Estetika politike dhe maskat e reja  

Të gjithë jemi dëshmitar se po përballemi me vështirësi të shumta, me vuajtje e probleme të natyrave të ndryshme, të cilat e detyrojnë njeriun të largohet nga idealet e veta, nga dëshirat që ai mundohet t’i ëndërroj, apo t’i realizoje. Më e keqja qëndron në atë se, njeriu detyrohet ta ndërroj veprimin, qëndrimin dhe sjelljen kulturore, saqë na duket se lindi një karakter tjetër nga ai që ishte kohë më parë. Populli thotë se disa punë  të detyrojnë që edhe derrin ta përkëdhelësh. Do ta përkëdhelësh patjetër, ose duhet të vdesësh si idealist, pasi despotizmi udhëheqës të ndjek hap pas hapi dhe në çdo moment ka fuqinë absolute që të të trondite shpirtërisht, materialisht, pa edhe familjarisht.

Hajde po vuash dhe po vdesësh si idealist, por e keqja despotike nuk ndalet me kaq, pasi ajo edhe në burgje dhe në varr të ndjek pas. Ata për të mbijetuar si despot të përhershëm, edhe pas vdekjes të ngarkojnë me epitete të rrejshme duke të quajtur i paaftë, apo edhe tradhtar. Ndodh që në mes të ditës të të ndezin zjarre, kurse në mes të natës të të hapin vare. Kjo nuk duhet të shpjegohet me argumente të veçanta, pasi ajo duket qartë në të gjitha rrethet tona shoqërore. Këtë e dëshmojnë qartë tri dekadat e fundit, ku njeriu ynë e ndryshoi vetveten, sjelljen, pa edhe karakterin edhe pse nëpër libra e doracak të ndryshëm thuhet se karakteri i njeriut nuk ndryshon. Ndryshon. Si nuk ndryshon?!

Jo rastësisht gjatë historisë njerëzore lindën maskat, që nënkuptohet se njeriu ka dashur që ta mbuloje fytyrën e tij të vërtetë. Pra, ndryshon, si nuk ndryshon, kur dihet se të gjithë të zgjedhurit në pushtet emërohen në emër të popullit, pastaj, shumica prej tyre veprojnë në kundërshtim me interesat e popullit dhe jo rrallëherë edhe e tradhtojnë atë. Ky lloj njeriu, për të arritur deri te një vend i pushtetit, nuk vrapon me vlera njerëzore, humane e shkencore, por bëhet servil i paparë para liderit të tij, para familjarëve të tij, herë-herë edhe para rojeve të tij. Kësisoj, me ardhjen në pushtet të këtij lloj njeriut, lindën një despot i ri, lindën një brengë dhe një hall më shumë për shoqërinë, kështu që populli ynë brenda këtyre dekadave u mbush me despot të kësaj natyre, të cilët i kanë hipur popullit mbi qafë dhe nuk e lejojnë të marre frymë. Ata i sollën vuajtje, skamje, revoltë, sëmundje nga më të ndryshmet. Më e keqja, e detyruan rininë shqiptare që me miliona të migrojnë e të arratisen nëpër botë, pasi nga despotizmi shtetëror nuk kanë shpëtim dhe kësisoj u mohohet qëndrimi në atdhe.

Edhe sot e kësaj dite i shohim njerëzit e politikave me plotë maska, të cilët haptas gënjejnë me popullin. Ata vazhdimisht pajisen me maska të reja. Edhe në sh. XXI premtojnë asfalt, kanalizime, stërvitjen e qenve që t’i sigurojnë lagjet e qytetit që të mos afrohen qentë e tjerë, depot e mbeturinave e të tjera të ngjashme. Ruana Zot, kushedi edhe sa shekuj na duhen për t’u mbrojtur nga era e keqe e mbeturinave dhe  nga qentë endacak. Pse ndodh kjo te ne?!. Ndoshta vet këta njerëz janë “ qentë endacak” të mbetur nga mbeturinat e shekullit të kaluar. Si për ironi të fatit tonë,  ende nuk jemi në gjendje t’i dallojmë maskat, pasi ata të sotmet janë të mbështjella me ngjyra moderne, me ngjyrat e shekullit të ri. Këta maska me ngjyra i quajnë “ liri e demokraci”. Ndoshta kjo është mburoja më e mirë për të vazhduar agoninë e shekullit të kaluar komunist. Ndoshta këto maska janë simbolika e rrenave të shekullit të ri. Më e keqja e këtyre rrenave qëndron te një “supermaskë“, ku fshihet frika për të qenë ballë për ballë me të vërtetën dhe duke i ndezur fitilat e ligjeve dhe ndjenjën e frikës. Ah, kjo është maska e “djallit”.

