Këmbët e shkurtëra të rrenës

Nuk është hera e parë që shkruaj për mohimet që na i kanë bërë të tjerët dhe për paaftësinë tonë për t’ua dëshmuar të kundërtën të keqinformuarve, të cilët, në mungesë të argumenteve ndryshe, na njohin më shumë për iletesh se sa për virtytesh.

Nuk do mend se mohimi i qenësisë sonë brenda gjeografisë etnike është nxitur nga politikat antishqiptare dhe është propaganduar nga borizanët e saj të dëgjueshëm – mercenarët e kulturës, shkrimit dhe medieve, të shndërruar në masha pushtetare.

Fatmirësisht, si gjithë gënjeshtrave, edhe atyre që vollën katran kundrejt nesh, ka nisur t’u dalë boja, më shumë falë dëshmive të vetë mashtruesve, të cilëve nuk ua ka prerë radakja se shqiptarët do të mbijetojnë dhëmbëzorët e makinerive gërryese të armiqve; se një ditë edhe ata do t’i lexojnë elaboratet gjenocidiste të fqinjëve, që kastraby..ën gjithandej imazhin e shqiptarit me bisht majmuni.

Për habi, përgënjeshtrimin e të pavërtetave në fjalë, e kanë bërë para nesh të tjerët, si puna e  studiuesit bullgar P. Çilev, i cili sjell një të vërtetë krejt ndryshe prej “të vërtetës” së pseudohistorianëve serbë e grekë.

Në shkrimin e tij: Vizitë fshatrave shqiptare të Prishtinës, Prizrenit, Dibrës dhe Ohrit” (1916), të publikuar pas vizitës së fshatrave të qyteteve të përmendur që në titull, Çilev thotë se shumicën e popullatës së fshatrave të Prishtinës, Prizrenit, Dibrës… e përbënin shqiptarët e fisit të gegëve, kurse në fshatrat e Ohrit ata të fisit të toskëve; se Ferizova (Ferizaj) dhe Prizreni populloheshin kryesisht prej shqiptarëve katolokë e muslimanë, kurse Reka e Epërme e Dibrës dhe Pogradeci me shqiptarë ortodoksë; se gjithë ata e quajnë veten shqiptarë, të njohur prej të tjerëve si albanë, albanezë, arnautë, arbanas…; se, sipas disa të dhënave, emri shqiptar rrjedh prej fjalës shqipe shqiponjë; se me emrin alban romakët i quanin ilirët e njohur për rrobat e tyre të bardha; se gegët e Prizrenit, Prishtinës, Dibrës…, vendine  tyre e quajnë Shqipëni, kurse toskët e Ohrit Shqipëri; se, edhe gegët edhe toskët, bullgarin e quajnë shka (skja); se edhe Shkupi është i rrethuar me fshatra shqiptare; se në vendbanimet malore shqiptarët jetojnë që nga kohëtar e lashta; se, kur erdhen turqit për së pari herë në Kosovë dhe kur duhej të kalojnë patjetër nëpër Grykën e Kaçanikut, u detyruan t’u paguajnë malësorëve shqiptarë nga një grosh për çdo ushtar; se në Kosovë kanë qenë një dajm zotër shqiptarët, gjë që rrëfehej prej pleqve dhe shkruhej në mediet e kohës së studiuesit…; se shqiptarët e kanë konsideruar prore vetveten autoktonë në këto troje; se ata nuk ishin të përkëdhelurit e turqëve, sepse vetëm atyre u ndalojhej gjuha dhe shkollat shqipe; se në viset shqiptare ishte i paktë në numër elementi i ardhur nga Azia e Vogël; se, me kalimin e kohës, turqit megjithatë nisën t’i bëjnë shqiptarët për vete; se dhjetra shqiptarë katolikë të ardhur nga Prizreni në Janjëvë (fshat afër Prishtinës) u otomanizuan, kurse pjesa tjetër nisi ta konsiderojë veten si katolikë serbë, edhe pse e flisnin gjuhën shqipe, visheshin shqiptarçe, frekuantonin kishat katolike dhe mesonin në shkolla bashkë me kroatët etj., etj.

Sipas Çilevit kishte shumë raste kur, në vendbanimet me shumicë shqiptare, edhe bullgarët visheshin njësoj si ata. Këtë ai e ilustron me shembullin e bullgarëve të Manastirit…

Studiuesi bullgar sjell edhe shumë të dhëna të tjera që, për shkaqe objektive, nuk mund të zënë vend në këtë shkrim… Megjithatë, po përmend këtu vetëm të dhënat interesante për kriptokatolikët e shumtë shqiptarë, që i festonin fshehurazi festat e krishtera; për popullatën e vogël të arumunëve, që, njësoj si bullgarët, visheshin me rroba shqiptare; për popullatën shqiptare të Dufit dhe të 20 fshatrave të Rekës së Epërme; për torbeshët që, çuditërisht, vazhdojnë të këndojë e të vajtojnë në gjuhën shqipe…; për mënyrën e korruptimit të popullatës shqiptarë nga pushtuesit e huaj, për ndërsimin e tyre kudrejt njëri-tjetrit; për respektimin e ligjeve kanunore; për përbërjen etnike të shumë qyteteve dhe fshatrave të Kosovës dhe Maqedonisë së sotme e kështu me radhë.

Janë këto të dhëna, që përgënjeshtrojnë katërcipërisht mashtrimet e armiqve tanë,  përkatësisht që ripohojnë të vërtetat e vonuara pak si gjatë…

A s’është ky një shkas + për të punuar pak më shumë se ç’e kemi zakon dhe për të lënë mënjanë vajin me të famshmen: na e bën tjetri?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button