Edicioni i parë i Festivalit “Othello”, dëshmi e nevojës së gostivarasve për të pasur teatër (VIDEO)

Nga pesë ditë sa do të zgjasë edicioni i parë i Festivalit Teatror “Othello”, publiku artdashës i Gostivarit, me praninë e madhe gjatë tre netëve të para, shprehu kërkesën se: “Duam teatër në Gostivar”. Kështu vlerësojnë organizatori Berat Saliu, Argjend Hasani dhe pjesëtari i jurisë, Sulejman Rushiti, njofton Portalb.mk.

Dje në kuadër të natës së tretë të Festivalit Teatror “Othello” në Gostivar u prezantua Teatri Shqiptar Shkup me shfaqjen “Darka e thërrimeve” autor i së cilës është Refet Abazi në regji të Qëndrim Rijanit.

Vargjet e përpëlitjes apo luftës mes jetës dhe vdekjes, e gjetjes së të vërtetës dhe çelësit për të arritur deri te lumturia dhe e të kuptuarit të asaj se a është dashuria apo urrejtja ato të cilat na bënë të humbim raportin me kohën që na është dhënë si dhuratë për të jetuar, ishin disa nga dilemat që u vënë në skenën e “Othellos” nga aktorët Luran Ahmeti dhe Armenis Nokshiqi, shfaqje kjo që la shumë artdashës jashtë Qendrës Kulturore në Gostivar.

Në lidhje me këtë mbrëmje, organizatori i Festivalit “Othello”, Berat Saliu vlerësoi se prania e madhe e publikut është nevojë dhe betejë për teatër në Gostivar. Ai u kërkoi falje të gjithë artdashësve që qëndruan jashtë.

“I dashur publik, të dashur artdashës, kjo është nevoja dhe beteja jone për teatër në Gostivar, në natën e tretë të Festivalit, nga miqtë bëmë “armiq” pasi salla ishte e stërmbushur dhe unë vërtet kërkoj ndjesë, por kjo është etja jonë për teatër. Do të insistojmë dhe s’do ndalemi kurrë për një teatër në Gostivar. Sinqerisht ju kërkoj ndjesë gjithë atyre artdashësve që mbetën jashtë”, tha Saliu.

Interesim i madh për Festivalin “Othello” u pa edhe gjatë netëve të tjera, ndërkaq për këtë rast regjisori Sulejman Rushiti tha se prania e gostivarasve gjatë këtyre ditëve është nevojë civilizuese.

“Për dy net rresht, gostivarasit me prezencën e tyre në Festivalin Othello dhe me energjinë e kulturën me të cilën i përcjellin shfaqjet, dëshmojnë se themelimi i Teatrit në Gostivar, nuk është dëshirë personale e artistëve por nevojë civilizuese e qytetarëve të mrekullueshëm që na nderojnë në sy të mysafirëve që performojnë. Jam i sigurt se edhe tri netët në vazhdim do t’i përcjellin me po të njëjtin entuziazëm”, tha regjisori Sulejman Rushiti pas natës së dytë të Festivalit Othello.

Ndërkaq, organizatori tjetër i Festivalit “Othello”, Argjend Hasani falënderoi spektatorin për interesimin e madh gjatë këtyre ditëve.

“Faleminderit spektatorit të Gostivarit që vazhdon në mënyrë masovike të ndjek Festivalin Othello”, tha Hasani.

Përndryshe, gjatë natës së dytë të Festivalit, ku në Qendrën për Kulturë në Gostivar u shfaq drama “Psikozë n’4: 48” e autores Sarah Kane, me regji të Fatos Berishës dhe që në skenë e sollën aktorët e Teatrit “Adriana Abdullahu” të Ferizajit.

Në shfaqjen “Psikozë n’4:48” luajnë aktorët Mevlan Saraçi, Edona Berisha, Ekrem Jakupi, Jajush Ramadani, Ali Krasniqi, Sherif Bega, Arben Marevci dhe Milot Salihu. Asistent regjie Kushtrim Asllani, kostumet Aida Behluli, përzgjedhja muzikore Lekë, ndriçimi Hajrullah Elezi, përkthimi Lekë Berisha. Teksti është shkruar në kohën kur Sarah Kane vuante nga depresioni i rëndë, siç e përshkruan miku dhe kolegu i saj David Greig. Si e tillë kjo dramë trajton temën e “mendjes psikotike”.

“Kjo dramë është e njohur si vepra më e fragmentuar e autores Kane, ku nuk ka as tregim e as personazhe, si dhe pa indikacione se sa aktorë duhet të luajnë në shfaqje”, shprehet regjisori Fatos Berisha.

Siparin e Festivalit e hapi Shqipëria me Teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” me shfaqjen “Një jetë me ty” në regji të Erion Kame.

Shfaqja tregoi se ai dhe ajo janë një çift i ri i sapomartuar. Në një formë të re rrëfimi skenik, ata tregojnë historinë e tyre. Por ata tregojnë ndryshe nga njëri tjetri dhe kjo i jepte nota komike tërë shfaqjes. Situata e tyre komplikohej kur në lojë hyrën vajza e fotokopjes. Gruaja e interpretonte krejt ndryshe i shoqi, ku sipas saj kjo vajzë prishte marrëdhënien e tyre. Pas një ngatërrese të madhe në skenë, lidhja e tyre mori fund.

Ndryshe, Festivali ka karakter garues, ndërsa juria profesionale përbëhet nga Sulejman Rushiti, Ismet Ramadani dhe Muzafer Etemi.

Sot, më 12 nëntor shfaqet “Copё copё” nё regji tё Zana Hoxha Krasniqit e Teatrit Art-Polis të Prishtinës. Kurse në natën e pestë dhe të fundit, më 13 nëntor, nesër shfaqet Teatri i Kumanovës me shfaqjen “Mësimi” në regji të Ilirijan Himajt.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button