Kryeministri i Maqedonisë fillon vizitën zyrtare në Slloveni

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka nisur të hënën vizitën dyditore në Republikën e Sllovenisë, ku ka takuar homologun e tij slloven, Miro Cerar, raporton Anadolu Agency (AA).

Vizita zyrtare realizohet në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes këtyre dy vendeve të cilat tradicionalisht zhvillohen në frymën e miqësisë.

Siç bën të ditur kryeministria sllovene, Cerar ka thënë gjatë takimit se vendi i tij përkrah fuqimisht Maqedoninë në rrugëtimin e saj euroatlantik, që reflektohet përmes ndihmës që ofron Sllovenia përmes ekspertëve të saj. Në njoftim thuhet më tej, se një Maqedoni stabile, e sigurt dhe ekonomikisht prosperuese është në interes të BE-së.

Në kuadër të bashkëpunimit, në periudhën 2005- 2016, Maqedonia ka marrë nga Sllovenia ndihmë në vlerë prej 14 milionë euro, kryesisht për projekte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit dhe efikasitetit energjetik.

“Sllovenia do të vazhdojë me zbatimin e projekteve cilësore zhvillimore në Maqedoni, sidomos ato dypalëshe për ndihmë teknike të cilat do të kontribuojnë për integrim më të shpejtë të Maqedonisë në BE. Për Slloveninë, arsimimi dhe perspektiva e të rinjve të Maqedonisë janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit. Në vitin e kaluar shkollor në Slloveni kanë studiuar 720 studentë nga Maqedonia që gëzojnë kushte të njëjta”, thuhet në njoftim.

Dy kryeministrat kanë folur edhe ekonominë, ku thuhet se Sllovenia është investitori më i madh në Maqedoni, me trende të rritjes, dhe është shqyrtuar mundësia për thellimin e bashkëpunimit në bujqësi, por edhe në investimet në infrastrukturë, energjetikë, projekte ekologjike dhe të turizmit, përfshirë industrinë ushqimore dhe të çelikut.

Kryeministri slloven ka falënderuar Zaevin për përpjekjet e Maqedonisë për të ndalur migrimin ilegal, meqë Maqedonia i është përgjigjur pozitivisht thirrjes sllovene për mbylljen e rrugës ballkanike të migrantëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button