Ndërtimi i filtrave të ndotësit Jugohrom, çfarë fshihet pas fabrikës e cila nuk garanton transparencë?!

Nënshkrimi i memorandumit për mirëkuptim për rihapjen e ndërmarrjes Jugohrom, në rajonin e Pollogut, parasheh, se secila palë, e përfshirë në problemin e punës së kësaj ndërmarrje pa standarde ekologjike, duhet të përfundojë obligimin e vet. Memorandumi u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Ekonomisë, Koço Angjushev, pronari i ndërmarrjes Jugohrom, Vasko Skenderovski dhe kryetarit i sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje, Bajram Amiti, shkruan Portalb.mk.

Protesta për ajrin e ndotur në Tetovë, 18.12.2015
Protesta për ajrin e ndotur në Tetovë, 18.12.2015

Edhe pse për mbylljen e ndërmarrjes Jugohrom, dhe paraqitjen e nevojës së ndërtimit të sistemit të filtrimit, ka kontribuar edhe organizata ekologjike Eco Guerilla, me protestat e organizuara në vitin 2015, e njëjta nuk është nënshkruese e memorandumit për rihapjen e Jugohromit. Sipas kësaj OJQ-je, mospërfshirja e tyre në këtë proces, ka ardhur si rezultat se ata janë kundër hapjes së ndërmarrjes pa vendosjen të tërësishme të filtrave.

“Ç’është e vërteta, e kemi diskutuar këtë çështje me kryeministrin dhe me ministrin e mjedisit. Propozimi primar ishte që Jugohrom të fillonte me punë, me kapacitet 20% – 30% dhe krahas kësaj të punonte në vendosjen e filtrave. Këtë propozim ne e hodhëm poshtë automatikisht pasi pozicioni jonë në këtë drejtim është i njohur për të gjithë, pra Jugohrom nuk guxon të punojë pa filtra as 1 minutë, as 1%, aspak. Prandaj thirrjes së qeverisë që të jemi pale nënshkruese i jemi përgjigjur negativisht dhe me tone qortuese për faktin që kemi konsideruar se askush nuk ka të drejtë të vendoset mbi ligjin, kushtetutën dhe mbi shëndetin e qytetarëve,  as Jugohromi e aq më pak Qeveria”, u sqaruan për Portalb.mk nga Eco Guerilla.

Krahas mospërfshirjes së të gjitha palëve relevante, procesin e ndërtimit të filtrimit e karakterizon edhe jotransparenca, kjo sepse Qeveria e Maqedonisë, Inspektorati Ekologjik dhe OJQ “Eco Guerilla” nuk kanë informata se, cila ndërmarrje do t’i kryejë punimet, në çfarë kushtesh ka fituar projektin, sa faza parasheh ai projekt, sa do të zgjasë secila fazë, çfarë do të ndërtohet në secilën fazë, si do të ndërtohet dhe sa ndërmarrje kanë aplikuar për të fituar të drejtën e ndërtimit të sistemit të filtrimit të Jugohromit. Sipas të njëjtëve, të gjitha këto informata duhet të kërkohen nga Jugohrom. Portalb.mk të njëjtat ia kërkoi Jugohrom, mirëpo, pavarësish se çështja e ndërtimit të filtrat është me interes publik, dhe me nevojë jetike për rajonin e Pollogut, sërish, nga kjo ndërmarrje thonë se: “përgjigjja në tërë këto pyetje është shkelje e të drejtës diskresionale”.

Nga kabineti i zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev i cili nënshkroi marrëveshjen për mirëkuptim me Jugohrom, thonë se për mënyrën dhe kushtet e parapara në procesin e ndërtimit të sistemit të filtrimit, përgjegjëse është vetë Jugohromi.

