Ja çfarë do i bënte në të vërtetë botës, një luftë bërthamore!

Mendimet e një Profesori të Universitetit “Queen Mary në Londër”. Disa mendojnë se rreziqet e armëve bërthamore janë të ekzagjeruara. Por kjo panoramë ofron një skenar krejt të ndryshëm

Nga David McCoy

Betimi Presidentit Donald Trump për të goditur Korenë e Veriut me “zjarr dhe me tërbim ashtu si bota nuk ka parë ndonjëherë”, ishte një kërcënim i pamaskuar, që Amerika do të përdorë armët më të fuqishme të shkatërrimit në masë në Gadishullin Korean. Sipas shumë analistëve të mbrojtjes, rreziku i konfrontimit bërthamor mbi Evropën dhe nënkontinentin indian, gjithashtu është rritur në vitet e fundit.

Në një kthesë më shpresëdhënëse të ngjarjeve, 122 vende votuan në qershor për të miratuar Traktatin e Kombeve të Bashkuara, për ndalimin e armëve bërthamore, në Nju Jork. “Traktati i ndalimit” do i bëjë armët bërthamore të paligjshme për vendet që e ratifikojnë, dhe shumë e shohin atë, si një mundësi për të nisur, edhe një herë, një përpjekje shumëpalëshe çarmatimi. Mbështetësit e traktatit argumentojnë se edhe një luftë e kufizuar, rajonale bërthamore, do të prodhonte një krizë humanitare, katastrofike dhe globale.

Po ashtu, analistë të tjerë sugjerojnë se realiteti nuk është aq i rëndë sa përshkruhet shpesh. Në mars të këtij viti, Matthias Eken, një studiues i qëndrimeve ndaj armëve bërthamore, shkruan në The Conversation, se fuqia e tyre shkatërruese “është ekzagjeruar shumë” dhe se duhet shmangur përdorimi me tepri i “skenarëve të fundit të botës dhe gjuhës apokaliptike”.

Eken argumenton se armët bërthamore nuk janë aq të fuqishme sa përshkruhet shpesh, në bazë të parashikimit që, lëshimi i një koke bërthamore termonukleare prej 9 megatonësh, mbi shtetin e Arkansasit, do të shkatërronte vetëm 0.2 për qind të sipërfaqes së shtetit. Ai gjithashtu vë në dukje se më shumë se 2,000 shpërthime bërthamore janë bërë në planet, pa i dhënë fund qytetërimit njerëzor, dhe argumenton që, nëse ne duam të zbusim rreziqet e paraqitura nga armët bërthamore, pikësëpari nuk duhet t’i ekzagjerojmë ato rreziqe.

Qasja e Eken ndaj armëve bërthamore, bie ndesh me retorikën më dramatike të katastrofës humanitare globale dhe kërcënimeve ekzistenciale ndaj njerëzimit. Po cila është baza për këtë të fundit?

Lufta bërthamore është edhe luftë mbi mjedisin

Shqetësimi më i madh rrjedh nga kërkimet relativisht të reja, që kanë modeluar efektet indirekte të shpërthimeve bërthamore, në mjedis dhe klimë. Skenari më i studiuar është një luftë e kufizuar rajonale bërthamore, midis Indisë dhe Pakistanit, duke përfshirë 100 bomba me madhësinë e atyre të përdorura në Hiroshimë (të vogla sipas standardeve moderne), të shpërthyera kryesisht mbi zonat urbane. Shumë analistë sugjerojnë se ky është një skenar i mundshëm, në rast të një lufte gjithëpërfshirëse ndërmjet dy shteteve, arsenalet e të cilave përfshijnë më shumë se 220 bomba atomike.

Në këtë rast, rreth 20 milionë njerëz mund të vdesin brenda një jave nga efektet e drejtpërdrejta të shpërthimeve, zjarrit dhe rrezatimit. Edhe vetëm ky fakt, është katastrofik – me të vdekur më shumë se në të gjithë Luftën e Parë Botërore.