Sot, në çaste të caktuara,  bota maskat i përdorën përpjesëtimisht për argëtim, kurse kjo botë e mjerë e jona, maskat i përdorë për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, që simbolizojnë hipokrizinë e grupeve të caktuara, që janë të lidhura me pushtetin dhe me jetën e tyre të rrejshme shoqërore.  Kësisoj krijohen edhe udhëheqësit despotik.

Maskat kanë filozofinë e tyre. Edhe pse maska si maskë paraqet një figurë komike, por ajo përbrenda saj paraqet një simbolikë më të gjerë. Sipas studiuesve të ndryshëm, dëshmohet se edhe një maskë mund të prodhojë filozofi, për të cilën më meritorë është esteti B. Kroçe. Pra, edhe ne, jo rastësisht u morëm në këtë shkrim, që i dedikohet figurës komike të maskës, të cilat në pamje të parë duken të vogla, por shpeshherë në brendinë e tyre bartin edhe ide të mëdha. Themi ide të mëdha, sepse, nëse për botën maskat paraqesin figurë komike, për ne në Ballkan, maskat paraqesin tragjedinë shoqërore, nga të cilat na vjen e keqja dhe mjerimi shoqëror.

Ne të “gjithë” japim mendime nga shumë fusha të jetës shoqërore, por, siç duket, ato s’kanë ndikim të duhur në përmirësimin e gjendjes sonë shoqërore. Sipas B. Kroçes, mendimet nuk janë disiplina akademike, por ato duhet të luajnë rolin e tyre në rrugëtimin pozitiv të jetës shoqërore. Filozofinë e jetës e përcakton praktika jetësore dhe pse ne, si për çudi, nuk mësojmë nga praktikat e hidhura të jetës sonë?! Pse kemi droje t’i rrekemi më thellësisht katrahurës sonë jetësore e kombëtare, që na përcjellë një shekull të tërë. Pse?! Pse, kur dihet qartë se Asnjë sistem filozofik s’është përfundimtar, pasi edhe jeta asnjëherë nuk është përfundimtare. Pse nuk e kërkojmë hapur një sistem filozofik të ri jetësor e kombëtar, veçmas këtu te ne, me qëllim që të zgjidhen  problemet e mbetura peng nga historia e rrejshme ballkanike dhe të përgatiten  kushtet për pozicionim të një sistemi të ri dhe me vlera të mirëfillta demokratike.   

Këto maska politike të shekullit të ri, në mjediset tona kanë krijuar klimë idiotësie edhe për maskat fetare. Kanë filluar të përhapen sekte të ndryshme, të cilat e mohojnë fenë  e të parëve tonë, që secili sekt e lavdëron Zotin e grupit të vet më shumë se zotat e grupeve tjera. Bile ka filluar edhe hasmëria ndër njerëzore se cili sekt duhet të jetë më i privilegjuar. Ruana Zot nga këta që “pjellin” zotat e tyre, të cilët , fenë e tyre i lidhin me mjekrat, me pantallonat  e shkurtra apo të gjata, me hirama të bardhë apo me të zi e të gjelbër… Ruana zot, sa e tmerrshme, deri ku kanë depërtuar maskat. Aq keq ua kanë shpërlarë trurin, saqë  liderin e sektit të tyre e llogaritin zot, pasi janë të bindur se ai i cakton vendet në parajsë…O Zot i madhërishëm, ata janë njerëzit tanë,  shpëtoi ata nga absurditeti i tyre dhe tregoju se vetëm një zot ka në këtë galaktikë.

Si përfundim, ka ardhur koha që të hiqen maskat, t’u lihen maskat lojërave komike, larg jetës sonë reale,  le t’u mbeten “muzeve të shëmtisë”… të dukemi ashtu siç jemi, të mbështetemi në gjykimin real estetik dhe duke i larguar maskat, veçmas ato politike, që për kohën tonë duken tejet të shëmtuara dhe kësisoj  të zgjojmë problemin e intuitës estetike në mbarë botën shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button