Kur prindërit varrosin fëmijët e tyre

Merxhan Jakupi

Merxhan Jakupi

Dy javë para se të publikohet kjo kolumnë isha në vendlindje. Në lagjen time ku banoja, isha futur thellë tek personazhi i një nëne që kishte humbur tre djemtë e saj, një pas një. Ndjehesha i lënduar dhe i shqetësuar gjithmonë, kur e shihja këtë plakë, këtë shpirt të përvuajtur nga dhimbjet, vuajtjet, skamja që e kishin ndjekur tërë jetën e saj. Imazhi i saj më ka ndjekur gjithmonë, dhe po të mos më shqetësonte nuk do ta kisha shkruar këtë ese. Shmangia e dhimbjeve, vuajtjeve për këtë nënë dhe prindërve në këtë jetë do të ishte normale, sikur fëmijët të varrosin prindërit e tyre, e jo prindërit të varrosin fëmijët e vet. Kjo nënë do të vdiste pa dhimbje dhe vuajtje, nuk do të dinte kurrë në varr, se do të vinin pas saj në jetën e përjetshme tre djemtë e saj. Një mëngjes, mes pikëllimit më tregoi nëna ime, se ka vdekur në moshë të thyer shoqja dhe fqinja e saj. Nuk e harroj kurrë imazhin  dhe kujtimet e hidhura të asaj dite kur tërë lagjja, të afërmit  dhe miqtë e përcollën të prehej përgjithmonë mes varreve të tre djemve të saj. Për këtë nënë vdekja ishte lumturia e fundit në këtë botë të egër, kaotike, me shumë vuajtje dhe dhimbje. Para 10 viteve, në dalje të qytetit shafaaose me mikun tim zviceran, në një kthesë në rrugën kryesore gjendej një shkëmb. Ai rrëfente se kishte ndodhur një aksident tragjik. Një makinë ishte përplasur pas shkëmbit dhe kishin vdekur dy vëllezër, djem të ri në moshë adoleshente. Këta ishin fqinjët e mi  të ardhur nga Maqedonia, që banonin në një pallat. Miku tha, unë i njihja të atin dhe djemtë. Atë ditë kishte qenë gëzim për ta, se vëllai i madh  kishte marrë patentën dhe pasdite kishin dalë me makinë për të shëtitur. Në dalje të qytetit ishin përplasur me makinë ku të dy vëllezërit kishin mbetur të vdekur. Gjithë lagjja dhe banorët e pallatit ishin tronditur nga kjo tragjedi. Mbaj mend që në fëmijëri, dhe nuk më hiqet nga kujtesa një hallë fqinje me të cilën  na ndante një shtëpi, ku mes moshës 15-20 vjeҫare i kishin vdekur të gjashtë fëmijët e saj dhe në fund njëri djalë i martuar dhe nusja. Ajo kishte ngelur me mbesën e saj,  ku kishte punuar nëpër fusha e ara,  kishte luftuar me majën e shpatës për ta rritur mbesën e saj. Shumë vite më parë, kur shkoja në fshat, rastësisht e pashë  ulur nën një dardhë të rrugicës këtë heroinë që u bëri ballë gjithë sfidave dhe dhimbjeve të kësaj jete. Shkova e përshëndeta, iu përgjigj pyetjeve të mia me mendje të kthjellët. Ajo nuk pranonte të fliste për të kaluarën e saj. Duke u kthyer nga pushimet, në një mëngjes isha duke pritur para shtëpisë Kombin për të shkuar në aeroport. Kombi ishte kushëriri im, i cili pas vdekjes së djalit ishte duke u kthyer në Zvicër bashkë me familjen. Pasi u ulem vura re se pas meje ishte ulur një mik që se kisha parë shumë vite. Kisha dëgjuar  se i vetmi djalë hasreti para një viti i kishte vdekur. Pasi mori valixhen, më përshëndeti shoferi. E njoha, në moment më kaploi ankthi nuk munda ti përgjigjesha. Ky prind kishte pësuar si personazhet e mëparshme të njëjtën tragjedi, kishte përcjellur dy djem të martuar në jetën e përjetshme. Rrugës nuk fola asnjë fjalë, i zhytur në mendime thashë unë jam nga të gjithë akoma i paprekur. Pas një viti isha takuar me mikun tim, që atë mëngjes të tmerrshëm nga ankthi dhe dëshpërimi më kishin kapluar ethet. E luta rrugës që poqese ka kohë të pimë një kafe. I kërkova falje që nuk i shpreha ngushëllimet para një viti. Ai më tha se nuk është vonë asnjëherë për ta ngushëlluar mikun. Mu kujtua një anektodë nga L.Tolstoi. Një mbret duke shëtitur me karrocë, pa disa kufoma duke i nxjerrë nga një shtëpi. Në hyrje të një fshati, pa një plak të sëmurë i shtrirë përtokë që ja pickonin mizat plagët e trupit. Duke kaluar rreth varreve  pa një plakë me shkop në dorë duke shkuar te varrezat të vizitojë fëmijët dhe burrin e saj që i kishin vdekur. I tmerruar mbreti pyeti këshilltarin, se a mund të më ndodh të më godasë mua dhe familjes time kjo fatkeqësi dhe tragjedi?. Këshilltari iu përgjigj mbretit me një zë të qetë dhe pajtues se po. Mbreti në ato momente ndjeu dhimbje një pikë djerse i ra në vetulla. Pas disa ditëve ai u mbyll në pallat, thirri këshilltarët dhe urdhëroi që ti sillnin njërëzit  më të menҫur, dijetarë për ndihmë dhe këshilla. Duke i pyetur të gjithë ai mori të njëjtën përgjigje se ҫdo gjë që është njerëzore është dhe për gjithë mbretërit. I pakënaqur mbreti thirri një plak të menҫur. Ishte i urtë, dhe nga pamja,  thonin se i ngjante Sokratit. Mbreti e pyeti plakun se a ka njerëz të lumtur në këtë botë dhe kush janë? Plaku me fjalë të urta iu përgjigj, po. Duke parë mbreti me shpirtdlirësi, i tha trego pra kush janë njerëzit e lumtur? Plaku iu drejtua mbretit, njerëz të lumtur në këtë botë janë ata që s’kanë lindur, dhe s’kanë ardhur në këtë jetë. Pasi vazhduam bisedën me mikun, ai më tha se Zoti më dhuroi dy djem dhe në fund mi mori, por si dhuratë më dha nipa dhe mbesa. Ky shpirt hero që kishte arritur njohjen, fliste pa druajtje dhe emocione për tragjedinë dhe fatkeqësinë që i kishte ndodhur. Ai tregonte hapur për dhimbjen e bijve të tij. Po të dorëzohesha dhe ti ngjitesha së keqes do ta pësoja unë, dhe në fund do të ngelnin nipat dhe mbesat pa kujdesje. Duke e ngushëlluar veten thashë do të bëhem më i fortë  nga sa  isha më parë. Do të vazhdoj të rriti nipat dhe mbesat që më fali si dhuratë Zoti, të jenë nën mbikqyrjen time. Unë nga natyra jam pak pesimist. Nuk dija si prind sesi do ti përjetoja dhe përballoja  dhimbjet dhe vuajtjet e këtyre prindërve që kanë varrosur bijtë dhe bijat e tyre. Ibni Arabi 1076-1148, një nga dijetarët e famshëm islam, në veprat e tij shkruan; njeriu në këtë botë arrin njohjen e shkallës së lartë, lumturinë, kur thotë se ҫdo gjë që është njerëzore në këtë botë është e njohur për mua si dhimbjet, vuajtjet, humbjen e të dashurve të familjes, humbjen e pasurisë, sëmundjes varfësinë. Për shumë njerëz kjo thënie brilante është shumë e vështirë të arrihet, thonë antropologët, sociologët, psikologët më të famshëm në botë. Unë si qenie njerëzore e dobët dhe e brishtë ҫdo gjë që është njerëzore për mua do të ishte shumë pak e njohur ose aspak.

