VMRO-DPMNE-ja kanë kundërshtuar nismat për rrënimin e përmendoreve, ndërsa është ndalur në nismën gjatë qeverisjes së saj për të ndërtuar një përmendore të lartë të Nënës Terezë. Nga partia e Nikolla Gruevskit kanë thënë se me “nismën për ndërprerjen e punimeve, qeverisja e LSDM-së po shkatërron figurat që përfaqësojnë etnitete të ndryshme, siç është ajo e Nënë Terezës, e cila është krenari edhe e shqiptarëve edhe e maqedonasve”.

Por, sipas analistëve ndryshimet eventuale në projektin kundërthënës “Shkupi 2014”, në veçanti ato për përmendoren e Aleksandrit të Madh, të cilin maqedonasit e llogarisin si paraardhësin e tyre dhe të aeroportin të Shkupit me të njëjtin emër, mund të ndikojnë në masë të madhe në raportet mes dy vendeve dhe afrimin e Maqedonisë drejt NATO-së dhe Bashkimit Evropian, proces ky që është bllokuar pikërisht për shkak të kontesteve të pazgjidhura me Greqinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button