Studentët e mjekësisë të UT-së, kontrolle falas për qytetarët në Ditën botërore të diabetit

 

Me rastin 14 Nëntorit – Ditës botërore të diabetit, Grupi shkencor i Parlamentit Studentor të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, me përkrahje të Parlamentit Studentor të UT-së, në qendër të qytetit të Tetovës organizoi fushatë sensibilizuese kundër kësaj sëmundje shumë të përhapur në kohën e sotme.

Sipas kryetares së këtij Grupi shkencor, Fatbardha Skenderi, qëllimi i këtij aktiviteti ishte ngritja e vetëdijes së popullatës për këtë sëmundje të mijëvjeçarit të ri, e cila e ka kapluar me të madhe edhe rajonin e Pollogut, por edhe tërë botën.

“Incidenca e rasteve me diabet, qoftë të fituar apo hereditar, sa vjen e më shumë shtohet, prandaj qëllimi i këtij organizimi është të informohen qytetaret në lidhje me rreziqet dhe komplikimet që mund t’iu vijnë si pasojë e sëmundjes së diabetit, çka u kanoset dhe si mund t’i parandalojmë”, deklaroi kryetarja Skenderi, e cila po ashtu njoftoi se në pikat e kontrollit, merreshin të dhënat e përgjithshme – anamnezës, matja e shtypjes së gjakut, si dhe matja e sheqerit në gjak.

Këtë aktivitet të studentëve e vizitoi edhe rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë aktivitet të studentëve, të cilat siç tha, me shpërndarjen e broshurave dhe kontrollet mjekësore e shtojnë vetëdijen te qytetarët, por edhe te institucionet, të cilat duhet të investojnë më tepër në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, gjegjësisht vetë Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë një strategji të mirëfilltë për zhvillimin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, si dhe zhvillimin e spitaleve klinike, pasi, siç tha ai, Maqedonia radhitet në mesin e vendeve me përqindje më të madhe të të sëmurëve nga diabeti.

“Në bazë të të dhënave, diku rreth 210 mijë banorë të Maqedonisë vuajnë nga diabeti, pra rreth 10-11% e popullatës sonë vuan nga diabeti i tipit 1 apo 2. Për këtë arsye apeloj deri tek institucionet, gjegjësisht deri tek Qeveria e Republikës së Maqedonisë, por edhe tek legjislativi që të miratojnë ligje të mirëfillta, më bashkëkohore, të investojnë më tepër në Ministrinë e Shëndetësisë, të investojnë më tepër në arsim, që të ngritet vetëdija e popullatës sonë, në mënyrë që në një të ardhme më të afërt të kemi një popullatë më të shëndoshë”, tha mes tjerash rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Gjatë ditës së sotme, studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë kryen me qindra kontrolle pa pagesë të qytetarëve, si pjesë e luftës kundër sëmundjes së diabetit, ndërkohë që qytetarëve ju shpërndanë edhe broshura me karakter informues për sëmundjen e diabetit dhe parandalimin e saj.

Anëtarët e Grupit shkencor të Parlamentit Studentor të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, kësaj radhe për nder të kësaj dite, kishin përfshirë edhe një aktivitet mjaft interesant dhe interaktiv, me ç‘rast studentët në bashkëpunim me qytetaret zbatuan idenë  “Ndërro një cigare për një mollë”, si shenjë simbolike e kësaj fushate për Ditën botërore të diabetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button