Reforma në gjyqësi

Pas rasteve të fundit gjyqësore dhe shqiptimit të dënimeve për vepra të caktuara penale dhe duke pasur parasyshe gjendjen e gjertanishme në organet e gjyqësorit në Maqedoni, është më se e qartë që reformat më të rëndësishme dhe më imanente janë reformat në gjyqësi.

Rasti i Kumanovës është rast shumë specifik dhe delikat. Aktgjykimi i dhënë në shkallë të parë lidhur me këtë rast është i paplotë, dhe për këtë shkak krijon ndjenjën e padrejtësisë. Është sekret publik që ngjarjet e Kumanovës që ndodhën në Maj të vitit 2015 ishin të inicuara nga shërbimet sekrete dhe nga pushteti i atëhershëm. Indicijet që tregojnë se kjo është e vërtetë janë dy: e para, tajmingu i ngjarjeve – në kulmin e zbulimit të “bombave” që tregonin ushtrimin joligjor të pushtetit të kaluar, dhe e dyta, dorëheqja e menjëhershme e dy personaheve kryesore të pushtetit të kaluar: Drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Mijallkov, dhe Ministres së Punëve të Brenshme, Jankullovska. Fakti që asnjëri nga këta nuk u thir as të japë deklaratë dëshmitari në këtë rast gjyqësor tregon sa i paplotë në fakt ka qenë ai.

Diçka duhet të jetë e qartë. Bëhet fjalë për rast vërtetë të rëndë sepse ato ngjarje kishin për qëllim fillim të trazirave dhe një konflikti të ri të armatosur ndëretnik duke defokusuar kështu vëmendjen nga “bombat” virtuale në bomba të vërteta. Kjo gjë nuk pati sukses, megjithatë, shkaktoi trauma të rënda. U vranë tetë anëtarë të forcave policore mes të cilëve edhe një shqiptar, u shkatërua një lagje e tërë dhe banorët e atjeshëm ende nuk i kanë tejkaluar pasojat e kësaj ngjarjeje. Është e qartë se gjithkush i involvuar në një rast të tillë kompleks dhe me pasoja kaq të rënda duhet të bartë përgjegjësi penale. Akuza e ngritur ishte për terrorizëm dhe organizim terrorist. Në çdo vend të botës këto vepra penale dënohen me dënimet më të rënda.

Padrejtësia qëndron në faktin që janë vetëm kryersit direktë ata që bartin përgjegjësi në këtë rast. Lidhur me të dënuarit, duhet shikuar mirë se a janë të gjithë ata të involvuar në realizimin e rastit dhe mos ka edhe të tjerë që janë si katër personat që u liruan për arësye se nuk u gjendën dëshmi kundër tyre. Por ajo që është kruciale në këtë rast është që të përgjigjen organizatorët, inspiruesit dhe porositësit e të njejtit. Pa u pëgjigjur personat zyrtarë të cilët mendohet se e kanë inicuar këtë rast, drejtësia lidhur me të do të mbetet e paplotë.

Në këtë drejtim duhet të shfrytëzohen të gjitha mjetet e mundshme juridike. Të kërkohet ndihmë juridike ndërkombëtare së pari nga Kosova, prej ku vijnë disa prej të involvuarve direktë në këtë rast. Përveç kësaj, Maqedonia është pjesë e Interpolit prej ku mund të marë ndihmë eksperte për të bërë një hetim të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës për rastin. Një involvim i tillë i ekspertëve ndërkombëtarë do të sillte gjer tek informata të reja dhe do të përmirësonte transparencën dhe besueshmërinë e rastit. Provat e reja që mund të paraqiten do të ndihmonin shumë në procedurën para Gjykatës së Apelit dhe para Gjykatës Supreme lidhur me këtë rast. Në bazë të tyre mund të vendoset për rigjykim të rastit nga shkalla e parë, por edhe për hapjen e rastit plotësues ku duhet të përgjigjen organizatorët dhe të involvuarit tjerë në këto ngjarje.

Me një angazhim të mirëfilltë politik dhe juridik një gjë e tillë mundet dhe duhet të ndodhë. Ajo që është me rëndësi të kuptohet është se aktakuza për këtë rast është shkruar qysh në vitin 2015, në kohëra tjera dhe në pushtet tjetër, prandaj edhe i kemi këto pasoja. Me një angazhim më të mire në reformat në gjyqësor do të mund të krijohet më shumë transparencë në rastet komplekse dhe kontraverse si ai i Kumanovës.

Dje pamë edhe një rast tjetër të gjejë zgjidhjen përfundimtare në gjykatë. Goran Grujevski u gjykua në mungesë për rastin e ngritur nga PSP, Fortesa 2. Për zhdukjen e dokumenteve të përgjimit ai mori denim me burg në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë. Dënimi maksimal që mund të jepet për këtë vepër penale është 5 vite. Për vepra triviale penale, si për shembull vjedhje e ajvarit ose vjedhje e qebapeve janë dhënë dënime prej një viti e gjysmë dhe tre viteve burgim. Për veprën e Grujevskit, i cili ka qenë i involvuar në mënyrë direkte dhe ka realizuar pëgjimin e mbi 26.000 qytetarëve jepet dënim simbolik prej një viti e gjysmë. Këtu padrejtësia mes tjerash qëndron edhe në një ligj që quhet Ligji për përcaktimin e llojit dhe matjen e dënimeve. Ky ligj e kufizon gjyqtarin se çfarë dënimesh mund të japë dhe në cilën masë. Duke repsektuar një ligj të tillë, gjë që gjyqtarët janë të detyruar ta bëjnë, vihet deri tek dënime qesharake si ai për Grujevskin. Ky ligj duhet sa më parë të anulohet për këto shkaqe, që të mos ketë kufizim plotësues, përveç atij të paraparë me Kodin Penal, lidhur me dënimet që mund të jepen.

Përndryshe sipas këtij ligji personi në fjalë del se duhet të dënohet minimum 3 muaj dhe maksimum 24 muaj. Si zgjedhje mesatare është marrë dënimi i dhënë për 18 muaj. Të them të drejtën une prisja se gjykata do e kishte dënuar pikërisht 3 muaj, duke pasur parasyshë që ekstradimi nuk është i mundshëm për vepra penale ku personi i kërkuar duhet të vuajë dënim më të shkurtër se 4 muaj, dhe në këtë mënyrë, edhe formalisht do të pamundësohej ekstradimi i Grujevskit nga Greqia.

Dënimi i dhënë në këtë rast mund të jetë ligjor por ai është shumë larg nga të qenit i drejtë. Megjithatë, i njejti hap rrugën që ekstradimi të ndodhë, Grujevski të këthehet dhe të shkojë në vuajtje të dënimit. Ky është dënimi i parë efektiv i dhënë për një rast të inicuar nga PSP. Fitore e vogël dhe shumë simbolike. Ajo që është me rendësi edhe lidhur me këtë rast dhe rastet tjera të ngritura nga PSP është të përgjigjen personat me rëndësi: ata që inicuan, porositën dhe organizuan procesin e përgjimit dhe rrugës kryen edhe shumë vepra tjera penale.

Drejtësinë nuk e sjellin peshqit e vegjël, sado rëndë të përgjigjen ata. Pa u përgjigjur peshqit e mëdhenj, drejtësia në këtë vend asnjëherë nuk do të jetë e plotë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply to Lata Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button