GJURI

Lazi, i cili nga sikleti dhe djersa, thuajse do të dalë nga lëkura e vet, e përplasi kazmën me të cilën deshi ta nxjerrë nga rruga e kryesore e katundit një gur i cili gjithmonë  kishte qenë aty, nja dhjetë centimetra mbi tokë. Guri, jo që ishte ndonjë pengesë, por ja që Lazit iu bë tollusum e s’e duronte më. “D’e çes”, tha Lazi “se zët e kam” dhe e mori një shat, e mori edhe një lopatë e doli. E kroi pak me lopatë atë “kësulën” prej guri që qëndronte e lëmuar mbi tokë dhe ta jepte përshtypjen se është një gur që gjithkush e nxjerr me të parën, kur – çfarë të shohësh – për çudi, guri doli më i madh nga ç’e priste Lazi.

“Bre nanën”! shau Lazi dhe i fshiu djersët e ballit me mëngën e këmishës. “Do m’dale me bisht ki gjur”!

U ndal, e ndezi një cigare dhe po hamendej. Ta mbulojë gurin siç kishte qenë apo të vazhdojë të gërryejë rreth tij? “Nashta ngat e ka fundin! Nuk do dale i madh. D’e çes”! tha dhe vazhdoi punën tash me shat. “Bre, ene t’nxefti m’u desht tahi n’kot siklet”!

Rrugës filluan të lëvizin njerëz, kush heshtazi kalonte, kush duke përshëndetur e duke vazhduar udhën në punë të vet, po kishte edhe nga ata që ishin kureshtarë, donin ta marrin vesh se pse donte ta nxjerrë Lazi këtë gur. Do të ketë këtu diçka… nuk është e rastit kjo! mendonin kureshtarët. Lazi i fërkoi sytë me shpinzën e duarve. Në atë çast arriti roja e ujit, ujari, Osa. Ai ngutej pas punëve, se uji nuk pret dhe duhet të drejtohet në një destinacion të planifikuar, po kësaj radhe kërshëria e ndali.

“Punë e marë, O Laz! Xhit e majra t’paska çitë ktau? A pjaki kataundit t’ka dhanë detirë ta hekësh kot gjur”?

“Jo be, m’pengonte ashtau ene e kam para dere  e thashë ta hek”… Ndërkohë aty kishte ardhur edhe Driza një djerrakohë që kërkonte raste të këtilla ta shpenzonte kohën që e kish me bollëk. Ky u ndal dhe po shikonte duke pirë duhan. Dikur s’u durua:

“Lazo, majr t’paska shku mendja ta çesësh kot gjur…

Kur u bë vetë i treti Lazi, kërshëria u fry si rrëshiqi dhe mblodhi edhe një grup njerëzish të tjerë. Erdhi edhe Plaku i katundit Sinan Çekreki dhe menjëherë, madje as pa i thënë punë e mbarë, iu drejtua Lazit me një ton pakënaqësie prej autoritari:

“Lazo, çfarë pune t’paska dalë me kot gjur”?! Lazit s’i erdhi mirë pyetja me këtë ton e cila kishte edhe thumba, por u bë thuajse nuk ia vari shumë, po në vend të Lazit u përgjigj ujari:

“O shok pjak, o zotni Sinan Çekreki, Lazi me mend e ka, se me kohë mas shajnave t’vjeshtës mund t’grrajhet traulli ene ki gjur jet ataj e bahet problem, na çet telashe. Duket i vogël gjuri maj traull, ama sherrin e madh mund ta kese nër traull ene si i thonë tahi – undergraund”. Pa e mbaruar fjalën Osa, ia mbërriti hoxha vetë i katërti: Dani i Reçve, Beqa i Xhevizve, Lamja i Skurrave ene Rremi i Arbneshve.

“Ki gjur nuk do dale bash i vogël”, tha Beqa i Xhevizve.

“Pa çare duhet ni qiski”, shtoi Lamja i Skurrave.

“Qiski, po se po, ama ene ni çekiç do duhet, se ki gjur kana sortë e fortë. Pa çekiç nuk bahet kurrxha! E then  me çekiç ene u sos puna, vlla”! tha Rremi i arbneshve.

Dani i Reçve tha se duhet ene ni kovë me ujë ene ni netëll çi t’fshajhet ene t’lahet gjuri çi t’i xhinden  vende se ku duhet me i ra me çekiç.

Lazi e ndezi edhe një cigare, kurse hoxha u ul në një trung të prerë që e kishin lënë aty dhe i rrotullonte rruzaret duke bërë vetëm me buzë e pa zë lailahe ilallah.

Nuk shkoi shumë kohë e krejt almiset u gjetën aty, skaj rruge: dy kazma, edhe një shat tjetër, dy lopata, një fshesë, një kovë me ujë dhe edhe një qysqi.

Lazi e mori kazmën e vet dhe vazhdoi ta gërryente gurin përreth.

“Lee kazmën,  qiskinë merre o Laz, qiskinë”! tha njëri nga  grumbulli.

“O Dan beri taj me netëll rreth gjurit çi Lazi ta kese ma lentë ta fugie traullin tuqe! bërtiti një tjetër me një zë gërvishtës.

“Taj Beqë, xheje ni gjur qetër çi t’ja vemë qiskisë si mshtetze”… ndërhyri një i tretë

“Beri me kazëm ene pak kah ana e gjathtë”, tha plaku i katundit.

“Kot e kini kshtau! O Laz, tërtja vlla me çekiç, se ki nuk asht gjur i vogël. Xhi hupni kohë kot e kot! Ktau nuk bojnë punë netlla e kacaja!”, e ngriti dorën në shenjë pakënaqësie Rremi i arbneshëve.

“Lailahe ilallah”, bëri hoxha.

Ndërkohë rreth Lazit u mblodhën edhe shumë njerëz dhe të gjithë e pyesnin njëri-tjetrin se çfarë po ndodhte aty. Pastaj u bë rrëmujë. Sa merrte Lazi kazmën, dikush i thoshte se duhet me shat, kur provonte me shat – i thoshin se qysqia bënte punë aty, pastaj një tjetër i jepte përparësi çekiçit.

Ndërkohë e gjithë kjo filloi të shndërrohet njëherë në mosmarrëveshje të vogël verbale e pastaj temperatura e kësaj mosmarrëveshjeje u ngrit e në fund gjithçka përfundoi me rrahje të përgjithshme e me të shara të nënave.

Hoxha ulur në trung qetas thoshte: teubistikfa, teubistikfa!

Pas një kohe kush kaloi me një shpullë, kush me ndonjë grusht, kush me ndonjë shqelm a me fytyrë të ënjtur a të mavijosur.

Lazi përfundoi me dhembje në shpinë e kraharor.  Dhe, me tre brinjë të thyer! E shtrinë ngadalë në krevat.

“O zot i madh”, tha Lazi, “thua ti se pak derte kam e edhe këtë bela ma çove! Pse o zot?!”

“Pusho, Laz”! i tha e shoqja.

“N’kofsha shnosh e majr,me izën e zotit, at gjur d’e çes, kismet” , i tha të shoqes me një vendosmëri burrnore  Lazi.

Pastaj i ra të fikët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button