Maqedoni, mbushja e buxhetit, banorët ankohen për shtrenjtimet

Pas paralajmërimeve për rritjen e çmimit të ujit dhe akcizës, banorët shprehen të shqetësuar se gjendja e tyre ekonomike do të rëndohet nëse kjo rritje do të ndikonte gjithashtu në rritjen e produkteve tjera.

Ata për Portalb.mk thonë se qeveria duhet të zbulojë mënyrë tjetër që të mbush buxhetin dhe të ul borxhin e shtetit, dhe jo në barrë të banorëve të cilët janë më të ndikuarit nga këto rritje.

“Dëgjuam në media që do të ketë rritje të naftës dhe të ujit, kjo është e tmerrshme, herën e fundit që nafta pësoi rritje u shtrenjtuan edhe produktet ushqimore dhe më pas, pas uljes së çmimit të naftës, ai i produkteve nuk u lirua, vaj halli për neve, nuk e dimë se si do ja bëjmë. Rroga nuk rritet kurse standardi jetësor tërë kohën shkon duke u rritur”, tha Alma R., banore.

“Ka shuam familje të varfra që nuk do të mund ta përballojnë këtë rritje. Nuk kemi ne faj që qeveria e kaluar nuk ka ditur të menaxhoj me buxhetin dhe ka futur shtetin në borxh. Ne nuk jemi ata që duhet të paguajmë çmimin”, tha Rinor S., banor.

“Duhet të bëhet analizë e hollësishme se si do të shlyhet borxhi, apo te mbushet buxheti, jo vetëm të rriten çmimet dhe kështu të digjemi ne për diçka që nuk kemi faj. Ne rregullisht paguajmë taksa, kurse tani? Tani do të vuajmë edhe më shumë”, tha Aleksandar T., banor.

Nga ana tjetër profesori i ekonomisë, Nasir Selimi thotë për Portalb.mk se paralajmërimet për rritjen e akcizave paraqet veprimin e parë kur qeveria vlerëson se nuk ka burime tjera më të mira për të ardhura buxhetore.

“Hartuesit e buxhetit shtetëror doemos të parashikojnë të dy anët e buxhetit, pra si të ardhurat publike ashtu edhe shpenzimet publike. Paralajmërimet për rritjen e akcizave paraqet veprimin e parë kur qeveria vlerëson se nuk ka burime tjera më të mira për të ardhura buxhetore. Kjo njëherit është më pak e dhimbshme për taksapaguesit e vet. Këto paraqesin tatimet e mallrave luksoze siç janë: alkooli, duhani, produktet e kozmetikës, nafta dhe derivatet e naftës, etj”, tha për Portalb, Selimi.

Ai shtoi se kjo rritje me siguri do të përkeqëson standardin e jetesës së qytetarëve të vendit në të ardhmen.

“Vlen të theksohet se rritja e akcizës për naftën, që është lëndë e parë në prodhimin e shumë produkteve dhe shërbimeve medoemos do të ketë ndikim zinxhiror edhe në rritjen e çmimit të të njejtave produkte dhe shërbime. Kjo rritje me siguri do të përkeqëson standardin e jetesës së qytetarëve të vendit në të ardhmen. Kur pagat mbeten në nivelet e njejta ose rriten me pak se sa shpenzimet, atëherë numri i të varfërve të qytetarëve do të rritet”, shtoi Selimi./Portalb

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP