Nesër do të rivotohet në vendvotimin e Çairit 2901

Kush do të jetë kryetar i Komunës së Çairit, do të vendosin banorët e tre rrugëve të cilët votojnë në vendvotimin 2901, nesër në rrethin e tretë, pasi që Gjykata Administrative e pranoi ankesën e Lëvizjes Besa, ku më pas edhe KSHZ e miratoi vendimin për rivotim, ku më herët i kishte refuzuar të gjitha ankesat.

Besa, e pakënaqur nga forma e zbatimin të procesit zgjedhor në rrethin e dytë në Çair, ku në KSHZ ka parashtruar 89 ankesa. Ankesat që ishin për vendvotimet në Çair, më së shumti kishte të bëjë me numërimin e votave, ku përfaqësuesit e autorizuar të partisë i kanë vlerësuar si të pavlefshme fletëvotimet të cilat, sipas asaj që thuhet në ankesë, se qartë shihet dëshira e shprehur e votuesve, gjegjësisht për kandidatin e tyre për kryetar.

“Në vendvotimin 2901, Komuna e Çairit, gjatë mbledhjes dhe konfirmimit të votave, votat që i janë besuar Besës konsiderohen si të pavlefshme edhe pse qartë është parë dëshira e shprehur e votuesve. As gjatë procedurës së votimit, as gjatë procedurës së numërimit dhe konfirmimit të rezultateve, përfaqësuesit tanë të autorizuar janë ballafaquar me presion të madh që të mos regjistrojnë vërejtjet e tyre në procesverbalin me numër 16. Gjithashtu, mbi të është kryer presion edhe më i madh që të mos regjistrojnë vërejtje në Komisionin Komunal Zgjedhor në afat prej 5 orëve pas përfundimit të votimit, në përputhje me nenin 117 paragrafi 6 nga Kodi Zgjedhor”, qëndron në ankesën e Besës, konkretisht për vendvotimin 2901 ku do të rivotohet, transmeton “Civil“.

Sipas raportit të KSHZ për ankesat në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, Besa nuk ka paraqitur fakte për asnjë ankesë, KSHZ, si një nga arsyet për refuzimin e ankesave, e përmend edhe këtë lëshim.

Mirëpo, Gjykata Administrative e rrëzoi vendimin e KSHZ dhe e pranoi ankesën e parashtruar të Besës, për të cilën nga KSHZ u përgjigjën pozitivisht dhe vendosën që të ketë rivotim në 2901. Sh.F.S. “Idnina”.

Procesi zgjedhor në Çair deri tani, në dy rrethet zgjedhore, sipas të dhënave dhe raporteve të Civilit, ka filluar me shkelje të heshtjes zgjedhore, ndërsa vazhdon me tentim për ryshfet të votuesve, si dhe nuk ka munguar edhe shkelja e të drejtës së votës, problemi me Listën Zgjedhore, votimi familjarë dhe në grup dhe sjellje jo të ligjshme të Këshillave Zgjedhore. Në disa momente, janë paraqitur edhe konflikte verbale dhe fizike, ku në njërin rastin kanë marr pjesë aktivistë të BDI dhe Besa.

Vendvotimi 2940, Sh.F. “Rajko Zhinzifov” është treguar si më problematike, duke plotësuar çdo kategori të parregullsive zgjedhore, në bazë të së cilave janë udhëhequr vëzhguesit e Civilit në dy rrethet e zgjedhjeve lokale.

CIVIL – Qendra për Liri do të vëzhgojë rivotimin nesër. Në organizatë konstatohet se paqartësia do të zgjatë deri në konfirmimin e rezultatit zyrtar. Nuk janë të përjashtuara edhe tentimet për ryshfet të votuesve, kërcënimet dhe presionet, si mjete të “zakonshme” të agjitimit partiak dhe propagandës.

Rezultatet e këtij vendvotimi janë vendimtare. Këtu janë të regjistruar 719 votues, e cila është më tepër se e mjaftueshme për ndryshimin e rezultateve përfundimtare për kryetar të kësaj komune.

Kandidati për kryetar nga radhët e BDI, pas rrethit të dytë ishte në avantazh prej 209 votave në nivel të komunës.

Besa është optimiste se Çairi do të jetë i tyre, por BDI, si nikoqir shumëvjeçarë, premton luftë deri në fund. Të shpresojmë që festimi i fituesit kësaj radhe do të kaloj pa shkrepje me armë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button