Kolonel Vukobratiqi dhe kali që vret

Vjeshtë e vitit 1934. Kolonel Vukobratiqi, u kthye nga një takim në komandë, u ndal te dera e zyrës së vet dhe i bërtiti ordonansit:

“Jankoviću, gdje si?! Odmah da te vidim i kancelariju“!

Ordonansi doli nga toaleti me duar të lagta, qëndroi gatitu para eprorit të tij dhe ia ktheu:

“Kuptoj, z. kolonel”!

Koloneli hyri në zyrë me një hap triumfalist dhe u ul. I fërkoi sytë nën vetulla me gishtat tregues, pastaj ia tregoi me dorë karrigen ushtarit që rrinte gatitu si i ngrirë. Ordonansi u ul dhe dukej si një gjel i lagur. Çfarë ishte vallë kjo bërtimë e pazakontë e kolonelit”?! Pastaj koloneli heshti një minut, një minut e gjysmë që t’i japë peshë bisedës.

“Shko e thërritma ushtarin Shumlesha”!

“Kuptoj”! iu përgjigj ordonansi duke përshëndetur edhe me dorë dhe priste që eprori  t’i thoshte “je i lirë”, mirëpo koloneli  e ngriti kryet dhe me një buzëqeshje i tha:

“Kurse ti Jankoviq menjëherë shko e  bëhu gati, se tash do të marrësh udhë. Je i zhvendosur në qytetin V. më afër shtëpisë tënde. Atje do të shërbesh tash e tutje, aq sa të ka mbetur.  Ushtari Jankoviq mbeti për pak gojëhapur. Natyrisht s’kishte as pyetje as mundësi të refuzohej, sepse ajo ishte ushtri  e kralit në të cilën fjala pyetje ishte përjashtuar nga fjalori i ushtarëve. “Ec tash… dhe ngutu”!

Koloneli mbeti vetëm, e nxori shlivovicën nga sirtari dhe e çoi një gllënjkë me shishe. Shpejt pastaj trokiti dera.

“Hyr, hyr,Shumlesha”!…

Një ushtar mesoburrë me fytyrë katrore,ballë të ngushtë e flokë të zez e të ashpër,  vetulla të trasha, kapakë të syve lëkura e të cilave lëvarej si strajcë e vjetër deri te qerpikët dhe me sy të vegjël që mezi dukeshin qëndroi para kolonelit. Ishte dukshëm më i moshuar se ushtarët tjerë.

“Ushtari Shumlesha! Jam në urdhrin tuaj, zotëri kolonel”! bërtiti.

“Ulu, ulu, Shumlesha”! i tha me mospërfillje koloneli.

“Kuptoj”! iu përgjigj ushtari dhe u ul. “Paska krisur diçka e madhe”! foli Shumlesha ngase nuhati diçka. Atë ta thërriste koloneli? Kjo nuk ishte rastësi.

“Jo… Për ty kam një detyrë të vogël… Besoj se do ta kryejsh… Po ta kryejsh…  dhjetë muaj të burgut ushtarak, që ke bërë, do t’i llogarisim si stazh ushtrie. Pas kësaj detyre që po ta them unë e që ta jep sigurimi i ushtrisë ti praktikisht do të jesh qytetar i lirë. Dhe, jo vetëm kaq. Shteti do të ta sigurojë edhe një punë si civil… Veç kësaj për këtë punë të vogël do të marrësh dëmshpërblim edhe për tre vjetët tjera që ke qenë në burg para se të vije ushtar”.

“Po e pres urdhrin”! tha Shumlesha.

“A i njeh ata dy shqiptarët në çetën e kavalerisë, C. Drenin dhe B. Ndreun? Më intereson ai  i gjati, Ndreu? Ai që kujdeset për kuajt”?

“Po, i njoh të dytë, ndonëse kurrë s’kam folur me ta. Me shqiptarë nuk flas!”, shtoi Shumlesha.

“Mirë, e ditke kush është Ndreu. Eh, atij, Ndreut, t’ia heqësh flamën”!

“Si”?

“Atë do ta vrasësh!… Kuptohet, jo me pushkë, as me thikë ose kamë”.

“Kjo qenka punë e vështirë”, tha Shumlesha.

“Nuk e ke për herë të parë, Shumlesha”! e ngriti zërin koloneli. “Dhe, dëgjo se çfarë po të them. Plani është ky:  dezhurni do ta zgjojë me kujdes shqiptarin  aty pas mesnate, do t’i thotë se ka një rrëmujë në ahur te kuajt. Ai do të vrapojë të shohë se ç’është puna, kurse ti do t’ia vendosësh pritën brenda, te dera e ahurit dhe do t’ia heqësh flamën… do  ta vrasësh me një send të fortë…”! Vukobratiqi e kroi kryet pas veshi. Kështu  shtirej thuajse hamendej,  për të nxjerrë sa më shumë fitime për krimin që do ta bënte.  “Shumlesha, ky është urdhër! E bërepunën si duhet – fitove, s’e bëre – e pësove”! i tha koloneli.

“Po çfarë do të thonë njerëzit, çfarë do të thonë familjarët  e tij, zotëri kolonel?l”

“Kjo do të jetë një fatkeqësi, Shumlesha. Ushtarin e shkretë e vrau kali me shqelma, do të jetë deklarata zyrtare! Një shqiptar më pak! Ec tash! Biseda jonë mbaroi”!

“Kuptoj”! tha Shumlesha dhe u largua.

Të nesërmen në mëngjes u dëgjua boria që i thërriste ushtarët e të gjitha çetave në tubim para shtabit. Në një platformë, në ballë të së cilës lëvarej një pëlhurë e zezë, kishte hipur koloneli dhe qëndronte në këmbë. Ndërkohë u krijua rrëmujë nga ushtarët që vraponin kah shtabi. Në fund u mblodhën të gjithë. U bë një hallakamë nga pëshpëritjet e ushtarëve të cilët e dinin se ka ndodhur diçka e keqe, ka ndodhur ndonjë tragjedi, ngase pëlhura e zezë lëvarej kështu vetëm në këto raste.  Dhe, e natyrshme, ushtarët ndjeheshin të shqetësuar. Më në fund koloneli e ngriti dorën dhe tha:

“Qetësi, ushtarë, qetësi”. Rrëmujën e mbërtheu heshtja. “Ushtarë të nderuar,në  kazermën tonë mbrëmë ka ndodhur një tragjedi. Diç natën i kishte frikësuar kuajt në ahur. Ushtari që shërbente te kuajt, Bardh Ndreu, vrap kishte shkuar t’i qetësojë. Fatkeqësisht një kalë e ka goditur në ballë dhe kjo ishte një goditje e kobshme për ushtarin i cili pas vetes ka lënë nënën dhe gruan e re. Ju lutem që me një minut heshtjeje ta nderojmë këtë ushtar.

Ushtarët i hoqën kësulat dhe e nderuan Bardhin.

Ushtarët shqiptarë e dinin se “kali” i çmendur  “i përgadiste” thundrat për një shqiptar tjetër.

  1. Dreni qante pa zë në grumbullin e ushtarëve. E kishte pasur shokun më të mirë B. Ndreun. Tash e ndjeu dorën e pasigurisë në fyt dhe vetja iu duk se ishte nën thjerrëz. Pas tubimit Dreni herë e qante Ndreun, herë bënte plane për veten si të dalë nga ky vorbull se ishte i sigurt që do të përfundonte “nga kali”. Çështja ishte: si t’i shpëtojë “thundrës”?!

Dhe, të nesërmen, kur koloneli duhej që me dy ushtarë të nisen zyrtarisht ta çojnë me tren kufomën në fshatin e Ndreut, e kërkoi C. Drenin. I ranë pas, por nuk e gjetën. C. Dreni nuk ishte në kazermë.  Koloneli nuk u shqetësua shumë. “U majçinu”!  tha vet me vete. E diti ai menjëherë se C. Dreni ia kishte mbathur në Hungari, por nuk iu bë vonëkolonelit. Kryesorja, dy shqiptarë më pak! tha vet me vete dhe buzëqeshi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button