АNALIZË: Si është mbledhur dhe si është shpenzuar buxheti i komunës së Strugës?

Me buxhet të përgjithshëm prej 14,2 milionë eurosh, komuna e Strugës bën pjesë në grupin e vetëqeverisjeve lokale që disponojnë me mjete të konsiderueshme buxhetore, nga të cilat pjesa më e madhe apo 7,4 milionë euro priten të sigurohen nga dotacionet, gjegjësisht nga transferet prej nivelit qendror në nivel lokal, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Sipas Raportit gjysmëvjetor për ekzekutimin e buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale, pjesa më e madhe e shpenzimeve të komunës së Strugës përfundojnë për pagesën e rrogave dhe të kontributeve, mirëpo edhe për “punë të tjera ndërtimore”.

Shpenzimet – më së shumti para për rroga dhe kompensime… 

Për pagesën e rrogave, komuna e Strugës për këtë vit ka planifikuar buxhet të përgjithshëm, nga të gjitha burimet (buxheti themelor, donacionet, dotacionet) në vlerë prej 5,7 milionë eurosh, ndërsa deri në fund të tremujorit të parë janë harxhuar 2,8 milionë euro apo realizimi ka qenë 48,7%. Për kontributet për sigurim social, pushteti lokal ka planifikuar 2,1 milionë euro, ndërsa ka harxhuar 48,7% të parave ose 1,0 milion euro.

Zëri (linja) i tretë me radhë në buxhet është “objekte të tjera ndërtimore”, me ç’rast me në buxhetin e përgjithshëm për këtë qëllim janë planifikuar pothuajse 1,9 milionë euro, ndërsa janë harxhuar 566.270 еuro deri në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik, që është realizim prej 30 për qind, shkruan Portalb.mk. Nëpërmjet zërit “transfere të ndryshme”, sipas Raportit gjysmëvjetor për ekzekutimin e buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale, është planifikuar të harxhohen 470.000 еuro ndërsa për gjashtë muaj janë harxhuar vetëm 9% nga shpenzimet e planifikuara apo gjithsej 42.100 euro.

Për shpenzime të rrugës dhe mëditje në nivel vjetor është planifikuar të shpenzohen 42.000 euro, ndërsa deri në fund të muajit të gjashtë janë harxhuar 9.300 еuro ose 22,2% e parave të projektuara për këtë qëllim.

Këtë vit për shërbime komunale, ngrohje dhe transport, komuna e Strugës me buxhetin e përgjithshëm ka projektuar shpenzime prej 1 milionë euro, ndërsa në fund të qershorit janë harxhuar pothuajse 500.000 еuro. Për blerjen e pajisjeve dhe makinave këtë vit është planifikuar të harxhohen 43.400 еuro, ndërsa për gjysmë viti janë harxhuar pothuajse 5.000 еuro që paraqet realizim prej 11% në krahasim me planifikimin.

Gjatë gjysmëvjetorit të parë ekonomik, komuna e Strugës aspak nuk ka harxhuar para për blerjen e automobilave, mirëpo me buxhetin për këtë qëllim janë planifikuar 100.000 еuro, shkruan Portalb.mk. Për shërbime kontraktuese, autoritetet lokale për vitin buxhetor 2017 kanë planifikuar 14,2 milionë euro, ndërsa kanë shpenzuar 5,8 milionë euro që paraqet realizim prej 40,6%.

Të ardhurat buxhetore – pjesa më e madhe e parave priten nga dotacionet…

Pjesën më të madhe të të ardhurave, komuna e Strugës i pret nga zëri “transfere nga nivelet e tjera të pushtetit”, dhe në nivel vjetor nga ky burim në arkën komunale do të derdhen 9,4 milionë euro, ndërsa deri në fund të qershorit nëpërmjet këtij zëri kanë ardhur 4,4 milionë euro. Pjesa më e madhe e parave të siguruara nëpërmjet dotacioneve përfundojnë për pagesën e rrogave në arsim, shkruan Portalb.mk. Njëri nga zërat buxhetorë me vlerë më të madhe është “tatime për shërbime specifike”, nga të cilat janë planifikuar të ardhura në vlerë prej 2,0 milionë eurosh, ndërsa janë mbledhur 612.000 еuro që paraqet realizim prej vetëm 29,6%.

Realizim më të madh ka te të ardhurat nga tatimi në të ardhura. Komuna e Strugës ka planifikuar që këtë vit nga ky tatim të sigurojë të ardhura në vlerë prej afër 94.000 еurosh, ndërsa deri në fund të qershorit janë mbledhur 45.000 еuro. Për gjysmë viti, komuna e Strugës ka arritur të arkëtojë vetëm 38,4% të parave që ka planifikuar t’i mbledhë në nivel vjetor nga tatimit në pronë, pasi që plani ka qenë që nga ky tatim të mblidhen 1,2 milionë euro, ndërsa për gjashtë muaj janë arkëtuar 490.000 еuro. Nga “shitja e tokës dhe investimet jomateriale” në nivel lokal janë planifikuar të ardhura prej 900.000 еurosh, ndërsa janë mbledhur vetëm 20,5% ose 185.300 еuro.

Nga gjobat, taksat gjyqësore dhe administrative, komuna e Strugës ka planifikuar të sigurojë 45.500 еuro, ndërsa për gjysmë viti nga këto burime janë arkëtuar pothuajse 22.000 еuro.

Kjo komunë, për shkak të kondicionit të dobët financiar nuk ka mundësi që në kohë t’i servisojë obligimet për ngrohje, dhe kjo ishte arsyeja që gjatë viteve të kaluara një pjesë e shkollave mbetën pa rrymë në mes të dimrit, shkruan Portalb.mk. Problemet financiare dolën në sipërfaqe edhe me zgjedhjet lokale, me ç’rast Komisioni shtetëror zgjedhor për shkak të xhiro-llogarisë së bllokuar, Komisionit zgjedhor komunal në Strugë, e poashtu edhe në gjashtë komuna të tjera, u transferoi mjete që të mund t’i realizojnë aktivitetet e parapara në lidhje me zgjedhjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button