Infrastruktura, Rama: Politikë agresive për sistemin e kontratave
Qeveria do të ketë një politikë agresive për sistemin e kontratave në ndërtimin e rrugëve, për “të mos lënë hapësira të pafundme për spekulime e mashtrime”, është shprehur kryeministri Edi Rama, në takimin e buxhetit për Infrastrukturën, përcjell Top Channel.
“Politikë agresive për sistemin e kontratave që të mos lënë hapësira të pafundme për spekulime e mashtrime për sistemin e supervizionimit, që është problem themelor në këtë vend dhe do të jemi me tolerancë zero ndaj gjithë supervizorëve dhe njëkohësisht do t’i japim fund historisë së akumulimit të borxheve që fatkeqësisht na shoqëroi dhe në këtë periudhë për shkak të supervizorëve të papërgjegjshme dhe administrimi të papërgjegjshëm të drejtorisë së rrugëve. Ne kemi nisur procese penale për ata supervizorë dhe zyrtarë të përfshirë në këtë dëm ndaj buxhetit të shtetit dhe shkelje flagrante të ligjit të buxhetit të shtetit dhe do të vazhdojmë të çojmë para drejtësisë këdo prej tyre që ka marrë pjesë në këtë shkleje”, tha Rama.
Projekti 1 miliardë dollarë tha Rama, është dedikuar për modernizimin dhe transfomimin e akseve kombëtare. Kryeministri tha se sot në vendin tonë nuk ka asnjë rrugë të certifikuar sipas standardeve evropiane. Ai përmendi dhe projektet kryesore përsa i përket rrugës, si by pass-et e Tepelenës, Fierit e Vlorës, rrugën e Arbrit, Korçë-Ersekë, etj.