Gjyqësi dënimesh mesjetare

Për Kumanovën kam shkruar një ditë pas ngjarjeve me pasoja tragjike, që shkaktuan dëme të pariparueshme për shëndetin e të ardhmes së këtij vendi. Po shkruaj sërish pas 30 muajsh të gjatë pritjesh të ankthshme të të akuzuarve dhe familjarëve të tyre, të cilët shpresuan dhe akoma shpresojnë për një verdikt final të drejtë dhe korrekt.

Atëbotë e thashë shkoqur se në vendin e çudirave, të udhëhequr nga një kryeministër skajshmërisht albanofob, përfaqësimi ynë institucional në qeveri ishte dekor – alibi demokracie përpara botës, ëndërr e bukur për syrin me trahomë kronike; se edhe me faj të shqiptarëve qe instaluar zakoni neveritës i poshtërrimeve të vazhdueshme; se për shkak të takatit tonë të vockël, energjive të shpërndara, amatorizmit politik, përçarjeve, zënkave dhe arsyeve të tjera që nuk mund të ishin arsye, qe pamundësuar ndryshimi substancial i jetës, pa gjasa reale për t’u bërë më mirë edhe në të ardhmen, sepse, në aso rrethanash: cilido subjekt shqiptar që të vinte në pushtet – pushtet fiktiv do të kishte. Tjetër punë nëse do të ndodhte çudia dhe nëse pushteti i radhës do ta ndryshonte paqësisht statusin tonë prej kurgjëje…

Kështu kam shkruar para 30 muajsh të gjatë sa 30 shekuj ferri, veçmas për familjarët dhe të burgosurit e maltretuar para çdo seance gjyqësore, sa herë që u është tekur gardianëve kokëqethur të ushtrojnë muskujt mbi kurrizet e tyre, të bindur se për këtë nuk u kërkon kush përgjegjësi.

Po sot, kur, më në fund, qeverisemi nga një pushtet tjetër, çfarë të themi për shqiptimin e dënimeve të përjetshme dhe dënimeve me  nga 40 vite burg, që vetëm në shaka nuk janë gjithashtu dënime të përjetshme.

Çfarë të themi kur gjatë gjithë kësaj kohe është folur dhe shkruar për rast të kurdisur nga strukturat e policisë sekrete të mijallkovit, nëpërmjet agjentëve të apostrofuar me emër e mbiemër, që nga dita e shfaqjes së tragjedisë në Lagjen e Trimave?

Çfarë të themi pas akuzave të shumta kundrejt krimit të orkestruar shtetëror, të bërë prej opinionistësh vendas dhe të huaj, të cilët shkaktarët kyç të rastit të Kumanovës i gjetën jo te të burgosurit, por te krerët e pushtetit të deridjeshëm?

Natyrisht, nuk ka çfarë të thuhet përveç kërkesës së fuqishme për zhvlerësimin e dënimeve aq të rënda të të akuzuarve dhe për marrjen në përgjegjësi të fajtorëve të vërtetë të kësaj loje makabre me fate njerëzish të rënë në gracka hafijesh pushtetare, kushdoqofshin ata.

Është kjo kërkesë e çdo njeriu normal, që e ka të qartë se problemin në fjalë mund ta zgjidhin vetëm ekspertët e jashtëm të drejtësisë, sepse verdikti i dhënë dje është tejet anakronik. Aq vite burg mbase nuk u është shqiptuar gjithë kriminelëve ordinerë serb, që vranë me mijëra shqiptarë e boshnjakë të pafajshëm gjatë viteve të katrahurës së mbrame ballkanike.

Është kjo kërkesë, që duhet ta bëjmë të gjithë, që duhet ta bëjnë politikanët shqiptarë, pozitë e opozitë bashkë; kërkesë që duhet ta bëjë edhe kryeministri aktual, prej të cilit pritet shkarkimi dhe ndërrimi urgjent i strukturës së atyre që bëjnë “drejtësinë” tash e sa vite, sepse ndryshe humbet shpresa për ndryshimet e premtuara pozitive, të pritura prej çdo qytetari të esëllt të këtij vendi, që nuk dëshiron të kthehet sërish në epoka pinguinësh…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button