Reformat në DSK do t’i udhëheq agjenti me të kaluar skandaloze

Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, duhet ta reformojnë personat me energji të re, profesionale dhe jo personat të cilët kanë një të kaluar të dyshimtë. Ky është komenti i ish dy deputetëve, Hysni Shaqiri dhe Mersel Bilalli, pasi që Qeveria e Maqedonisë ka formuar grup për reforma në DSK, ku si kryetar është emëruar agjenti, Siljan Avramovski, me emrin e të cilit lidhen një sërë skandalesh gjatë karrierës së tij, njofton Portalb.mk.

“Qeveria nuk mund të pretendojë në reforma në qoftë se sektorët apo dikasteret e ndryshme i mbulon me njerëz të cilët kanë një të kaluar të dyshimtë, të cilët i njohin qytetarët për krijimin e situatave të pakëndshme për gjithë popullatën shqiptare. Me individ të dyshimtë, me figura të cilët kanë shkaktuar dhembje dhe dëm te popullata shqiptare, nuk arrihet asgjë, por vetëm do të kemi reciklim të krizës dhe thellim të gjithçkahit që është në dëm të të gjithë qytetarëve, pse të mos them sidomos të shqiptarëve”, thotë Shaqiri duke shtuar se nëse kjo Qeveri e vazhdon avazin e asaj paraprake, Maqedonia nuk do të ketë perspektivë, përkundrazi do të ketë probleme serioze të cilat do t’i shkaktojnë dëm këtij vendi.

Bilallivlerëson se DSK-në duhet ta reformojnë personat me energji të re, por të cilët janë të përgatitur profesionalisht dhe të cilët nuk kanë hipoteka nga kaluara.

“Reformat duhet të bëhen me njerëz me energji shumë të re. Atë duhet ta bëjnë njerëz që së paku duhet të kenë dy komponenta, pra ta njohë mirë problemin dhe mos te kenë hipoteka nga e kaluara. Reformat në DSK nuk mund t’i bëjë vetëm një person, ata duhet të bëhen me ekipe të mira shkencore, analitike dhe profesionale që t’i zgjidhin problemet. Nuk varet vetëm prej një personi”, thotë Bilalli.

Reforma me persona të “pareformuar”

Përfshirja e Siljanovskit në afera të dyshimta daton që nga viti 1996, ku në tetor të po këtij viti, kishte helmim masiv të nxënësve në Tetovë, ndërkaq në opinion ka pasur akuza dhe dyshime për përfshirje të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në këtë rast për qëllime politike, ku pjesë e të cilës ka  qenë edhe Siljanovski, në pozitën e drejtorit për Punë Operative në Sigurinë Shtetërore.

Për të njëjtën ka shkruar edhe ish agjenti dhe kryetari Lëvizjes Popullore të Maqedonisë, Janko Baçev, i cili thotë se “rasti është inskenuar nga shërbimet e atëhershme sekrete”, transmeton Portalb.mk.

“Rasti me helmimin e nxënësve në Tetovë në tetor të vitit 1996, ka qenë rast i konstruuar nga policia sekrete, gjegjësisht ka qenë rast i inskenuar nga Shërbimi për Siguri Shtetërore. Të njëjtën shërbimet e kanë kryer nga ana e aksionit operativ “Lukrecija 96”, ka shkruar në vitin 2010, Baçev, në një seri të teksteve në “Shpic” me titull “një histori e dhimbshme spiunazhi”.

Video nga “TV Art” e vitit 1996 kur u bë helmimi:

Në kohën kur Avramovski ishte drejtor i përkohshëm i DSK-së, ndërkaq ministër i Punëve të Brendshme Lubomir Fërçkovski, më 31 dhjetor të vitit 2004, ka ndodhur arrestimi i Kalid del Masri, shtetas gjerman me prejardhje libaneze. Kalid el Masri ka qenë i rrëmbyer për shkak të një gabimi për identitetin e tij, pas çka është burgosur dhe u është nënshtruar torturave.

Pas lirimit, Masri e ka paditur Maqedoninë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg, ku ajo e ka shpallur fajtore Maqedoninë për shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me të cilën ndalohet sjellja  jonjerëzore dhe ofenduese, neni 5 i së drejtës së lirisë dhe sigurisë, neni 8 i jetës private dhe familjare, si dhe neni 13 i së drejtës për gjykim të drejtë. Maqedonia sipas vendimit të Gjykatës Kaled El Masrit i ka paguar 60 mijë euro dëmshpërblim.

Rrëfimi i El Masirt

Siljan Avramovski që nga viti 2006 ka qenë zv/drejtor i DSK-së, në kohën kur me këtë drejtori ka udhëhequr kushëriri i Nikolla Gruevskit, Sasho Mijallkov. Edhe pse Pribe vazhdimisht ka kërkuar që të ketë reforma në DSK, Avramovski nuk njihet për ndonjë person i cili ka “ngritur zë” për çështjet që nuk kanë shkuar siç duhet në DSK, veçmas, në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 kur shërbimet sekrete, i kanë përgjuar në mënyrë masive qytetarët, politikanët, gazetarët dhe të gjithë të tjerët.

Afera e përgjimeve, doli në opinion në shkurt të vitit 2015, kur lideri i atëhershëm i opozitares LSDM, Zoran Zaev, filloi të publikojë përgjime, kundër zyrtarëve shtetërorë, në të cilat dëgjoheshin duke biseduar për krime të ndryshme. Si pasojë e këtyre përgjimeve, në Maqedoni pasoi një periudhë e krizës politike, e cila rezultoi me Marrëveshjen e Përzhinës, gjegjësisht, sipas të njëjtës u parapa që të formohet Prokuroria  Speciale Publike, e cila do të merrej vetëm me materialet e përgjuara nga viti 2008 deri në vitin 2015, përcjellë Portalb.mk.

Bisedë telefonike nga përgjimet:

Portalb.mk, ka kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Brendshme që të na përgjigjen në këto pyetje:

  • Si është e mundur që të zgjidhet për kryetar të Komisionit për Reforma në DSK, kur ai në periudhën e kaluar ishte pjesë e DSK-së, e cila ka përgjuar në Maqedoni?
  • Emri i Siljanovskit përmendet në aferën me helmimin e nxënësve në Tetovë, në vitin 1996, por edhe në skandalin me arrestimin e Kali del Nasri në vitin 2004. A mendoni se mund të bëhen reformat në DSK me persona të vjetër, të cilët kanë prapavijë të dyshimtë?

Portalb.mk, ende pret përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Maqedonisë.

Ndryshe, Silajnovski karrierën e tij në MPB e ka filluar që nga vitit 1983 kur edhe ka diplomuar në Fakultetin  për Siguri në Shkup, ndërkaq ka kryer shumë funksione, duke nisur që nga inspektor, deri në ministër i Punëve të Brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP