Prokurori: Koçan me mashtrim të rëndë ka keqpërdorur 17 milionë euro para të qytetarëve

Gjykimi për lëndën “Trust”  të PSP-së, në të cilën i akuzuari i parë biznesmeni Seat Koçan, ndërsa të akuzuar janë edhe dy persona fizik dhe tre juridik, midis të cilëve edhe drejtuesit e firmave “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP nga Studeniçani për pjesëmarrje në tenderin e ELEM-it, do të vazhdojë më 21 nëntor me dhënien e dëshmive.

Në seancën e sotme, PSP-ja e paraqiti akuzën dhe kërkoi nga gjykata në bazë të dëshmive të bashkëngjitura, të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Seat Koçan, ndërkaq, u prononcua i pafajshëm për akuzat që kundër tij i ngriti Prokuroria Publike Speciale, ndërsa faj para gjykatës mohuan edhe i akuzuari i dytë Vasilije Aviroviq dhe i akuzuari i tretë Safet Vatiq.

Prokurori Gavrill Bubevski, nga ana tjetër, në fjalimin hyrës tha se të akuzuarit Seat Koçan, Vasilie Aviroviq dhe Safet Vatiq si dhe kompanitë “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato”, nën petkun e biznesit të suksesshëm, me mashtrim të rëndë, kanë keqpërdorur përafërsisht 1.060.000 denarë, gjegjësisht 17 milionë euro, para të qytetarëve. Motivi i tyre, sipas tij, ka qenë në mënyrë të pandershme të fitohet tenderi i SHA “ELEM” dhe me dokumente të falsifikuara, të fitohet angazhimi për punë.  Sipas dëshmive që do t’i prezentojë PPS, theksoi Bubevski, do të dëshmohet se me një sërë dokumentesh të pavërteta, janë shkelur parimet e konkurrencës së shëndoshë, janë shmangur rregullat e furnizimeve publike.

“Sot përballë drejtësisë qëndron një bashkim kriminal elementi i vetëm dhe kryesor i të cilit është përfitimi joligjor”, tha Bubevski.

Mbrojtja e të akuzuarve konsideron se ata akuzohen pa bazë, se dëshmitë dhe ekspertiza të dhëna nga PSP-ja janë jorelevante dhe se rreth këtij rasti ngritet “famë mediale”.

Avokati Mitko Jançev pas gjykimit, tha se klienti i tij Safet Vatiq akuzohet pa arsyetim dhe se shpreson se gjatë procedurës kjo do të dalë në shesh.

I pyetur nëse kjo do të thotë se, të akuzuarit tjerë ndoshta e kanë mashtruar Vatiqin, Jançev tha se ajo është punë që duhet ta konfirmojë PSP-ja dhe para së gjithash gjykata.

Në fillim të seancës së sotme, mbrojtja e të akuzuarve përsëri kërkoi anulim pasi që nuk u janë dhënë të gjitha provat për shqyrtim. Prokuroria Publike Speciale në sallën e gjykatës ia dorëzoi mbrojtjes provat për rastin “Trust”, me ç’rast gjykatësja Lidia Trajkovska Zimbovska nuk lejoi që gjykimi të anulohet dhe e filloi debatin kryesor.

Ndryshe, paraprakisht seanca gjyqësore më 7 nëntor u shty, sepse avokatët e mbrojtjes nuk e kanë marrë listën me dëshmi që i ka propozuar Prokuroria Speciale Publike.

Prokurori i Prokurorisë Speciale Publike, Gavrillo Bubevski në seancën e kaluar tha se ata deri te Gjykata i kanë dorëzuar dëshmitë në numër të mjaftueshëm ekzemplarësh dhe se sipas procedurës Gjykata është e obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes listat me dëshmi krahas aktakuzave.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17-të milionë euro.

Lënda siç publikoi PSP-ja, është formuar në bazë të tre bisedave të përgjuara, prej të cilave dy të papublikuara në opinion prej 3.9.2011 dhe 6.10.2011.

LEXO: Muaj i ngarkuar për rastet e Prokurorisë Speciale, këto janë gjykimet që do të mbahen në nëntor

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button