Gjermani, numri i personave të pastrehë rritet për 150 për qind

Numri i personave të pastrehë në Gjermani është rritur në përmasa serioze, njoftoi Shoqata Gjermane për Ndihmë për të Pastrehët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Thomas Specht, drejtori i shoqatës, tha në një deklaratë në Berlin se numri i të pastrehëve në Gjermani në vitin 2016 ishte 860 mijë, shifër kjo e cila, siç tha ai, paraqet rritje për 150 përqind në krahasim me vitin 2014.

Specht shtoi se supozohet që numri i të pastrehëve në vitin 2018 të rritet në 1,2 milion.

Ai tha se në këto shifra janë përfshirë edhe refugjatët të cilët kanë ardhur në Gjermani dhe të cilët nuk kanë shtëpi.

Sipas Specht, numri i refugjatëve pa shtëpi në vitin 2016 ka qenë afërsisht 440 mijë, ndërkohë që pjesa dërrmuese e të pastrehëve kanë mundësi strehimi në vende kolektive të përkohshme.

Ndërkaq, Specht tha se numri i të pastrehëve që nuk kanë mundësi strehimi në vitin 2016 është rritur për 33 për qind krahasuar me vitin 2014, për të shkuar në afërsisht 52 mijë.

Ai vuri në dukje se supozojnë që numri i fëmijëve të pastrehë në vitin 2016 të ketë qenë tetë për qind, kurse ai i grave 27 për qind.

Si shkak i supozimit për rritjen e numrit të të pastrehëve në 1,2 milion në vitin 2018 Specht tha se është mosmarrja e deritanishme e masave të mjaftueshme për problemin e banesave, duke shtuar se në Gjermani zbatohen politika të gabuara të banimit.

Sipas tij, shuma e qirasë së banesave posaçërisht në qytetet e mëdha është rritur, ndërsa numri i banesave sociale është zvogëluar.

Edhe zëvendësdrejtoresha e shoqatës, Werena Rosenke, paralajmëroi se numri i të pastrehëve mund të rritet në vitet e ardhshme nëse qeveria federale dhe shtetet nuk marrin masa.

Ajo tha se është e nevojshme që të ndërtohen banesa që përkojnë me dinjitetin njerëzor të 52 mijë të pastrehëve që jetojnë në rrugë dhe të sigurohet edhe kujdesi mjekësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button