35 milionë euro zbrazëtirë buxhetore nga Trajanovski për Shilegovin

Kontrolli i punës së komunave në Maqedoni pas ndryshimit të qeverisjes vendore nxjerr në pah skandale të reja të cilat pritet ti hapin shumë punë edhe prokurorisë. Ekspertët paralajmërojnë për një qasje serioze dhe profesionale, raporton Dojçe Vele-Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Rota panoramike
Rota panoramike

Abuzimi me tokat shtetërore, dyshime financiare, marrëveshje të natyrës korruptive janë vetëm një pjesë e kësaj historie. Skandal pas skandali po i trondit komunat në Maqedoni. Ndryshimi i qeverisjes lokale nxjerr në pah të dhëna serioze për abuzimet dhe krimet e disa prej ish udhëheqësve komunal. Dalë ngadalë, po shtohen informacionet rreth kushteve të këqija të trashëguara nga autoritetet e reja lokale. Hapja e librave financiare nxjerr në pah situata serioze problematike të cilat pritet të jenë një sfidë jo vetëm për autoritetet e reja lokale, por edhe për institucionet shtetërore.

Alarmi për publikun po vjen tani nga komunat e Shkupit ku kryetarët e rinj të komunave trashëguan një kaos të vërtetë.

Vetëm në Qytetin e Shkupit, siç mëson Dojçe Vele, borxhet e trashëguara nga Petre Shilegov nga Koce Trajanovski janë të paktën 35 milionë euro. Sa për ilustrim, kjo është një shumë e përafërt me buxhetin vjetor të Qytetit të Shkupit. Bëhet fjalë për kontrata me vlerë milionëshe të nënshkruara me disa kompani, të cilat, sipas informatave, kryesisht nuk kanë filluar punën , por as nuk janë paguar, përcjell Portalb.mk

Petre Shilegov
Petre Shilegov

Qyteti i Shkupit nuk është rasti i vetëm, situata të ngjashme ka edhe në komunat tjera

Problemi qëndron në atë se të gjitha këto marrëveshje, me apo pa qëllim, janë të mbuluara me para-dhënie modeste apo të pjesshme, që krijon një detyrim për zbatimin e kontratave vlera e të cilave, është shpesh herë “e fryrë.” Bëhet fjalë për kontrata të ndryshme, siç janë aktivitetet e ndërtimit, mirëmbajtja e infrastrukturës, rindërtimi i sistemit, rregullimi i arkivave dhe të ngjashme.

Nga Qyteti i Shkupit zyrtarisht nuk komentojnë asgjë më konkrete për momentin por situata thuhet se është larg nga niveli i dëshirueshëm dhe duhet kohë për të kontrolluar dokumentacionin e gjerë. Nga ajo që është zbuluar deri më tani rezulton se problemet janë padyshim të një natyre serioze.

Për situata të ngjashme po alarmojnë këto ditë edhe nga komunat tjera. Një nga kryetarët e bashkive përfundoi në pranga. Bëhet fjalë për kryetarin e Gjorçe Petrov Sokol Mitrovski i cili pas tre mandateve në krye të kësaj komune të Shkupit, së fundi përfundoi në arrest shtëpiak. Së bashku me disa bashkëpunëtorë të tjerë, ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës së tij zyrtare në lidhje me një çështje që ka të bëjë me pronë shtetërore.

Dokumentacioni i gjerë me përmbajtje financiare është shqyrtuar edhe në komunat e tjera të cilët ankohen se buxhetet janë me plotë kuptimin e fjalës “të shtrydhura”. Pjesë e udheheqësive të reja në komuna po ballafaqohen edhe me llogari të e bllokuara, por edhe me punësim të tepërt. Më karakteristike është rasti me komunën e Karposhit, ku 420 persona ishin “rrehatuar”, ose dy herë më shumë personel se sa nevojitet, njejtë është situata edhe në komunën e Aerodromit.

Autoritetet e reja komunale në Karposh kanë filluar tashmë një proces për të kontrolluar planet urbanistike të detajuara që janë kritikuar ashpër në të kaluarën për faktin se kanë qenë të kontrolluara nga e ashtu quajtura “mafi urbane”.
Ekspertët paralajmërojnë se gjendja e tillë në komuna ndoshta do të hap shumë punë edhe për prokurorinë. Sfida nuk do të jetë vetëm në hetimin për keqpërdorimet e deritanishme, por në parandalimin e përsëritjes së fenomeneve të tilla edhe në të ardhmen.
“Nëse ka një vëllim të shtuar të gjërave të tilla që dëgjojmë këto ditë në publik, institucionet do të kenë shumë punë për të bërë. Ne jemi dëshmitarë se po hapen raste të reja edhe në autoritetet lokale që kanë qenë afër 10 vite nën udhëheqje të dikujt tjetër. Por ajo që është e rëndësishme në këtë proces është se nuk duhet të ketë revanshizëm politik. Në këtë rast duhet të veprohet maksimalisht me profesionalizëm.Nëse ka nevojë duhet të ketë edhe mobilizim shtesë të prokurorisë, edhe kjo mund të konsiderohet pjesë e zgjidhjes. Por procesi nuk duhet të lihet vetëm në nivel të dyshimit, ose njoftimeve spektakolare që më vonë do të përfundojnë me asgjë “, paralajmëroi ish-shefi i anti-korrupsionit, avokati Dragan Malinovski.

Mos heshtni për abuzime!
Ajo që është thelbësore në këtë proces nuk është vetëm pastrimi i dyshimeve për korrupsion dhe krim, por edhe gjetja e mekanizmave për mbrojtjen në të ardhmen nga fenomene të këtilla.

“Në mënyrë që të mbrohemi edhe në të ardhmen nga raste të këtilla të keqpërdorimeve dhe të korrupsionit, është e nevojshme qasje parimore ndaj problemit. Pra, nuk duhet të mbyllni sytë përpara krimeve. Megjithatë, me këtë askush nuk guxon të bëjë fushatë. Duhet të ketë një përgjigje institucionale për këtë. Është më profesionale që të gjithë të bëjnë punën e tyre në rolin e tyre. Çfarë do të konstatohet në komuna ose që do të përcaktohet nga revizorët, të përcillet në zyrën e prokurorisë, ndërsa e njëjta në mënyrë korrekte të përpunohet dhe të analizohet. Kështu që unë do ta përsëris se ne nuk duhet të bëjmë folklor nga kjo. Askund ku ka të dhëna për abuzime nuk duhet të heshtet, por përkundrazi, gjithçka duhet të hetohet dhe të punojnë institucionet,”u shpreh Malinovski.

Do të raportohet  për Shkupin 2014?

Shkupi para projektit
Kjo është fotografia e fundit e shtatorit 2010 para se të vendoset monumenti i “luftëtarit mbi kalë”. Transformimi, i cili ndodhi në Shkup vitet që vijuan i shokoi shumë njerëz dhe vazhdon të mbetet edhe më sot mbeti subjekt i polemikave të ashpra dhe kritikave të shumta. Në lidhje me këtë. Interes të madh kishte edhe nga ana e mediat e huaja, kryesisht perëndimore, të cilat ia vendosën Shkupit epitetin “kryeqyteti i monumenteve”.

Maqedonia numëron gjithsej 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, përmes të cilave shpenzohen qindra miliona euro në vit për shpenzime publike. Nga analiza e Qendrës për komunikime civile mund të shihet se vetëm në vitin 2016 komunat dhe qyteti i Shkupit shpenzuan fonde publike me vlerë 8.7 miliardë denarë ose 142 milionë euro, shumë kjo që llogaritet rreth 13% më e lartë se shuma e shpenzuar në vitin paraprak. Numri më i madh i kontratave janë nënshkruar nga komuna e Karposhit (259), ndërsa më pak kontrata ka nënshkruar komuna Gradsko, e cila në vitin 2016 kishte vetëm një prokurim publik. Shumica e parave sipas analizës së Qendrës në këtë vit përfunduan në disa kompani kryesisht nga sektori i ndërtimit.

Indikacione në lidhje me përfshirje kriminale dhe korruptive në punën e disa prej autoriteteve lokale u zbuluan në të ashtuquajturat bomba opozitare. Në bisedat telefonike të përgjuara, zbulohet se ekzistojnë indikacione serioze për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Për disa nga këto informata, rastet tashmë janë duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale Publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button