Plaku me dekoratë trimërie dhe miti i Boros e Ramizit

Fundi i viteve 80-të në shekullin e kaluar. Skilet komuniste, shoqëruar nga renegatë shqiptarë, erdhën në vendlindjen time, ku mbretëronte një atmosferë tepër e tensionuar. Sapo ishte fshirë një nen që shqipen e hiqte nga lista e gjuhëve zyrtare. Mësuesit dhe intelektualët e kundërshtonin hapur dhe guximshëm këtë vendim. Ata rrezikonin diferencimin ose arrestimin.

Skilet komuniste tentonin ta qetësonin situatën. Donin ta rishitnin mitin për Boron e Ramizin. Emri i Boros përherë qëndronte para atij të Ramizit.

Një plak i ndershëm, në dukje i zakonshëm, ngulmonte që të ishte pjesë e mbledhjes. Pasi folën disa skile, duke e risjellë mitin e Boros dhe Ramizit, plaku kërkoi fjalën. Si i nxori disa dekorata trimërie, tha: “Këto dekorata nuk mi ka dhënë Lupço Samarxhija” (Në sallë ja krisën të qeshurat). “Luftuam për barabarësi popujsh, por ju tradhtuat gjithçka. Ju gënjeni!”.

Skilet komuniste shikuan njëri – tjetrin. Gjërat nisën të lëviznin sipas një ritmi të paparashikuar. Plaku me dekorata nisi të recitonte vargje këngësh me frymë revolucionare dhe me mesazhe për barabarësi ndërmjet kombeve.

Ai kurrë nuk ishte mburrur dhe askush nuk dinte gjë për dekoratat e tij, të cilat, si dukej, ja kishin lënduar ndërgjegjen më shumë se sa ja kishin shtuar krenarinë. Kishte vuajtur dhe ishte ndjerë i tradhtuar. Se për një luftëtar idealist nuk ka gjë më torturuese se sa kur e kupton tradhtinë e idealit për të cilin ka qenë i gatshëm që të vdiste.

Mësuesit dhe intelektualët gjithashtu reaguan guximshëm. Politika ishte kundër mësimdhënësve të dikurshëm, por ata ishin të zëshëm dhe rebelë kundër padrejtësisë. Mësimdhënësi i tanishëm i përkulet drejtuesit të krandes partiake, që sillet me institucionin publik sikur e ka trashëgimi familjare. Tjera kohë dhe tjera zakone.

Skilet komuniste, kur panë “si shkonte sahati”, ikën kokëvarur. Nuk mundën ta rikthenin mitin e Boros dhe Ramizit. Njerëzit nuk kishin frikë dhe e kishin mësuar leksionin e historisë.

Boro dhe Ramizi ishin dy revolucionarë komunistë, të pushkatuar në përqafim. Ata ishin bërë simbol i vëllazërim – bashkimit dhe i vëllazërisë serbo – shqiptare.

Dy të flijuarit, që besuan në idealin e vëllazërimit ndërmjet kombeve, sot mund të duken figura groteske. Sa bukur tingëllon ky ideal dhe sa mashtrime janë bërë në emër të tij.

Studenti i drejtësisë, Ramiz Sadiku, sipas biografisë, nëse nuk është e sajuar, kishte sedër kombëtare. Më 1938 ai dhe studentët tjerë shqiptarë në Beograd, kishin kërkuar barabarësi për shqiptarët në Mbretërinë SKS, ndërprerjen e shpërnguljes së dhunshme drejt Turqisë dhe kthimin e pronave të të dëbuarve. Thirrja e studentëve u adresua edhe në Lidhjen e Kombeve, në Gjenevë.

Boro Vukmiroviq ishte me origjinë malazeze, nga Cetina, prindërit e të cilit ishin vendosur në Pejë më 1914. Ai ishte punëtor i thjeshtë dhe vepronte sipas urdhrave të Tempos famëkeq. Boro kishte lidhje me komunistët shqiptarë dhe kishte ndihmuar në themelimin e PKSH.

Me “Boro e Ramiz” u emërtuan shumë institucione. Vdekja e tyre, në vitin 1943, duhej ta përçonte mesazhin e vëllazërimit dhe bashkimit të popujve në Jugosllavi. Në fakt, ky ishte një vëllazërim dhe bashkim i gënjeshtërt.

Idealisti Ramiz Sadiku, nëse do të jetonte në Jugosllavinë e Titos, mbase do ta fuste kokën në rërë si struci për të bërë karrierë politike. Ose: do të ndiqte idealin e tij dhe, me gjasë, do burgosej ose do vritej me akuzën se punonte kundër vëllazërimit dhe bashkimit.

Sikur dy shokët e përqafuar të jetonin në kohën e luftërave në Jugosllavi, mbase do ta mbanin njëri tjetrin në shënjestër.

Por historia nuk flet për ngjarjet që mund të ndodhin. Ajo flet për ngjarjet që kanë ndodhur. Misioni i saj: të na vetëdijesojë në mospërsëritje gabimesh të së kaluarës.

Plaku me dekorata, sikurse Ramiz Sadiku, kishte një ideal në rininë e tij. Ramiz Sadiku u vra dhe nuk e mësoi asnjëherë se ideali i tij qe naiv. Plaku mbeti gjallë dhe e kuptoi se ishte tradhtuar, prandaj nuk besonte më në parulla, për të cilat, dikur, kishte qenë i gatshëm për t’u flijuar.

Ata që nuk mësojnë nga historia janë të marrë ose mashtrues. Nëse e gëlltisin të njëjtën gënjeshtër janë të marrë. Nëse e dinë se çfarë ndodh dhe punojnë për karrierën personale janë mashtrues. Ata që vazhdojnë t’i besojnë mitit të Boros dhe Ramizit kanë nevojë për fjalët e plakut me dekorata: “Ju gënjeni!”

Kanë kaluar shumë vite prej asaj kohe. Njëri nga “emisarët” ende sillet rreth pushtetit. Biologjia nuk e lejon të jetë pjesë e tij. Tani është këshilltar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button