Thellësia e pashoqe poetike e Lasgush Poradecit

Eqrem Çabej thotë: “Ç’e dallon nga të parët, është thellësia…Është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet; në qoftë se kjo nuk është vënë re gjer tani, shkaku është se më të shumët nuk e kuptojnë poezinë e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë herë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mund të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta.

Dhe po të këndohet Lasgushi me dashurinë do të vërtetohet thellësia e tij e pashoqe, në mos sot, nga brezat që do vijnë” Që do të kuptojmë se Lasgush Poradeci nënshtrimin e plotë ndaj artit poetik e ka sendërtuar vetëm nëpër rrugëtimin e thellësisë, gjerësisë dhe lartësisë poetike. Mirëpo, për të arrirë në këtë përvojë dhe pjekuri poetike ai u përmbahet disa rregullave themelore, sepse asgjë nuk del në pah qetësisht dhe rastësisht, ashtu si nuk bëhet shkencë pa mos lexuar, udhēpërshkrues pa mos udhëtuar, nuk mund të bëhesh poet pa asnjë përpjekje, lodhje dhe përkushtim. Por me kusht që të jenë të kontrolluara edhe me arsye.

Kjo arsye, te Lasgushi është përdorur jo vetëm gjatë krijimit të poezisë, por edhe pas krijimit të poezisë, për shkak të ndërtimit të trajtës apo formës artistike; kjo argumentohet tek variantet e poezive të tij. Lasgush Poradeci, varēsisht prej llojit të krijimit dhe karakterit të tyre, këtë rrugë poetike e sendërton në disa mënyra e këto janë: -Me lexim të pandërprerë, këta poetë që e ndjekin këtë mënyrë dhe princip kanë rrugën e krijimit më të gjatë; -Me orvatje të tepërt për të bërë përvojë shpirtërore poetike, kjo është përpjekje e poetëve për të transformuar materialin bruto në poezi të bukur estetike; -Rruga e shtrirjes poetike, përkushtimit poetik, dhe e frymëzimit poetik. Poetët që ecin në këtë rrugë poetike janë të okupuar me pastrimin dhe ngritjen e nivelit poetik në shkallë më të lartë; -Largimi prej çdo gjëje, përveç poezisë;

-Largimi prej kësaj bote shoqërore dhe të jetuarit në botën artistike, murgëria apo asketizmi poetik; -Largimi prej shoqërisë, sistemit politik, social, ekonomik dhe të afruarit me botën e çuditshme dhe të mahnitshme poetike; -Refuzimi i të gjitha dëshirave, lakmive, pos poezisë; -Mënjanimi i çdo pengese për të shkuar në rrugën poetike. Siç shihet sipas këtyre pikave, vërehet se Lasgush Poradeci është më afër, prandaj dallon shumë nga poetët e tjerë sepse dashuria ndaj poezisë, flijimit dhe ndaj principeve poetike janë cilësi, vlera vetëm të poetëve të rrallë. Së pari herë duhet ta dashurojmë poezinë, kushti i dytë është se dashuria kërkon flijime dhe principe të rrepta poetike; ndaj vetëm me këto kushte poezia do të ketë vlerë dhe cilësi estetike.

Pajtohemi me thënien e Lui Aragonit që thotë se: “çdo shkrimtar ka një ideal artistik, që, pavarësisht nga forma me të cilën paraqitet, në thelb aspiron ëndrrën, pafundësinë. Të shkruash nuk është një profesion, por një sakrificë e mundimshme, Ai që shkruan, ashtu si dhe ai që dashuron, nuk mund të jetë kurrë i lumtur” Poetët që nuk i kultivojnë të gjitha këto principe dhe flijime poetike nuk mund të konsiderohen si dashamirë të fjalës së shkruar, nuk mund të konsiderohen poetë, sepse poezinë e konsiderojnë si kurrgjë, si humbje kohe. Për Lasgush Poradecin poezia është “ligj hyjnor i përcaktuar nga Zoti”, që i dedikohet njeriut, gjegjësisht, shpirtit dhe arsyes njerëzore për të motivuar atë për fjalë të bukura, për mendime të bukura, për dashuri të bukur dhe për të menduar mirë e pozitive.

Për poetin poezia është burim i pashtershëm shpirtëror (kroj i fashatit të vet), në të cilët vijnë pinë ujin poetik lexuesit e etur dhe të varfër shpirtrisht, prandaj poezia e këtij poeti është e pranuar jo vetëm nga studiuesit, kritika letrare, por është e pranuar dhe nga vet poezia.
(vazhdim)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button