ICRC thirrje për hapjen e kufijve në Jemen

 Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (ICRC) ka bërë thirrje për hapjen urgjente të aeroporteve, porteve dhe kufijve tokësorë, të mbyllur në Jemen si rezultat i sulmeve të njëpasnjëshme, në mënyrë që në vend të mund të hyjnë ndihmat humanitare që janë kritike për vendin e përfshirë nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).

Reagimi i ICRC-së ka ardhur pasi zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jens Laerke, njoftoi se në Jemen janë mbyllur aeroportet dhe portet detare si pasojë e sulmeve dhe se në këtë mënyrë janë bllokuar aktivitetet humanitare, përfshirë edhe fluturimet humanitare të OKB-së.

ICRC njoftoi se në zonën kufitare veriore të Jemenit është bllokuar hyrja e tabletave të klorit të cilat përdoren si masë parandaluese kundër epidemisë së kolerës. Sipas deklaratës së ICRC-së, në mesin e produkteve mjekësore që presin në kufi gjenden edhe 50 mijë shishe me insulinë.

Në deklaratën e ICRC-së bëhet thirrje për hapjen urgjente të aeroporteve, porteve dhe kufijve tokësorë, të mbyllur në Jemen si rezultat i sulmeve të njëpasnjëshme, në mënyrë që në vend të mund të hyjnë ndihmat humanitare që janë kritike për vendin.

Në ndërkohë, Drejtori Rajonal i Organizatës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për Lindjen e Afërt dhe të Mesme, Robert Mardini, ka paralajmëruar se nevojat për ushqime, barna dhe nevojat e tjera themelore të 27 milionë jemenasve të prekur nga përleshjet që vazhdojnë prej tre vitesh kanë arritur në përmasa kritike.

Mardini po ashtu ka shprehur shqetësime të mëdha nga sulmet ndaj civilëve në Jemen.

Edhe Jens Laerke, sot në një konferencë për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë theksoi nevojën për heqjen e pengesave për hyrjen e ndihmave humanitare në Jemen.

“Apelojmë që të gjitha aeroportet dhe portet detare të ngelen të hapura për t’u siguruar hyrja e ushqimeve, karburantëve dhe barnave në këtë vend”, theksoi zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare pranë OKB-së.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se në Jemen janë hasur 908 mijë e 702 raste të dyshuara të kolerës që kur kjo epidemi përfshiu vendin më 27 prill dhe se dy mijë e 194 persona kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button