“Brexit”, 75 mijë vende pune më pak në sektorin financiar

Banka e Anglisë beson se, rreth 75 mijë vende pune do të humbasin vetëm në sektorin e shërbimeve financiare, pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian, transmetonTop Channel.  

 BBC raporton se ky skenar është konsideruar i arsyeshëm nga Banka e Anglisë, pra nuk është as më i miri dhe as më i keqi pas “Brexit”, sidomos nëse nuk do të ketë një marrëveshje për shërbimet financiare mes Londrës dhe Brukselit.

Banka thekson se numri mund të ndryshojë, bazuar në marrëveshjet tregtare pas “Brexit”, por sidoqoftë pret humbje të konsiderueshme vendesh pune.

Zyrtarë të bankës thonë se mungesa e një pakti tregtar mes Londrës dhe Brukselit do të ishte problematike, por edhe në skenarin më të mirë, shumë vende pune do të transferohen në kontinent.

Mësohet se Banka e Anglisë i ka kërkuar bankave dhe institucioneve të tjera financiare, që të paraqesin planet e emergjencës në rast se Britanisë do t’i duhet të bëjë tregti me BE-në sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, dhe jo më sipas atyre të unionit.

Kjo do të thotë se, bankat me seli në Mbretërinë e Bashkuar do të humbasin të drejtat speciale për të operuar në BE. Megjithatë, një pjesë e analistëve mendojnë se, edhe nëse zhduken 75 mijë vende pune pas “Brexit”, Londra do të vazhdojë të jetë qendra financiare më e madhe në Europë, me më shumë se një milion njerëz të punësuar në shërbimet financiare në kryeqytet, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të ketë një suficit të shëndetshëm tregtar, në shërbimet financiare me pjesën tjetër të BE-së, që vlen dhjetëra miliardë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button