“Njihe vetveten”

Ibni Arabi, shkruan në epokën e Dhjatës së vjetër, se një njeri kishte qenë shumë i pasur, kishte pasur pozitë, begati dhe jetë të lumtur, por në fund i kishte humbur. I kishte rënë një sëmundje e rëndë dhe vite të tëra dergjej në shtrat. I dëshpëruar dhe i revoltuar ishte ankuar tek Zoti. Zoti im tha, humba gjithë pasurinë, pozitën dhe shëndetin! Më bërë padrejtësi! Zoti iu përgjigj, njih vetveten, 100 vjet jetove në begati në pasuri, pozitë të mirë dhe shëndet. Ti nuk e sheh fqinjin tënd që kishte lindur i verbër. Ai nuk e kishte shijuar këtë jetë, nuk e kishte parë botën që e rrethon. Po ti kishe fqinjin tjetër memec, kishe dhe mikun tënd pa këmbë, kishe miq e shokë dhe ndër ata që tërë jetën në sëmundje e dhimbje dhe nuk ishin ankuar. Jetove 100 vite të lumtura, do të jetosh dhe 100 vite agoni. Kur ti kalosh 100 vjet atëherë ke të drejtë të ankohesh. Ky njeri nuk ka arritur njohjen. O Zot më fal se nuk njoh vetveten, nuk e njoha botën që më pas të njoh njerëzimin. O Zot më fal!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP