Maqedoni, skenaret e zhvillimit të ngjarjeve politike, ASh në opozitë dhe zgjedhje të reja?

Publikimi i rezultateve të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e partisë qeverisëse maqedonase Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë te blloku politik shqiptar, shpallja e fitores së Ramiz Merkos në Strugë, parashtrimi i 10 ankesave kundër tij nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela për parregullsi zgjedhore dhe “mundësia e veprimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor si institucion partiak pas shqyrtimit të ankesave të Selës”, do të sjellë mundësinë e shqyrtimit të ASH-së që të mbetet parti opozitare dhe më e fuqishme në bllokun politik shqiptar. Kështu vlerësuan për Portalb.mk njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, Sefer Tahiri, Selim Ibrahimi dhe Albert Musliu.

Sefer Tahiri
Profesor universitar, Sefer Tahiri

Sipas profesorit universitar, Sefer Tahiri, pas “ndikimit” të LSDM-së te votuesit shqiptar dhe pas shpalljes së Bashkimit Demokratik për Integrim si fitues në shumicën e komunave shqiptare, ASH-ja duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj në Qeveri dhe të përcaktohet për frontin opozitar bashkë me BESA-n.

“Pas ndërhyrjes së drejtpërdrejt të LSDM-së në procesin zgjedhor tek kampi etnik shqiptar, duke ndikuar edhe në rezultatin final, duke e nxjerr BDI-në partinë e parë në zgjedhjet vendore dhe duke e luftuar drejtpërdrejt liderin e Aleancës për Shqiptarët në Strugë, konsideroj se ASH-ja duhet ta rishqyrtojë pozicionin e saj në qeveri dhe të përcaktohet për frontin opozitar së bashku me Lëvizjen Besa, sepse ndryshe nuk mund të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria e Zaevit për parregullsitë zgjedhore, duke qenë pjesë e saj”, tha Tahiri.

Drejtues i Qendrës për Studime të Sigurisë, Selim Ibrahimi për Portalb.mk vlerësoi se zgjedhjet lokale treguan marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritare, duke treguar se LSDM është fuqi absolute kurse ASH-ja është e padëshirueshme për BDI-në.

Selim Ibraimi
Drejtues i Qendrës për Studime të Sigurisë, Selim Ibrahimi

Edhe Ibrahimi e sheh të hapur opsionin e daljes së ASH-së nga Qeveria duke u profilizuar e njëjta si parti e fortë opozitare.

“Zgjedhjet lokale nxorën disa të vërteta mbi funksionimin e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev dhe marrëdhënieve të partnerëve të koalicionit. Kryeministri deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme por duke lënë të hapur mundësinë për fitore absolute në rast se ato do të organizoheshin. Disa dilema ngelin ende të pasqaruara për opinionin se Aleanca për Shqiptarët është e padëshirueshme nga BDI-ja e Ali Ahmetit për shkak të fuqizimit të partisë të Ziadin Selës. Raporti BDI -ASH është i tendosur pas humbjes së Selës në Strugë. Për ASH opsioni është i hapur i daljes nga qeveria dhe mundësisë që partia të forcohet dhe profilizohet si parti e fortë opozitare për zgjedhjet  e ardhshme”, tha Ibrahimi.

Ndërkaq analisti politik, Albert Musliu vendimin për daljen ose jo të ASH-së dhe prishjes së përbërjes qeveritare e sheh te vendimi i KSHZ-së ndaj ankesave të ASH-së për në Strugë. Sipas tij, nëse KSHZ është transparente dhe e objektive ASH do ta forcojë pozicionin në qeveri, por, nëse ajo vepron si “vend ku promovohen interesat partiake” atëherë mund të kemi dalje të ASH-së nga Qeveria.

Albert Musliu
Analist politik, Albert Musliu

“Pas shpalljes së rezultateve pres zbutje të marrëdhënieve ndërpartiake në koalicionin qeveritar dhe këto emocione të zgjedhjeve lokale pres që të rregullohen. Gjatë kësaj periudhe rol të rëndësishëm ka edhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor që të mos mbetet ndonjë shenjë e keqe në procesin zgjedhor sepse bëhet fjalë për njërin nga liderët e partive në Qeveri dhe se nuk do të ishte qetësuese nëse ai kandidat ngel me bindjen se institucionet e kanë keqpërdorur procesin zgjedhor. Nëse ka ankesa vendimmarrja për ato duhet të jetë në mënyrë transparente dhe objektive sepse vetëm si e tillë do të arrihet të qetësohet.  Nëse KSHZ sillet  siç është sjellë para 3 vjetëve sikurse vend ku promovohen interesat partiake dhe jo interesat zgjedhore kjo edhe mund të ndodh”, tha Musliu.

Çfarë e pret ASH-në pas daljes nga Qeveria?

Sipas profesorit universitar, Sefer Tahiri dalja e ASH-së nga Qeveria e Maqedonisë do ta forconte atë si parti opozitare duke u “shkurorëzuar politikisht me ata që Sela i quajti aparat shtetëror kundër tij”. Sipas Tahirit, vetëm në këtë situatë PDSH mund të hyjë në Qeveri.

“Në anën tjetër është e vërtetë që ASH mobilizoi një pjesë të elektoratit duke qenë pjesë e qeverisë, por mendoj se argumentet politike- analitike janë në anën e pozicionimit të partisë së Selës në opozitë dhe shkurorëzimit politik me ata që Sela i quajti pjesë e aparatit shtetëror kundër tij. Mendoj se largimi i ASH-së do ti hapte rrugë PDSH-së, por do ta dëshmonte atë që dikur vlente për PDSH-në e që është forcimi i saj si parti opozitare, e cila do legjitimohet më pas fuqishëm politikisht dhe kjo i hap derën kryesore për futje në qeveri”, tha Seferi.

Qeveria e Maqedonisë me porta të hapura
Qeveria e Maqedonisë

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Selim Ibrahimi daljen e ASH-së e sheh si rrezik të largimit të anëtarësisë por nga ana tjetër mund ta hapte mundësinë për zgjedhje nacionale duke rikonfiguruar pozicionin e partive shqiptare.

“Qëndrimi në opozitë mbart disa rreziqe te largimit të anëtarësisë. Kauza kombëtare e Selës dhe opsioni qytetar i LSDM-së dhe BDI-së përplasen njëra me tjetrën me programin  e qeverisë. Tani ASH ka dy rrugë: E para ta lëshojë qeverinë duke i lënë pozicion të hapur PDSH-së dhe e dyta, qëndrimi në koalicion duke targetuar anëtarësinë e pakënaqur të partive  tjera shqiptare. Ky dualitet mund ta lë partinë e Selës në status quo. Andaj ASH me idenë e votës shqiptare ka mundësi të paraqitet si opozitë e fortë e BDI-së. Megjithatë fronti i ri që Sela dëshiron ta krijojë me Besën do të ishte një lëvizje e re kundër LSDM-së dhe BDI-së. Në fakt ASH dhe BESA po kërkojnë zgjedhje nacionale dhe mundësia e tyre ndoshta do ta rikonfiguronte pozicionin e partive shqiptare”, tha Ibrahimi.

Përndryshe, pas publikimit të rezultateve të rrethit të dytë zgjedhor, nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, tha se ende nuk kemi ndërtuar qëndrim për të mbetur apo jo në qeveri, kjo do të vendoset pasi të analizohen rezultatet e fundit zgjedhore. Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se nëse ka zgjedhje të parakohshme parlamentare, që tani do të dihen rezultatet. Lidhur me shumicën në Parlament, Zaev tha se beson se shumica në Parlament do të rritet, por edhe se kjo nuk do të thotë kalim nga një parti politike në një tjetër.

Ndryshe, diskutimi në lidhje me daljen e ASH-së nga Qeveria e Maqedonisë, erdhi pasi që me nënshkrimin e koalicionit Aleanca për Shqiptarët- BESA në zgjedhje lokale u tha se do të kemi ndryshim të përbërjes qeveritare, duke dalë ASH-ja dhe duke hyrë partia shqiptare opozitare, Partia Demokratike Shqiptare. ASH deklaroi se nuk del nga qeveriandërkohë që kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të përbërjes qeveritare me PDSH-në kurse më pas u tha se pas zgjedhjeve lokale do të ketë zgjedhje parlamentare.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. a ka harru ASH-ja se Ziadini e akuzoj Ali Ahmetin per tentim vrasjeje …
    Si eshte e mundur qe te jete ne qeveri kurr tane kohen ka fol per rrezimin e qeverise Lsdm dhe Bdi duke kerkuar tani zgjedhje te parakohshme…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button