Përfundoi debati për ligjin e gjuhëve, nesër hidhet në votim

Përfundoi debati për leximin e parë të ligjit të gjuhëve i cili dje u rikthye në debat pas zgjedhjeve lokale ndërkohë që nesër i njëjti pritet të votohet nga deputetët, njofton Portalb.mk.

Pas votimit të leximit të parë të ligjit të gjuhëve, i njëjti shkon në Komision për Çështje Evropiane ku do të propozohen amandamente shtesë për të njëjtin. Meqë ligji i gjuhëve ka flamurin evropian, debati në Komision do të zgjasë tre ditë pas së cilit rikthehet sërish në seancë plenare.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së që dje folën në foltoren e Kuvendit paralajmëruan se ata do të votojnë “kundër” ligjit të gjuhëve në lexim të parë, ndërkohë që në Komisione, Ilija Dimovski paralajmëroi se do të propozojnë amandamente shtesë ndaj të njëjtit.

Përndryshe, debati për ligjin e gjuhëve u rikthye pas 50 ditësh dhe për të njëjtin u zhvillua tetë ditë debat ndërkohë që Qeveria këtë fundjavë e ka dorëzuar Propozim-buxhetin për vitin 2018 deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Pritet që debati për këtë të fillojë gjatë kësaj jave, siç paralajmëroi të premten në takim me gazetarët kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Ndryshe, ligji i gjuhëve në seancë plenare i parapriu mbështetjes ligjore të Komisionit të Kuvendit për Çështje Evropiane  dhe Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive. Ardhja e ligjit të gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë, bëri që deputetit i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski gjatë seancës plenare të kërkojë pauzë, pauzë kjo që ka zvarritur edhe më shumë kalimin e këtij propozim-ligji me debat të shkurtër dhe në mënyrë të përshpejtuar, pasi që i njëjti mban flamurin evropian.

Sipas asaj që u tha nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani vendosja e flamurit evropian është bërë me kërkesë të Bashkimit Evropian, vend ky që respekton ndryshimet në shoqëri. Vendosja e flamurit dhe plotësimi i kërkesës së BE-së do të përshpejton procesin eurointegrues të Maqedonisë.

Debati për të njëjtin u ndërpre më 23 shtator, pasi që filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 tetorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI MOBIL