Kur Moisiu fliste për origjinën e tij shqiptare

Kur shfleton gazeta të vjetra e ke ndjesinë sikur shfleton kohëra të moçme. Lexon gjëra pa vlerë, pastaj diçka interesante, e pastaj diçka mahnitëse. Secila kohë ka gjëra të pavlerë, të përkohshme, interesante, por edhe gjëra mahnitëse.

Teksa lexoja një gazetë të vitit 1934 më ra në sy intervista e aktorit me famë botërore, Aleksandër Moisiut, për të cilin Maks Brodi thoshte se “Hamleti ishte shkruar për Moisiun dhe Moisiu kishte lindur që ta interpretonte Hamletin”. Ndërkaq për zërin, mimikën dhe gjestet e tij, Franc Kafka shprehej se “shfaqnin diçka unike që nuk ishte parë ndonjëherë në skenën botërore të artit”.
Moisiu, sikurse e dëshmon intervista në fjalë, përveç si aktor, shquhej si intelektual i guximshëm. Ai nuk qëndroi asnjanës në kohën e përplasjeve të mëdha ideologjike. Në vend se të mbrohej me idenë se artisti nuk duhej të përzihej në politikë, e shfrytëzoi lavdinë për t’iu kundërvënë të keqes, euforisë, çmendurisë dhe degradimit moral, që e gërryenin shpirtin e lodhur të Europës.
Moisiu nuk mund të urrente asnjë komb. Pjesëtarë kombesh të ndryshme i kishin duartrokitur dhe ai i kishte mahnitur me artin e tij. Teksa regjimet synonin të pushtonin sa më shumë territore, aktori lavdimadh kishte arritur, me talentin e tij, që të pushtonte zemrat e miliona njerëzve anekënd botës…
Ishte fillimi i vitit 1934. Moisiu vazhdonte të interpretonte në skenat e ndryshme teatrore, si pjesë e shfaqjes “Don Karlosi” nga Shileri. Në këtë periudhë, gjatë qëndrimit në Zagreb, dha një intervistë, e cila, me sa kemi njohuri, është e panjohur për lexuesin shqiptar.
Intervista u zhvillua nga gazetari N. Shkrgiç dhe u botua në gazetën “Pravda”, të 18 janarit 1934, në faqe e tetë, me titullin: “Bisedë me artistin e madh Aleksandër Moisiun: Kriza e artit dhe e teatrit vjen nga depresioni moral i kohës sonë”.

Aktori lavdimadh, në këtë intervistë, flet për origjinën e tij; për krizën morale në Europë; për teatrin në përgjithësi; për Gjermaninë që ngulfatej nga nazizmi; për operën dhe baletin italian apo për teatrin francez e rus.

Ishte koha kur aktori gjenial fyhej në Gjermani ngase besohej se ishte me origjinë hebreje, por Moisiu mohon të ketë origjinë të këtillë.

“Sikur të isha hebre, me siguri, nuk do të isha mbrojtur. Por, me sa di, brenda meje nuk kam asgjë prej hebreu. Nëna ime është italiane (ajo ishte me origjinë arbëreshe – shënim yni) nga një familje e vjetër e aristokracisë italiane, kurse babai im është shqiptar nga Durrësi, të parët e të cilit kishin qenë në pozita të larta të ushtrisë shqiptare”, thotë Moisiu.
Ai flet edhe për krizën morale, që e trondiste shpirtin europian dhe manifestohej në art.

“Kohëve të fundit kemi ngecje të teatrit në qendrat europiane. Me këtë rast dua të them se kjo ngecje, veçanërisht në teatër, nuk lidhet me krizën ekonomike (ashtu si thuhet shpesh), por ndodh për shkak të krizës morale të kohës sonë”, thotë ai.

Europa, në këtë kohë, sikurse thotë Stefan Cvajgu në librin “Bota e djeshme”, në planin moral kishte shkuar mijëra vjet pas.

Aktori edhe pse i detyrohej Gjermanisë, ku kishte prekur majat e suksesit, nuk heshti teksa ajo përpihej nga dallgët e tërbuara të nazizmit. Ai refuzonte të aktronte para publikut në Gjermani, ku dikur ishte i adhuruari dhe tani i urryeri.
“Jo, jo assesi nuk dua të shkoj në këtë Gjermani. Nuk kam mirëkuptim për këtë shfryrje shoviniste dhe urrejtje racore. Mendoj se kjo formë antisemitizmi është turp për kohën tonë dhe nuk ka asnjë lidhje me artin!”, thotë Moisiu, që flet edhe për lidhjen e ndërprerë me Max Reinhardt-in, të cilit, gjithashtu, i detyrohej shumë. Mes tyre ishte krijuar një hendek i pakapërcyeshëm. Bindjet e tyre më nuk përputheshin.

“Ai ka krijuar vepra të mëdha, por ajo që bën tani nuk ka lidhje me Reinhardt-in e dikurshëm”, thotë Moisiu, për të cilin, në këtë kohë, teatri në shkallën më të lartë artistike ishte në Francë dhe Rusi, kurse për “Skala”-n milaneze mendonte se ishte e para në Europë.

Kjo intervistë besojmë se është me interes sepse aktori, veç tjerash, flet vetë për origjinën e tij shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button