“Paradise Papers”, edhe gruaja e kreut të opozitës greke në listë

Midis 130 emrave grekë ose me interesa greke që shfaqen në rrjedhjen e re të përmasave botërore në skandalin e kompanive “offshore” të çështjes “Paradise Papers” është edhe emri i Mareva Mitsotakis, bashkëshortja e kreut të Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, përcjell Top Channel.

Ajo shfaqet si pronare e 50% të aksioneve në një kompani “offshore” me selinë e saj në Ishujt Kajman të Karaibeve. Gjithashtu, duket se është menaxherja e një fondi financiar në një parajsë tjetër fiskale.

Në një përgjigjje të saj ndaj gazetës “Ethnos”, që ka publikuar skandalin në fjalë, zonja Mitsotakis është justifikuar duke thënë se në atë periudhë ajo ka qenë në prag divorci, ndaj dhe nuk ka pasur asnjë detyrim financiar dhe moral për të deklaruar pjesëmarrjen e saj në këtë kompani, ndërsa ka pohuar se çdo gjë është kryer në bazë të ligjeve përkatëse, madje ka shtuar se ka humbur edhe para’ për shkak të krizës financiare.

Publikimi i emrit të bashkëshortes së kreut të konservatorëve grekë nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues vërteton edhe artikullin e gazetës “Documento” të shkurtit të këtij viti, që kishte zbuluar e para se zonja Mareva Grabofksi Mitsotakis kishte një kompani “offshore” në një parajsë fiskale.

Emri i saj është përmendur edhe disa muaj më parë, kur gjatë deklarimit të pasurive të politikanëve grekë, ajo nuk ka deklaruar një shtëpi, pronë të saj në Paris.

Çifti Mitsotakis ka qenë në prag divorci për disa vite, por janë ribashkuar në prag të zgjedhjeve për kreun e Demokracisë së Re. Pas deklaratës së zonjës Mitsotakis se çdo gjë në veprimtarinë e saj financiare është e ligjshme, zëdhënësi i qeverisë greke ka kërkuar më shumë sqarime nga konservatorët, duke nënkuptuar se për politikanët jo çdo gjë e ligjshme është edhe morale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button