Parametra, skenarë dhe konkluza nga rrethi i dytë i Lokaleve 2017

Analizë përmbledhëse. Në periudhën para zgjedhjeve pata bërë disa analiza ku përshkrova parametrat që do të përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve lokale. Tani që zgjedhjet kanë mbaruar është rradha që të analizohet se çfarë ka ndodhur, gjegjësisht cilët skenarë nga të mundshmit janë realizuar. Fillimisht këtë po e bëjmë në nivel global, ndërsa në të ardhmen do të analizojmë fenomenet lokale veç e veç. Po ja fillojmë me përmbledhjen nga analiza e fundit, ku pata shkruar:

“Si përmbledhje mund të themi se nga katër qendrat urbane koalicioni shqiptar Aleanca me Besë është në përparësi të dukshme në Gostivar dhe diçka më pak në Çair. Në Tetovë dhe Strugë gara është tejet më fluide dhe e paparashikueshme për shkak të shumë parametrave tjerë të panjohur, sidomos sjelljes së VMRO dhe SDSM.

Ndërsa sa ju përket 10 komunave tjera shqiptare, BDI është në avantazh të dukshëm dhe favorite për fitore në Likovë dhe Saraj, PDSH në Studeniçan dhe koalicioni shqiptar Aleanca me Besë në pesë komuna tjera. Në Bërvenicë dhe Dollnen gara bëhet ndërmjet një kandidati shqiptar dhe SDSM-së. Këtu pritet mobilizim i shqiptarëve nga njëra anë, ndërsa tek blloku maqedonas varet nga niveli i mbështetjes së ndërsjellë i koalicionit VMRO-SDSM.”

Me disa përjashtime ngjarjet janë zhvilluar sipas skenarëve të pritur. Tetovën dhe Strugën e kanë vendosur VMRO dhe SDSM (në Tetovë edhe PDSH), Aleanca me Besë ka vërtetuar rolin e favoritit në Gostivar, ndërsa dallimi tejet i ngushtë në Çair ka shkuar në favor të BDI në vend të Aleancës me Besë.

Ndër komunat tjera ngjarjet përgjithësisht kanë vijuar siç pritej. Përjashtime janë Tearca dhe Dibra ku BDI ka përmbysur avantazhin e Aleancës me Besë nga rrethi i parë, me ndihmë të SDSM, PDSH dhe pjesërisht VMRO.

Parametrat që kanë vendosur rezultatin. Në të njëjtën kolumnë numërova disa faktorë që do të përcaktonin rezultatin, varësisht se si do dilnin. Më poshtë rrjedh një rikapitulim i tyre, së bashku me atë që rrëfejnë analizat e para:

Raportet Aleanca-Besa. Numrat dëshmojnë se koalicioni Aleanca-Besa ka funksionuar për mrekulli, ashtu siç dukej gjatë periudhës dyjavore mes rrethit të parë dhe të dytë. Është mëse e sigurtë se mbi 90% të votuesve të të dy partive kanë mbështetur koalicionin me votë, gjë që i solli fitore në ato vende ku koalicioni pati avantazh dhe ku nuk kishte faktorë tjerë që mund të lëkundnin përparësinë e tyre.

Motivimi i SDSM. Fushata tejet agresive që bënë eshalonet më të larta të SDSM për kandidatët e BDI ka rezultuar e suksesshme. Votuesit e SDSM i janë përgjigjur thirrjes së lidershipit duke i dhuruar fitore BDI në disa komuna. Me këtë njëherë e mirë u shemb miti i “votuesit të ndërgjegjshëm” të SDSM, që thoshte se votuesit e SDSM nuk janë dele që votojnë ushtarakisht siç bëjnë ata të VMRO. Nën diktat të lidershipeve u pa se të dy grupacionet funksionojnë njësoj.

Apatia e VMRO. Në komunat shqiptare VMRO vërtetë u tregua apatike. Me gjithë propagandën për një koalicion të fshehtë të opozitës shqiptare me VMRO, kjo nuk u vërtetua nga rezultatet. Mbetet fakt i pamohueshëm se po të donte VMRO mund të digjte BDI-në kudo; siç mbetet i pamohueshëm edhe fakti se ajo kurseu BDI-në.

Sjellja e votuesve të VMRO-së si duket është përcaktuar në nivel lokal. Në përgjithësi ata kanë dhënë votën për të dy anët, diku më pak e diku më shumë. Në Çair ata kanë votuar diçka më tepër për Besën, në Tetovë e Tearcë kanë ndarë votat baraz për të dy anët (ilustrime më të mira janë fshatrat Saraqinë dhe Falish në Tetovë, Leshkë dhe Neproshten në Tearcë), ndërsa në Strugë kanë mbështetur Merkon dhe BDI-në.

PDSH. Votat e PDSH-së ishin irelevante në vendet tjera, por patën rol të rëndësishëm në Tetovë dhe Tearcë. Në këto vende PDSH nuk ju mbeti konzistente politikave të saja 15-vjeçare kundër BDI, sepse partiakisht mbështeti Teuta Arifin dhe Isen Asanin. Megjithatë duhet thënë se një pjesë e mirë e votuesve të saj nuk ndëgjuan partinë, duke bërë që vota e PDSH të shkojë në favor të BDI-së vetëm me përmasa 60%-40%. Por kjo në fund i mjaftoi asaj për fitore në Tetovë dhe Tearcë. Pra është mëse e sigurtë se BDI “mbeti gjallë” në Pollog vetëm me infuzionin që mori nga PDSH.

Dalja. Në përgjithësi votuesit shqiptarë dolën në zgjedhje në nivele të njëjta me rundin e parë. Me këtë shifrat e përgjithshme të daljes te shqiptarët mbesin alarmante. Në diskursin publik fokusi është vënë te apatia e votuesve shqiptarë, por personalisht mendoj se bëhet fjalë për një fenomen shumë më ogurzi: shpërngulja! Është tejet e mundshme që motivimi ka qenë në nivel, por thjeshtë më nuk kanë mbetur edhe aq shqiptarë në vend.

Disa konkluza dhe leksione nga zgjedhjet. Për fund shkurtimisht dua të cek disa fenomene/mite që karakterizuan zgjedhjet lokale, që përndryshe meritojnë analiza më të gjata e të posaçme:

Retorika nacionaliste. Në këtë fushatë u fol shumë për retorikën kinse nacionaliste të Ziadin Selës. Por në fund nacionalizmi është fenomen “kush si e shikon”. Për shembull një pjese të mirë të popullatës maqedonase i duken nacionaliste thirrjet “UÇK”, por asnjëri nuk akuzon BDI-në për nacionalizëm. Ndoshta në fund dallimi është te ndjenja instinktive se Sela e ka me gjithë mend, e BDI jo. Sidoqoftë rrëfimi “multikulti kundër nacionalizmit” është rrëfim që dikush me çdo kusht tenton t’a imponojë nga lartë; ndër shqiptarë retorika e Selës është plotësisht normale dhe e pranueshme.

Retorika “shka” i mirë, “shka” i keq. Nga ana tjetër dy koalicionet patën retorikë krejtësisht të ndryshme karshi qytetarëve maqedonas në komunat shqiptare. Përderisa koalicioni Aleanca-Besa bëri fushatë direkte te qytetarët maqedonas, koalicioni SDSM-BDI tentoi të shfrytëzojë deri në maksimum neverinë e shqiptarëve me VMRO-në, duke i definuar votat nga SDSM si vota të “maqedonasve të mirë” dhe ato të VMRO-së si të “maqedonasve të këqinj”. Ironik është fakti që BDI kishte koalicion dhjetëvjeçar pikërisht me këta “maqedonas të këqinj” të VMRO-së dhe në fund po këta e kursyen në rrethin e dytë.

Koalicionet e fshehta. SDSM-BDI me çdo kusht tentuan të imponojnë rrëfimin për një koalicion të fshehur Aleanca-Besa-VMRO. Sot e kësaj dite nuk ka asnjë dëshmi për një koalicion të tillë dhe këtë më së miri e dëshmojnë shifrat nga rundi i dytë.

Në fakt koalicionet e vetme të fshehura ishin ai BDI-PDSH në rajonin e Pollogut dhe koalicioni SDSM-VMRO në Bërvenicë e Dollnen.

Koalicionet e natyrshme/panatyrshme. Argumenti më idiotesk ishte ai që tentoi t’a paraqesë koalicionin Aleanca-Besa si të panatyrshëm. Të dyja janë parti shqiptare, nuk ishin askund në garë njëra kundër tjetrës, nuk kanë histori oponence, asnjëra nuk ka figura të komprometuara e korruptuara, të dyja luajtën rol të rëndësishëm për rrënimin e VMRO e shumë të përbashkëta tjera. Në fakt koalicioni i tyre ishte më i natyrshmi në historinë e Maqedonisë pluraliste; shumë më i natyrshëm se koalicioni SDSM-BDI apo koalicionet tjera të fshehta.

Opozita-Qeveria. Tjetër argument kundër koalicionit Aleanca-Besa ishte fakti që njëra është në qeveri e tjetra në opozitë. Edhe ky ishte argument idiotesk. Në vitin 2013, vetëm tre muaj pasi u dëbua me dhunë nga parlamenti, SDSM shkoi e bëri koalicion me VMRO në Kërçovë e Strugë. Edhe sot partnerët qeveritarë SDSM-BDI u ndeshën direkt në disa vende si Dollneni e Plasnica, SDSM bashkëpunoi me VMRO në Bërvenicë e Dollnen, BDI me PDSH në Tetovë e Tearcë. Argumentin e këtillë kundër koalicionit Aleanca-Besa si duket e përdornin vetëm ata që kishin ëndërruar t’a shohin Aleancën si patericë të BDI.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Eh, kjo eshte analize, shembull shkollor se si behet analiza, si flasin numrat dhe mendja e shendoshe. Keshtu shkruhet kur autori nuk eshte i ngarkuar me matematika utilitare, dhe gajlen nuk e ka se kush dhe me cfare syri e lexon.
    Autori i mire shkruan gjithmone per nje lexues ideal i cili nuk eshte detyrimisht me i arsimuari, me i ngrituri apo informuari, thjesht lexues ideal per vete autorin, por mos zgjatem me shume.
    Ti bie shkurt,…
    Hallall, Robert!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button