Osmani: Pas përfundimit të zgjedhjeve Qeveria është plotësisht e përkushtuar në reformat

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikë së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me ministrin për Punë të Jashtme, Nikolla Dimitrov, filluan vizitën dyditore në Bruksel me mëngjesin e punës me ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku referuan për progresin e Republikës së Maqedonisë në procesin eurointegrues.

Zëvendëskryeministri Osmani fillimisht prezantoi rezultatet dhe arritjet në implementimin e pjesës 3 të Planit 3-6-9, i cili u kurorëzua me mbajtjen e zgjedhjeve fer, të lira dhe kredibile. “Fokusi i masave dhe aktiviteteve të pjesës së parë të Planit – pjesës tre, ishte krijimi i kushteve dhe mbajtja e zgjedhjeve të përkryera, gjë në çka kishim sukses dhe që u konfirmua nga ana e të gjitha organizatave të vendit dhe ndërkombëtare që i ndiqnin zgjedhjet”, theksoi Osmani.

Më tej, Osmani referoi edhe për përgatitjet edhe rreth pjesëve të tjera të Planit 3-6-9, ku potencoi fushat në të cilat janë të fokusuara pjesa më e madhe e reformave e të cilat janë: reformat në gjyqësor, ku, Osmani informoi se përmes një procedure transparente, me përfshirje të një numri të madh të ekspertëve nga vendi dhe ndërkombëtar, kah fundi është përgatitja e Strategjisë dhe Planit aksional për reforma; pastaj, reformat në shërbimet e inteligjencës, ku sipas rekomandimeve, por edhe sipas procesit të gjerë të konsultimeve, është zgjedhur modeli dhe reformat janë në fazë finale të miratimit për implementimin e tyre; pastaj reforma e administratës publike, në drejtim të depolitizimit dhe profesionalizimit, për çka Osmani informoi se, veç më është përgatitur draft versioni i Strategjisë dhe i Planit aksional; si dhe fushat e tjera siç janë lufta kundër korrupsionit, kushtet për punë të mediave, reformat në polici, në të cilat fusha Osmani informoi se ka progres në përgatitjen e Strategjive dhe Planeve aksionale të cilat së shpejti do të shpallen në publik dhe do të implementohen.  “Pas zgjedhjeve, Qeveria sërish në mënyrë agresive u është përkushtuar reformave dhe plotësimit të Planit 3-6-9, i cili, në vete përfshin të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e raporteve relevante dhe nga partnerët tanë ndërkombëtar, sepse qëllimi ynë është që pas implementimit të tij të mos vijojë pjesë e re 12 , por fillimi i negociatave” – theksoi Osmani në takim.

Osmani dhe Dimitrov referuan për progresin në mbylljen e çështjeve politike. Ata informuan për rrjedhën e procesit rreth ligjit për përdorim të gjuhëve, i cili pritet që së shpejti të votohet në Parlament, si dhe për progresin në marrëdhëniet me Greqinë të cilat po lëvizin në kahje pozitive.

Në kuadër të vizitës, në agjendën e Osmanit dhe Dimitrovit janë edhe takimet me Eurokomesarin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore Johanes Han, pastaj me Nënkryetaren dhe Përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Frederika Mogerini. Osmani do të ketë edhe fjalën e tij në Institutin Think-Tank, në Qendrën Evropiane për Politikë (EPC), “Plani 3-6-9: avancimi i mëtutjeshëm i procesit të integrimit të Maqedonisë në BE”, ndërsa në margjinat e vizitës do të realizojë takim edhe me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR, Genoveva Ruiz Kallavera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button