Veseli: Do të themelojmë ushtrinë në partneritet me NATO-n

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në konferencën ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, e cila po mbahet sot në Prishtinë, ka folur për arritjet e Kosovës në sferën e sigurisë dhe për synimet e saj për t’u bërë pjesë e Aleancës Veriatlantike.

Në fjalën e tij para përfaqësuesve të lartë të NATO-s, të institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore, Veseli ka thënë se pothuajse gjatë një dekade të funksionimit si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova është dëshmuar si faktor i paqes, stabilitetit dhe forcimit të demokracisë në regjionin e Ballkanit.

Veseli potencoi angazhimin e Kosovës për raporte të mira me të gjithë fqinjët e saj, përderisa me Serbinë vazhdon dialogu për normalizim raportesh, si fazë e parë në procesin e pashmangshëm të njohjes reciproke.

Sa i përket Malit të Zi, Veseli tha se nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme me të, të cenohen apo vihen në diskutim. Ai tha se dilemat e brendshme rreth demarkacionit nuk do të ndikojnë në miqësinë e qëndrueshme mes dy shteteve dhe se këto dilema do të tejkalohen pa i lënduar miqtë dhe partnerët tanë.

“Kontributi i Kosovës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i kalon kufijtë e rajonit. Në këto pak vite të ekzistencës si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka treguar përkushtim dhe efikasitet të vlerësuar, brenda Aleancës globale kundër terrorizmit dhe kërcënimeve që vijnë prej ideologjive që e ushqejnë atë. Ne kurrë, as nuk kemi qenë, e as nuk do të lejojmë që territori ynë të shërbejë si burim frymëzimi apo rekrutimi për grupet ekstremiste”, theksoi Veseli, njofton Telegrafi.

Ai konfirmoi angazhimin e Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në NATO, përderisa tashmë, Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur të gjithë kapacitetet e nevojshme për të dhënë kontributin e drejtpërdrejtë si anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“Ne sot ndihemi krenar me kadetët e FSK-së për suksesin që po tregojnë në garat më të mëdha ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s. Ky sukses është vetëm një shembull që tregon se kjo Forcë është gati për të marrë rolin që i takon në dinamikën e sigurisë rajonale dhe globale. Transformimi i saj në Ushtri të Kosovës është proces i pandalshëm, i domosdoshëm dhe në interes të të gjitha palëve”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shfaqur besimin se shumë shpejt ky proces do të përmbyllet, në harmoni me kushtetutën dhe vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP