Ja kur do të rikthehet ligji i gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë

Kaluan 46 ditë prej ditës së fundit të debatit për ligjin e gjuhëve, kurse i njëjti këto ditë nuk do të jetë në rend dite edhe pse u tha se do të kthehet në debat pas zgjedhjeve lokale. Zgjedhjet lokale mbaruan, Kuvendi filloi me punë, por në planifikimet ditore të Kuvendit të Maqedonisë, deri më 11 nëntor, i njëjti nuk pritet të jetë në rend dite, ndërkaq, siç bënë të ditur për Portalb.mk nga qendra e informimit dhe deputetët e Kuvendit të Maqedonisë nuk e dihet ende se kur i njëjti do të vihet në diskutim.

“Nuk kemi informata se kur do të jetë ligji i gjuhëve në rend dite. Seancat dhe pikat që janë në rend dite tashmë dihen. Nuk e di, nuk kam informata”, thanë për Portalb.mk, nga qendra e informimit të Kuvendit të Maqedonisë.

Deputeti i koalicionit Aleanca për Shqiptarët, Surija Rushidi, tha se në rend dite të Kuvendit të Maqedonisë janë seancat e ndërprera paraprakisht dhe në të cilat diskutohet për raportet nga viti i kaluar i institucioneve shtetërore.

“Këto janë seanca të cilat kanë filluar më parë por janë ndërprerë. Pothuajse të gjitha seanca kanë shumë pika shqyrtimi, sepse bëhet fjalë për raporte të agjencive, institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore nga viti i kaluar. Ligji i gjuhëve nuk është rend dite, nuk pritet të jetë gjatë këtyre ditëve. Duhet të shohim me kryetarin e Kuvendit se si është agjenda”, tha Rushidi.

Ndërkaq deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ejup Alimi tha se: “Tash për tash nuk e dimë, po bëhen koordinime për rendin e ditës, ende nuk dihet”.

Kurse deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Muhamed Zeqiri tha se kur do të kthehet debati për ligjin e gjuhëve vendos kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

“Për rendin e ditës dhe çështjen e ligjit të gjuhëve vendos kryetari i Kuvendit, dhe ai duhet të dijë se kurdo të jetë në rend dite. Kryeparlamentari vendos se cila seancë duhet të vazhdojë. Seanca ka filluar, është ndërprerë”, tha Zeqiri.

Ndërkohë që deputeti i Lëvizje BESA, Afrim Gashi tha se “për rendin e ditës duhet të kontaktohet kryetari i Kuvendit pasi që ai e rregullon agjendën e Kuvendit”.

Ligji i gjuhëve sërish pritet të vlerësohet si “antikushtetues

Debati paraprak për ligjin e gjuhëve zgjati 6 ditë. Që në të gjashtat ditë, deputetët e opozitares maqedonase, VMRO-DPMNE vlerësuan se ligji i gjuhëve është antikushtetues. Siç bëjnë të ditur deputetët e shumicës parlamentare, fjalime për ligjin e gjuhëve pritet të ketë edhe në seancën e radhës.

“Tash duhet të votohet leximi i parë i ligjit të gjuhëve në Kuvend. Janë paraqitur për diskutim mjaftueshëm deputetë, nuk e di se si do të veprojnë deri në atë moment, a do të tërhiqen apo jo. Pas kësaj kalohet në leximin e dytë, atë të amendamenteve në Komisione Kuvendare dhe sërish kthehet në seancë kuvendare”, tha deputeti i ASH-së, Surija Rushidi.

“Ende është në lexim të parë, duhet të debatohet dhe zhvillohet të gjitha fjalimet të cilat janë paraqitur”, tha deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri.

Përndryshe, më 23 shtator të 2017-s Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ndërpreu seancën e 15-të ku rend dite është ligji i gjuhëve dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, paralajmëroi se diskutimi do të vazhdohet pas zgjedhjeve lokale. Seanca u ndërpre dhe e u paralajmërua se Kuvendi nuk do të punojë gjatë fushatës zgjedhore për siç tha ai të mos krijohet ndjenjë që dikush me çdo kusht do të arrijë një qellim të caktuar.

Ndryshe, ligji i gjuhëve në seancë plenare i parapriu mbështetjes ligjore të Komisionit të Kuvendit për Çështje Evropiane  dhe Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive. Ardhja e ligjit të gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë, bëri që deputetit i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski gjatë seancës plenare të kërkojë pauzë, pauzë kjo që do të zvarriste edhe më shumë kalimin e këtij propozim-ligji me debat të shkurtër dhe në mënyrë të përshpejtuar, pasi që i njëjti mban flamurin evropian.

Sipas asaj që u tha nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani vendosja e flamurit evropian është bërë me kërkesë të Bashkimit Evropian, vend ky që respekton ndryshimet në shoqëri. Vendosja e flamurit dhe plotësimi i kërkesës së BE-së do të përshpejton procesin eurointegrues të Maqedonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP