Ndërkohë që ne fiksohemi pas Trumpit, Kina po bën histori

Ndërkohë që lajmet dhe analizat në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të fiksuara pas veprimeve dhe fyerjeve të përditshme të Presidentit Trump, nëanën tjetër të botës, sapo ndodhi diçka historike. Kina sinjalizoi se tani e sheh veten si superfuqia tjetër botërore, duke u pozicionuar si alternativë, në mos rivale, e Shteteve të Bashkuara, njofton bota.al.

Ky nuk është mendimi im, i bazuar në leximin e gjetheve të çajit të politikës kineze. Është pikëpamja e artikuluar qartë, e udhëheqësit suprem të Kinës, Xi Jinping. Në fjalimin e tij javën e kaluar në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste, Xi deklaroi se Kina është në një “moment historik”, duke hyrë në një “epokë të re”, në të cilën vendi do të bëhet një “forcë e fuqishme” në botë, dhe një model për zhvillimin politik dhe ekonomik. Ai pohoi se “sistemi politik i Kinës. . . është një krijim i madh, që ofron një zgjedhje të re për vendet e tjera”. Dhe Xi këmbënguli se vendi i tij do të mbrojë interesat e veta me zell, ndërsa njëkohësisht do të bëhet një lider global, për çështje të tilla si ndryshimet klimatike dhe tregtia.

Që kur Kina braktisi izolimin e saj maoist në vitet ’70, filozofia e saj u përcaktua nga Ten Hsiaopini. Në atë kohë, Kina duhej të mësonte nga Perëndimi, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, dhe të integrohej në rendin ekzistues ndërkombëtar. Sipas Tenit, ajo duhet të ishte e përulur dhe modeste në politikën e saj të jashtme, dhe “të priste t’i vinte koha e saj”. Por koha tashmë ka ardhur, sipas mendimit të Xi, i cili shpalli se Mbretëria e Mesme është gati për të “zënë qendrën e skenësn botërore”.

Fjalimi i Xi është i rëndësishëm, sepse ky kongres i partisë bëri të qartë se ai nuk është një udhëheqës i zakonshëm. Ai u ngjit në një mandat të dytë në detyrë, pa përcaktuar asnjë pasardhës të qartë, nga gjenerata e ardhshme e zyrtarëve të partisë, duke ruajtur kështu një kontroll mbi pushtetin, shumë më të fortë se paraardhësit e tij. Më e rëndësishmja, partia i “skaliti” mendimet e tij në kushtetutë, një nder që më parë e ka patur vetëm Mao Ce Duni, kur ishte gjallë. (Mendimet e Ten Hsiaopin u shtuan, por vetëm pas vdekjes.) Kjo do të thotë se për pjesën tjetër të jetës, Xi dhe idetë e tij do të dominojnë Partinë Komuniste të Kinës.

Në një numër të fundit të “New York Review of Books”, Andrew Nathan vuri në dukje se politika perëndimore kundrejt Pekinit, përgjithësisht ka supozuar se me kalimin e kohës, ndërsa Kina modernizonte ekonominë e saj, do të bëhej më pluraliste së brendshmi dhe më bashkëpunuese së jashtmi. Sidoqoftë, Nathan shtoi se disa shkrimtarë dhe gazetarë, si James Mann, shqetësoheshin se Kina do të qëndronte autoritare dhe do të siguronte mbështetje, për vendet e tjera anti-demokratike.

Realiteti nuk është aq ekstrem sa parashikonte Mann. Kina ka mbetur vendosmërisht autoritare – në fakt, edhe më shumë gjatë viteve të fundit. Por, për çështje të tilla si ndryshimi i klimës, tregtia dhe Koreja e Veriut, ajo në fakt është bërë më bashkëpunuese. Ndërsa Pekini është përpjekur të krijojë disa institucione ndërkombëtare alternative, ai është gjithashtu financuesi i tretë më i madh i Kombeve të Bashkuara, si dhe kontribuesi i dytë më i madh në buxhetin paqeruajtës të trupës ndërkombëtare. Kina kërkon një rishikim të sistemit ndërkombëtar, për të akomoduar fuqinë e saj në rritje, jo një revolucion dhe zëvendësim të rendit ndërkombëtar, të ndërtuar nga Perëndimi.

Pjesërisht, qëndrimi i ri i Kinës ndaj botës dhe mënyra si është pranuar, janë rezultat i forcës së vazhdueshme të ekonomisë kineze, dhe rritjes së besimit politik të partisë nën udhëheqjen e Xi. Por këto ndryshime po ndodhin edhe nën sfondin e rënies totale, të autoritetit politik dhe moral të Shteteve të Bashkuara në botë. Një studim i kohëve të fundit i Qendrës Kërkimore Pew tregon një rënie prej 14 pikësh, tek ata që favorizojnë SHBA, në më shumë se 30 vende të anketuara.

Vende të tilla si Australia, Holanda dhe Kanadaja, sot kanë një pikëpamje më favorizuese për Kinën, se sa për Shtetet e Bashkuara. Shumë nga vendet e anketuara – përfshirë Gjermaninë, Kilin dhe Indonezinë – kanë besim më të madh tek udhëheqja e Xi, sesa tek ajo e Trump. Kina ka kërkuar agresivisht që të përmirësojë imazhin e saj në botë, duke shpenzuar miliarda për ndihmën e huaj, duke premtuar tregti dhe investime, dhe duke hapur institutet e Konfucit, për të promovuar kulturën kineze.

Ndërkohë, mendoni se si shihen tani Shtetet e Bashkuara, nga pjesa tjetër e botës. Paralizuar politikisht, jo në gjendje për të marrë vendime të mëdha. Midis një borxhi që rritet, investimet në arsim, infrastrukturë, shkencë dhe teknologji kanë mungesa serioze. Politika është bërë një degë e reality TV, me fyerje të përditshme, kundërpërgjigje dhe komente shumëngjyrëshe. Roli i udhëheqjes historike të Amerikës në botë është zëvendësuar nga një ideologji mendjengushtë. Politika e jashtme është bërë një lojë partizane, me Uashingtonin që prish marrëveshje, ndryshon kurs dhe pothuaj zhbën totalisht politika, për të fituar pikë politikisht brenda vendit.

Ndryshimi në reputacion që po shohim përreth botës, nuk ka të bëjë aq shumë me ngjitjen e Kinës, se sa më rënien e SHBA. / The Washington Post – Në shqip nga bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button