Barcelona hap thesin, gati të mposhtë konkurrencën e PSG-së

Katalanasit tashmë i kanë fiksuar 2 objektivat primarë, të cilët janë Philippe Coutino dhe Antoine Griezmann. Të dy futbollistët kanë një të përbashkët, që është vullneti i tyre për të ndryshuar ambient. Plani i katalanasve është i qartë, në janar do të fillojë sulmi për të transferuar në ‘Camp Nou’ Philippe Coutinhon, njofton Supersport.al.

Katalanasit pretendojnë se Liverpooli ka kërkuar 200 milionë euro për të lënë të lirë lojtarin, shifër kjo disi e ekzagjeruar, por pavarësisht kësaj situata nuk duket dhe aq e vështirë. Braziliani nuk ka më të njëjtin raport me teknikun Jurgen Klopp dhe ky i fundit gjithashtu nuk ka më besimin e dikurshëm tek sulmuesi. Barcelona pritet të ofrojë sërish të njëjtën shumë, 130 milionë euro, por këtë herë duhet të bëjë kujdes pasi në garë pritet të përfshihet dhe PSG-ja.

Nëse në janar do të kërkohet me çdo kusht transferimi i Coutinhos, në verë Barcelona do të kërkojë të kryejë dhe një tjetër super goditje në merkato. Bëhet fjalë për Antoine Griezmann, i cili duket se nuk dëshiron më të jetë pjesë e Atleticos së Madridit dhe në verë pritet që të kërkojë largimin.

Klauzola e Griezmann kap vlerën e 100 milionë eurove, por dhe për 26-vjeçarin situata nuk paraqitet edhe aq e thjeshtë. Manchester United, një kandidat i hershëm është në garë, ndërkohë që pritet t’i bashkohet dhe kësaj piste PSG-ja, në rast se nuk arrin dot te Coutinho.

Siç shihet, kemi të bëjmë me 2 emra me një kosto totale prej gati 230 milionë eurosh dhe me një rivalitet të lartë për të siguruar shërbimet e tyre. Si në rastin e Coutinhos, ashtu edhe në atë të Grizmann, rivali kryesor i katalanasve vijon të mbetet PSG-ja, që pasi i rrëmbeu Neymarin, nuk ka ndërmend t’i lerë të qetë as në objektivat e merkatos.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button