Prirjet lokaliste!

Në vargonin e pashkëputshëm të mendimeve dhe veprimeve tona që bartin premisa negative, ekziston edhe një prirje jonë, e cila duket se ditë e më tepër dukshëm po fuqizohet me gjithë fatalitetin dëmprurës të saj. Prirjet, qëndrimet dhe ndjenjat lokaliste të një njeriu apo grup njerëzish të caktuar, janë reflektimet e një shpirtngushtësie për të priveligjuar një hapsirë të ngushtë rajonale e farefisnore të një mjedisi të caktuar. Këto prirje, mjerisht po e përcjellin njeriun e ditëve tona thuaje në çdo sferë të jetës shoqërore dhe politike. Kjo marëzi duket sheshit, ku afrimet dhe rekrutimet likaliste janë vërsulur sikur atavizma të shpërndarë gati në secilën veprimtari publike.

Mësojm se termi lokalizëm vjen nga gjuha latine dhe do të thotë: Vend. Në kuptimin e përgjithshëm lokalizmi është përqendrimi në nivel lokal, në një krahinë apo rreth të caktuar. Ndërsa, në kuptimin socio-gjeografik termin lokalizëm e përdorim në kontekst për t’iu referuar njësisë territoriale më të vogël përballë rangut më të lartë. Veprimet lokaliste janë qëndrimet e ngushta të prezentuara në nivel të gjërë, në tërësinë e përgjithshme kombëtare, kulturore, arsimore e politike.

Prirjet lokaliste për t’u mbyllur vetëm brenda rrethit të krahinës apo rajonit, prej nga ndodhet edhe vendlindja jonë, është pasqyra më e dukshme e veseve dhe ceneve tona. Kultura jonë kombëtare ende nuk ka arritur të lirohet nga feudet e vockla të bërjes së jetës nëpër rrethe, klane e farefisni. Si duket ende nuk po mundemi të lirohemi nga getoja e rrethit, trupëzimi nga idetë dhe njerëzit e afërt. Sikur nuk po mundemi e nuk po duam të përkrahim para se gjithash kriterin e të merrituarit para atij fisnor e gjeografik.

Lokalizmi është mjerim ynë provincial, nga i cili ende nuk po mundena të lirohemi, është ndarja më banale dhe më e pakuptimtë që mund t’ia bëjmë vetvetes. Krijimi i psikozave të tilla fataliste, të cilat janë të mbartura nga kryeneçësia jonë se punët madhore në shoqëri duhet t’i qeverisim me rrethin dhe fisin, janë dukuri që cenojnë dhe margjinalizojnë synimet tona të përbashkëta kombëtare.

Prirje lokaliste dhe vetë ndarje të tilla sot kemi thuajse se në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe politike. Kemi edhe nëpër fushat tona sportive, ku sjelljet jokorrekte shpesh nxiten nga sindrome të tilla. Po ashtu edhe në përditshmërinë tonë politike jo radhë ndodh që një njeri, i cili është shquar si kuadër brilant ose profesionist i një lëmie ta menjanojmë nga udhëheqja e ngushtë apo e gjërë me të vetmen arsye se ai nuk i takon klanit të fuqishëm, kështu si i tillë kuptohet se prish estetikën e klanit lokalist që ne dijmë ta ngrisim aq bukur në zenit.

Nëpër këto dëlire të ngërthyera me kontradikta të zbehta e tej mase anomalie, psikologjia jonë e ndarjeve vërshon pamëshirshëm edhe mbi kauzën kombëtare. Mendjet e cunguara shpesh dinë të bëjnë edhe ndarje lokaliste të festave, të heronjve, dëshmorëve dhe atyre që u flijuan për çështjen kombëtare. Në këtë drejtim një gjë nuk duhet ngatëruar se dëshmorët e kombit nuk u flijuan për rajone, lokalitete e mbrojtje të mëhallave të tyre. Madhështia dhe vepra e tyre shkëlqen njëtrajtshëm në çdo skaj të atdheut. Heroizmat dhe veprat e tyre lapidare nuk i takojnë vetëm familjes, fisit apo lokalitetit të tij, por i gjithë shoqërisë dhe kombit.

Edhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni nuk qëndrojnë mbrapa kësaj dukurie negative dhe baltosje. Po kështu edhe ata kanë thelluar ndarjet e refuzimet nga katalogu i proçkave lokaliste. Interesat e ngushta të veshura me imitime politike kanë bërë që sot në vend të një unifikimi të domësdoshëm të kemi grupime politike lokaliste, nepotike, demagogjike, fetare e vëlla-refuzuese deri në skajshmëri dhe fatkeqësi të copëtimit të identitetit kombëtar shqiptar. Mëtimi i disa pseudo intelektualëve për të ndjekur një kauzë multi-kulturore e universale bart me vete një konformizëm të mjerueshëm.

Këto profilizime të ngushta dhe lokaliste kanë gjeneruar ndarje dhe kriza të një sistemi politik të mbërthyer në korrupsion, në ndarje sociale, intelektuale e politike. Si pasoj e gjithë kësaj sot kemi ndarje të shumëanshme. Manifestime të shfaqjeve lokaliste me përplot deficite morale. Kemi përzgjedhje, emërime, punësime e promovime të bazuara kryesisht në interesin personal, familjar e  rajonal. Kemi mjerimin tonë të rrënjosur nga i cili nuk po mundemi të lirohemi, madje ai si një karikaturë vampiri i kohëve të kaluara po shfaqet në vetëdijon tonë lokaliste.

Shikuar historikisht askush më tepër se ne shqiptarët nuk ka bartur mbi supe politikat e ndarjeve, copëtimeve dhe padrejtësive historike, që na janë bërë dhe ende nuk pushojnë të na bëhen. Armiqtë tanë ende ndjellin kobe me sloganet Lindje-Perendim, Veri-Jug. E mesme, e madhe e vogël, qytetare-fshatare, krishtere, muslimane…

Këto ndarje e copëzime duhet që ti vetëdisojnë shqiptarët që sot të jenë të bashkuar si kurë më parë. Hapësira jonë kombëtare është një pikë e vogël në glob, por është shumë e madhe për ata që kanë sy ta shohin e shpirtë ta ndjejnë. Vendëlindjet tona të secilit nga ne janë gjymtyrët e kësaj hapësire. Janë heroizmi, dhembja dhe himnizimi i përbashkët.

Ndarjet e tilla që sot po i bëjmë në forma, mënyra, mendime e ndjenja të ndryshme janë vetëdija jonë e ulët lokaliste dhe jo gatishmëria jonë për ta ndjerë bashkimin shpirtëror e madje edhe atë kombëtar. Duhet të çlirohemi njëher e përgjithmon nga ndjenjat se rajoni im, vendlindja apo mëhalla ime është më e shquar për trimëri, mençuri, atdhetarizëm, prirje për udhëheqje e madje edhe deri tek ajo se nahija jonë ka sportist më të mirë se të tjerët.

Shqiptarët duhet njëherë e përgjithmon të çlirohen nga mentaliteti lokalist i dominimeve dhe epërsive mbi të tjerët. Marrja me imtësira të tilla të dëmshme ngushton horizontet tona për të parë më larg se nahija apo kazaja ku jetojmë. Andaj nuk e shikojmë njëri-tjetrin me sy vëllazëror, shfrenohemi në urrejtje vëllazërore e lokaliste, siç po na ndodh nëpër shumë raste qofshin ato sportive, kulturore, politike apo edhe fare njerëzore. Njeriu lokalist ka vizion të cunguar për ta parë tërësinë shoqërore dhe kombëtare si njësh. Ai dëshiron vetëm më të afërmit e tij që rrethohet gjeografisht të fillojë e të mbaroj gjithçka. Njeriu me ndjenja lokaliste mendon se rrethi i tijë është qendra që duhet të sillen të gjitha ngjarjet, heroizmat dhe të gjitha mrekullitë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button