Lajmi përtej lajmit: Të zhbirosh përtej asaj që duket për të arritur në të vërtetën e madhe!

Prej kohësh Maqedonia ndodhet në humnerën mistike ku duket se nuk ekziston vullneti i duhur  për të dalë në sipërfaqe por përkundrazi. I ashtuquajturi rasti i Kumanovës së bashku me inskenimet e tjera pa precedent që u bënë në Maqedoni  janë disa nga sfidat më të mëdha që i ngarkojnë qytetarët e Maqedonisë.

Si ka mundësi që të merret kaq lehtë dhe si i mirëqenë dënimi  i të ashtuquajturve pjesëmarrës në të ashtuquajturin rast i Kumanovës nga prokurorë të cilët janë pjesë e strukturës politike VMRO-DPMNE që është synim i malverzimeve dhe krimeve politike për interesa personale dhe nga ana tjetër zhvatet e zhvatet pafund gjykimi për ngjarjen  makabre  të vrasjes së 4-vjeçarit Almir Aliu ku edhe me pamje filmike është regjistruar vepra penale, të mos fjalim për rastin Monstër etj etj.

Kjo është një temë që për të qenë e plotë duhet të  trajtohet nga disa kanale spektri por unë insistoj që në këtë shkrim të fokusohem tek detyra e gazetarëve të cilët janë pjesë e pushtetit të katërt, jo më pak serioz nga tre pushtetet tjera dhe jo me më pak përgjegjësi kundrejt opinionit publik.

Shembujt në mbarë botën evropiane dhe përtej atlantikut dëshmojnë se në ngërçet e këtilla politike gazetaria hulumtuese mund të japë kontributin e saj për të zhbiruar përtej murrit dhe për të zbuluar të vërtetën e madhe e cila e vërtetë do ti shërbejë ngritjes  dhe forcimit të demokracisë për hirrë të interesave të qytetarëve  të cilët ndjehen tepër të cenuar ne RM.

Një përkushtim i denjë në hetime të thelluara mbi çështje kaq të rëndësishme politike që shpesh vënë në pikëpyetje ekzistencën e një shteti është një nga nevojat dhe obligimet më të mëdha që ju mveshen gazetarëve të cilët pretendojnë se janë të tillë dhe se ju shërbejnë devotshëm interesave të qytetarëve.

Për fat të keq në Maqedoni mendimi personal merret si një analizë, të vetëquajturit analist politik zënë hapësira të bollshme në media duke elaboruar mendimet e tyre të cilat në masën dërmuese nuk janë të dala nga studime apo hulumtime politike por nga mendime momenti pa kaluar së paku nëpër filtrat e nevojshëm moral të vetë-rregullimit. Gazetarët që kanë vetë-kaluar në analist politik duhet të kenë kujdes ndaj dy kurtheve që janë kënaqësia e informacionit vetëm për të dalë në media dhe manipulimit të së vërtetës për interesa dhe përfitime personale.

Gazetari është ai që ndihmon qytetarin të formoj opinionin e tij politik andaj këtu edhe shfaqet përgjegjësia e gazetarit aq më tepër në këtë amulli politike që ka kapluar RM në këto vite të fundit dhe jo vetëm.

Edhe pse në Maqedoni duket se u bë një ndryshim  politik  nevoja për një gazetari të denjë hulumtuese është më e madhe se kurrë, nuk mjafton një fakt i zbuluar e që për momentin mund të befasojë publikun, ekzistojnë gjithmonë shtigje që mund të të çojnë në një të vërtetë më të madhe dhe më të pastër e cila mund shkaktojë reforma të mëdha në ngritjen e nivelit të demokracisë.

Dhe kur jemi këtu mendoj që Maqedonia ka tregun më të madh të mundshëm të ngjarjeve të pazbardhura të cilat tangojnë qytetaret në vend ku në rastet më të rënda kemi njerëz prapa grilave që vuajnë dënime për vepra që nuk janë zbardhur dhe nuk dihet me saktësi e vërteta rreth tyre. Zbardhja e së paku një ngjarjeje ndoshta do të çonte në lehtësimin e zbardhjeve të ngjarjeve të tjera sepse siç rëndom gjërat shkojnë zinxhirë.

Gazetaria hulumtueses është një nga detyrat më fisnike që një gazetar ia mvesh vetes por në të njëjtën kohë një nga detyrat me rrezik të madh. E kemi rastin e freskët të gazetares së njohur hetuese 53 vjeçarja Dafne Galizia nga Malta e cila arriti të rrëzonte pushtetin e Maltës duke e akuzuar qeverinë e ishullit për korrupsion. Ajo arriti me punën e saj t’a çonte vendin drejtë organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Katër muaj pas zgjedhjeve gazetarja bëhet preh e një atentati me bombë në veturën e saj ku humb jetën! Megjithëse ajo ishte ballafaquar me kërcënime nuk reshti së hulumtuari për t’i ndihmuar vendit të saj qe proceset demokratike të ecin përpara.

Media e lirë është një domosdoshmëri drejt një zhvillimi të ekuilibruar pasi nëse një gazetarë nuk ja ka siguruar vetes lirinë e shprehjes kundrejt së keqes, abuzimeve, krimeve të natyrave të ndryshme atëherë e keqja do të shtrijë këmbët dhe e vërteta do të ik larg e më larg..

Nëse një gazetar nuk ja mundëson vetes këtë atëherë do të jenë të zbehta ndryshimet politike ekonomike dhe shoqërore. Nuk mjafton assesi vetëm ndërgjegjësimi i opinionit publik për mallverzimet, krimet apo  shkaqet por duhet puna e palodhur e gazetarit për të hulumtuar në drejtim të çrrënjosjes së krimit të shtetit etj.

Si në çdo vend të botës aq më tepër në Maqedoni, nuk diskutohet që,  gazetaret ndjehen të cenuar dhe nën presion të pronarëve ose me drejtë thënë ndjehen të pambrojtur edhe kundrejt pronarit por edhe drejtësisë aq më tepër politikës! Nëse bie preh e këtij presioni apo edhe në rastet më të rënda  nëse një gazetar tundohet nga favore të ndryshme fitimprurëse atëherë llogaritet i dështuar dhe misioni i  tij përfundon këtu!

Pa diskutim që një gazetari e mirëfilltë hulumtuese kërkon dhe kushte të cilat agjencitë e lajmeve apo TV e ndryshme në Maqedoni nuk është se janë në nivelet e dëshiruara për t’i plotësuar por përpjekja assesi nuk duhet të ndalet sepse kjo do t’i çonte akoma dhe më tepër në zhvatje  proceset demokratike në vend dhe do ta vononte përqasjen e drejtë të mediave në vend për të realizuar punën e tyre me korrektësi kundrejt idealit të mirëqenies dhe mirë-informimit të opinionit publik e cila është baza e një ekuilibri demokratik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button