Por shpërthimet bërthamore gjithashtu kanë shumë gjasa të ndezin zjarre në një zonë më të gjerë, të cilat bashkohen dhe injektojnë vëllime të mëdha blozash dhe mbetjesh në stratosferë. Në skenarin Indi-Pakistan, deri në 6,5 milion ton blozë mund të lëshohen në atmosferën e sipërme, duke bllokuar diellin dhe duke shkaktuar një rënie të ndjeshme në temperaturën mesatare të sipërfaqes, si dhe reshjeve në të gjithë globin, me efekte që mund të zgjasin më shumë se një dekadë.

Ky katastrofë ekologjike, nga ana tjetër, do të ndikonte për keq në prodhimin global të ushqimit. Sipas një studimi, prodhimi i misrit në SHBA (prodhuesi më i madh në botë) do të binte me një mesatare prej 12 përqind në 10 vjet, në skenarin tonë. Në Kinë, prodhimi i orizit do të binte mesatarisht me 17 për qind gjatë një dekade, misri me 16 për qind dhe gruri dimëror me 31 për qind. Me rezervat totale të drithërave botërore, që janë më pak se 100 ditë konsum global, pasojat e tilla do të vinin rreth 2 miliardë njerëz në rrezik urie.

Megjithëse një konflikt bërthamor që përfshin Korenë e Veriut dhe SHBA do të ishte më i vogël, duke pasur parasysh arsenalin e kufizuar të Phenianit, shumë njerëz do të vazhdonin të vdisnin, dhe dëmtimi ekologjik do të prekte rëndë shëndetin publik global, për vite me radhë. Përveç kësaj, çdo konflikt bërthamor ndërmjet SHBA dhe Koresë së Veriut ka gjasa të rrisë rrezikun e konfrontimit nuklear, që përfshin shtete dhe rajone të tjera të botës.

Ka edhe më keq

Një luftë bërthamore në shkallë të gjerë ndërmjet SHBA dhe Rusisë do të ishte shumë më e keqe. Shumica e armëve ruse dhe amerikane janë 10 deri në 50 herë më të forta se bombat që shkatërruan Hiroshimën. Në një luftë që përfshin përdorimin e armëve bërthamore strategjike të të dy shteteve (ato që përdoren larg nga fusha e betejës, që vënë në shënjestër infrastrukturën ose qytetet), rreth 150 milion ton blozë mund të lëshohen në atmosferën e sipërme. Kjo do të reduktonte temperaturat globale me 8 ° C – është skenari i “dimrit bërthamor”. Nën këto kushte, prodhimi i ushqimit do të ndalej dhe shumica dërrmuese e racës njerëzore, me gjasë do të vdiste.

Eken sugjeron që të dyja skenarët e një konflikti të kufizuar rajonal bërthamor dhe një luftë gjithëpërfshirëse midis SHBA dhe Rusisë, nuk kanë gjasa të ndodhin. Ai mund të ketë të drejtë. Sidoqoftë, të dy skenarët janë të mundshëm, edhe nëse nuk mund të përcaktojmë me siguri sasinë e rrezikut. Vazhdimi i retorikës luftarake nga Presidenti Trump dhe Kim Jong Un për përdorimin e armëve bërthamore, nuk po e bën këtë mundësi më të vogël.

Ajo që mund të themi, është se doktrina e parandalimit bërthamor përfaqëson një bast të rrezikshëm. Armët bërthamore nuk na mbajnë të sigurt nga veprimet e terrorizmit, as nuk mund të përdoren për të luftuar nivelin e ngritjes së deteve, motit ekstrem, acidifikimit të oqeaneve, humbjes së biodiversitetit ose rezistencës antimikrobike.

Kjo është arsyeja pse kaq shumë organizata shëndetësore dhe publike kanë bërë fushatë për t’i shpallur armët bërthamore të paligjshme. Pa marrë parasysh se sa duhet të shpërthejnë për të shkaktuar një katastrofë ose për të prodhuar një kërcënim ekzistencial për njerëzimin, dhe pavarësisht nga rreziku që kjo të ndodhë, fjalët që “parandalimi është më mirë se shërimi” mbeten më të dobishme se kurrë, kur bëhet fjalë për këto armë të neveritshme dhe të rrezikshme.

David McCoy është Profesor i Shëndetit Publik Global, në Universitetin “Queen Mary” në Londër / The Conversation – Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button