Turqia zgjidhet anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s

Turqia u zgjodh të mërkurën si anëtare e Bordit Ekzekutiv të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), përcjell Koha.net.

Gjithsej 134 vende votuan për Turqinë që të bashkohej me Bordin Ekzekutiv për periudhën 2017-2021. Votimi u zhvillua në sesionin e 39-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, në Paris.

Turqia fitoi kështu shansin për të monitoruar nga afër dhe për të kontribuuar direkt në politikat për fushën e arsimit, shkencës, komunikimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe natyrore.

Ministri turk i Arsimit Kombëtar, Ismet Yilmaz, paraqiti javën e kaluar kërkesën e Turqisë dhe tha se vendi i tij “beson fuqimisht në misionin e kësaj organizate për të ndërtuar paqe në mendjen e burrave dhe grave”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë foli me lëvdata për këtë lajm përmes një komunikate me shkrim.

“Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në punën e UNESCO-s si anëtare e Bordit Ekzekutiv prej tani e tutje duke besuar fuqishëm në idealet e UNESCO-s”, thuhet në komunikatën e MPJ turke, që shton se “ky rezultat ishte arritur me mbështetjen e çmuar të Ministrisë turke të Turizmit dhe Kulturës, si dhe të Ministrisë turke të Arsimit Kombëtar”.

Ndërsa ministri turk për Çështjet e BE-së dhe negociatori kryesor i Ankarasë me Brukselin, Omer Çelik, zgjedhjen e Turqisë në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s, ku përfshihen 58 nga gjithsej 195 vende anëtare, e vlerësoi nga llogaria e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”.

Omer Çelik theksoi se vendi i tij është pro fuqizimit të UNESCO-s si një organizatë që kontribuon për paqen duke garantuar se Turqia do të gjenerojë energji të mëdha për këtë mision.

“Ky është imazhi i vërtetë i Turqisë, vend që propagandat e zeza të shumanshme s’kanë arritur dot ta errësojnë. Kjo është një përgjigje e qartë për të gjitha propagandat e zeza”, komentoi ministri për Çështjet e Bashkimit Evropian duke nënvizuar se Turqia është “një vlerë politike e domosdoshme” kur bëhet fjalë për t’u dalë zot paqes botërore, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe vlerave humane.

“Grabitja e trashëgimisë kulturore është aktivitet për fshirjen e kujtesës së njerëzimit. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, UNESCO-ja është bërë edhe më e rëndësishme. Misioni i ri i Turqisë është jashtëzakonisht i çmuar për mbrojtjen e paqes botërore dhe trashëgimisë njerëzore, si dhe për ndërtimin e së ardhmes mbi vlera”, shkruan Çelik në “Twitter”.

Më parë, Turqia ka qenë anëtare e Bordit Ekzekutiv për 27 vite në total, me mandatin e fundit që përfundoi në vitin 2005.

Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përbëhet nga 58 vende anëtare, që zgjidhen për një mandat katërvjeçar, gjatë të cilit ato diskutojnë dhe negociojnë vendimet kyçe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button