Në Kuvend do të votohet për nevojën e miratimit të ligjit për gjuhët

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në mesditë duhet të votojë për nevojën për miratimin e Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve, me ç’rast ai do të hyjë në fazë të dytë dhe deputetët do të mund të dorëzojnë amendamente.

Shumica qeveritare dje porositi se Maqedonia po hyn në fazë të ndërtimit të besimit midis bashkësive.

“Duam sistem më të mirë, ligje më të mira, jetë më të mirë për të gjithë. Të dërgojmë mesazh se Kuvendi do t’ua garantojë të gjitha të drejtat qytetarëve, pavarësisht se nga cili etnikum vijnë dhe në cilën gjuhë flasin”, theksuan deputetët e shumicës qeveritare gjatë debatit.

Pritet, sipas paralajmërimeve, opozita të mos votojë për propozim-tekstin në lexim të parë dhe, siç deklaroi dje në seancë plenare Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja, të dorëzojë më shumë amendamente me të cilat nga ligji do të hiqen dispozitat të cilat janë jashtë Kushtetutës. Opozita konsideron se ligji është jokushtetues, se nuk do të jetë i zbatueshëm dhe se do të rezultojë me frustruacione plotësuese tek qytetarët.

Amendamentet për Propozim-ligjin do të shqyrtohen në Komisionin për çështje evropiane, për shkak se ligji është me flamur evropian. Pastaj ligji në lexim të dytë do të shkojë sërish në seancë plenare në debat dhe në prononcimin final të deputetëve për tekstin.

Në rend dite të seancës së 15-të të Kuvendit janë edhe Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për përdorim të gjuhës maqedonase, Propozim-ligji për shfuqizimin e Ligjit për artistin e kombit të Republikës së Maqedonisë, Propozim-ligji për lëshimin e bonove me vlerë – vauçerë, të gjitha në lexim të parë, si dhe interpelancat për punën e ministrave të Financave Dragan Tevdovski, të Kulturës Robert Allagjozovski dhe ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku, të parashtruara nga deputetët opozitarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button