Maqedoni, të hysh në parti për përfitime personale duke shkelur mbi interesin e përgjithshëm

Sikur partitë politike në Maqedoni të mos funksionojnë si mekanizma për plotësimin e interesave partiake, gjegjësisht të disa personave që kanë përvetësuar partinë, ata do të kishin sukses më të madh elektoral dhe do të jenë më të dobishme për shumicën e qytetarëve e jo vetëm për klanet partiake. Është koha e fundit që partitë ta lënë me një anë interesin e ngushtë partiak dhe të vihen në shërbim të interesit të përgjithshëm, në fokus të kenë qytetarët sepse në fund të fundit,  kjo është esenca e ekzistimit të partive politike, kështu vlerësojnë ekspertët e fushës për Portalb.mk.

Në Maqedoni kohëve të fundit është hapur debati në lidhje me atë se cilave qëllime duhet tu shërbejë politika, interesit të përgjithshëm apo atij partiak. Ky debat kryesisht është iniciuar pas qasjes që kanë pasur ndaj kësaj problematike, liderët kryesorë në vend.

Politika është vetëm interes apo është diçka më shumë se kaq?

Ali Ahmeti
Ali Ahmeti

Liderin e partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni së fundmi e kemi dëgjuar të mbrojë fuqishëm tezën se “politika është thjeshtë interes”.
Kreu i BDI-së, duke folur për koalicionin para-zgjedhor me LSDM-në, i cili u kritikua nga oponentët, deklaroi se “politika është interes  dhe ne jemi të zgjedhur për të mbrojtur interesat e komunitetit që e përfaqësojmë. Kur kemi qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, keq apo mirë si do që të ketë qenë, unë kam respektuar rregullat, ndërsa tani jemi në koalicion me LSDM-në dhe me këtë parti tani kemi ndihmë reciproke”, u shpreh ai.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

Nga ana tjetër, kemi partnerin e koalicionit të Ali Ahmetit, kryeministrin Zoran Zaev i cili në qëndrimet e tij publike thotë se politika është më tepër se sa interes i thjeshtë. Ai është shprehur se detyra e politikës është të mundësojë jetë më të mirë për qytetarët.

“Do të ketë jetë në të gjitha komunat e Maqedonisë” ishte së fundmi slogani i partisë së udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev në zgjedhjet lokale të tetorit, i paraprirë nga sllogani i zgjedhjeve të kaluara parlamentare ku Zaev dhe LSDM garuan nën moton “do të ketë jetë në Maqedoni”.

Në spektrin politik shqiptarë kemi “Aleancën për Shqiptarët” dhe lëvizjen BESA të cilët thonë se politika duhet të vihet në shërbim të interesit të qytetarëve. Këta parti ndërmjet vete lidhën koalicion në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale duke vendosur që ta mbështesin njëra-tjetrën në këtë garë, mirëpo edhe ky koalicion nga një pjesë e opinionit u kritikua si “koalicion interesi”.

Nga lëvizja BESA dhe “Aleanca për Shqiptarët” përgjigjen se koalicioni “Aleanca me Besë” është vullnet i qytetarëve dhe nuk bëhet fjalë assesi për “koalicion interesi”.

Ziadin Sela
Ziadin Sela

“Koalicioni i cili u bë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ishte vullnet i qytetarëve, ato vendosën me votë. “, tha këtë të enjte në emisionin “Rruga Drejt” në Alsat-m, kryetari i “Aleancës për Shqiptarët”, Ziadin Sela.

 

Te partitë politike në Maqedoni dominojnë struktura organizative të tipit feudal, me liderë lokal që shpërblehen proporcionalisht me numrin e votave që dërgojnë në parti

Sefer Selimi
Sefer Selimi

Sefer Selimi nga instituti “Democracy Lab” për Portalb.mk, shprehet se tranzicioni politik ndërmjet dy sistemeve, krijoi parti politike të cilat në vend të interesit të përgjithshëm shoqëror u shndërruan në mekanizma për plotësimin e interesave partiake, gjegjësisht të personave të cilën kanë kapur partitë politike.

“Aq më shumë, klientelizmi i skajshëm politik i cili po dominon sistemin e brishtë demokratik në Maqedoni, mundëson që partitë politike të blejnë pushtetin përmes shërbimeve të vogla kundrejt votuesit përderisa të njëjtin pushtet pastaj ta përdorin për të plotësuar interesat partiake. Është e domosdoshme që partitë politike të cilat momentalisht funksionojnë si struktura organizative feudale ku dominojnë liderët lokal të cilët sjellin vota dhe shpërblehen proporcionalisht me numrin e votave të sjella të reformohen dhe  të zëvendësohen me forume partiak ku diskutohen idetë, platformat dhe kërkohen alternativat më të mira për zhvillimin shoqëror” u shpreh ai.

Përderisa edhe te partitë e vogla, ideja politike dhe interesi i përgjithshëm nuk janë prioritet,të njëjtat do të vazhdojnë të ngelen “të vogla”

Sipas gazetarit, Xhelal Neziri, interesi partiak vihet në rend të parë nga të gjitha partitë që operojnë në skenën politike në Maqedoni, pa përjashtuar këtu as partitë e vogla, të cilat sipas tij do të vazhdojnë të funksionojnë si parti të vogla, si klube apo sekte derisa të vetëdijesohen për rëndësinë që ka radhitja e prioriteteve në suksesin elektoral.

Xhelal Neziri
Xhelal Neziri

“Partitë politike gjithnjë në rend të parë kanë interesat e ngushtë të bartësve të subjektit politik, para interesave të anëtarësisë më të gjerë. Këtu as që bëhet fjalë për interes të përgjithshëm. Jehona e ulët në ciklet e fundit zgjedhore e dëshmon këtë. Nëse ideja politike dhe interesi i përgjithshëm nuk janë prioritetet për një parti politike, atëherë asnjëherë nuk arrin të mobilizojë numër të mjaftueshëm votuesish që të fitojë zgjedhjet. Kësisoj, partitë e vogla ngelen të vogla, si klube apo sekte, ku të gjithë vihen në funksion të liderëve”, thotë Neziri për Portalb.mk.

Një definicion i njohur dhe i pranuar gjerësisht në lidhje me atë se çka është në thelb politika dhe cilat interesa duhet të mbrojë ajo, është dhënë nga ish-kancelari i parë dhe kryeministri i Republikës Federale të Gjermanisë, Konard Adenauer.

“Çdo parti politike ekziston për të mirën e njerëzve dhe jo për të mirën e vetvetes”, thotë ai. Por si duket në Maqedoni ky definicion ose është keqkuptuar ose nuk është pranuar si i saktë nga aktorët kryesorë të politikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button