Betonimi i sistemit të filtrimit, 10.10.2017
Betonimi i sistemit të filtrimit, 10.10.2017

“Qeveria e Maqedonisë, menaxhmenti i Jugohromit, dhe sindikata e punëtorëve kanë nënshkruar memorandum për mirëkuptim, qëllimi i së cilës është gjetja e një zgjidhje për tejkalim të statusit të Jugohrom Allzar në Jegunovcë dhe nisje me punë të serishme të tij. Me nënshkrimin e memorandumit, Qeveria detyrohet që nëpërmjet ministrive, dhe organeve kompetente, të sigurojë dokumentet e nevojshme për fillim me punë të Jugohromit, pas plotësimit të parametrave ligjore dhe nënligjore”, thanë nga kabineti i Angjushevit.

Ngjashëm u deklaruan edhe nga Ispektorati Ekologjik, Hisni Thaçi.

“Në memorandum i Qeverisë nuk është paraparë afatet ligjore, por parashihen ndihmesat që ky institucion i lartë shtetëror duhet t’i kryejë ndaj Jugohromit, si dhënia e dokumentacionit për nisjen e ndërtimit të sistemit të filtrimit”, tha Hisni Thaçi nga Inspektorati Ekologjik.

"Jugohrom"
“Jugohrom”

Edhe OJQ Eco Guerilla nuk ka asnjë përgjigje për të gjitha çështjet e parashtruara nga Portalb.mk.

“Eco Guerilla nuk ka informacion se cila kompani është kontraktuar nga Jugohrom, që të punojë në vendosjen e sistemit të filtrimit dhe përmbushjen e standardeve ekologjike.  Nuk ka asnjë informacion as për marrëveshjen midis Jugohromit dhe kontraktorit të tyre”, thanë nga Eco Guerilla.

Ndërkohë, nga ndërmarrja Jugohrom, Vasko Skenderovski nuk bëri të ditur emrin e ndërmarrjes e as nuk treguan se në bazë të cilave kushteve janë kontraktuar ndërmarrja ndërtuese.

“Ndërtimi i sistemit të filtrimit është projekt kompleks në të cilin janë të përfshirë më shumë ndërmarrje. Indikacionet tona janë, që të gjitha punimet të kryejnë ndërmarrjet vendase, si dhe të përdoren mjete që mund të blehen në tregun e Maqedonisë. Bëjmë përjashtime të mjeteve të cilat nuk prodhohen në Maqedoni, të cilat i kemi porositur nga Franca dhe Gjermania, si thasët fibër dhe ventilatorët. Asnjërën prej ndërmarrjeve nuk mund ta bëjmë publike, as ata që bënë betonimin, e as ata që do të ndërtojnë kontrukcionin e çeliktë, sepse mendojmë se hynë në pjesën e të drejtave diskrecionale të ndërmarrjes sonë”, tha Skenderovski.

Jotransparenca, shenjë se sistemi i filtrimit nuk ndërtohet si duhet

Meqë tërë procesi i ndërtimit të sistemit të filtrimit nga ndërmarrja Jugohrom është jotransparent, sipas pjesëtarit të shoqatës ekologjike “Ajde Makedonija”, Blazhe Josifovski kjo paraqet shenjë se sistemi i filtrimit nuk do të ndërtohet bazë të standardeve ekologjike ndërkombëtare.

“Emri i ndërmarrjes duhet të publikohet me patjetër, madje duhet të vendoset edhe një plaket në hyrjen e hapësirës ku zhvillohet ndërtimi i sistemit të filtrimit, mënyra se si do të ndërtohet dhe ku duhet të shkruajë edhe emri i ndërmarrjes që kryen punimet. Duhet të shkruhet qartë dhe publikisht, se kush e ndërton sistemin e filtrimit. Mirë është të hetohet se kush e ka dhënë edhe miratimin e nisjes së punimeve të sistemit të filtrimit për ndërmarrjen ndërtuese”, tha Josifovski.

Përndryshe, ri-hapja e fabrikës u paralajmërua nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Në këtë reagoi ashpër lëvizja Eco Guerilla si dhe Nëna dhe Fëmija, lëvizje që kanë qenë pjesë e protestave kundër ndotjes së ajrit në Tetovëgjë që u vërtetua se në masë të madhe ishte nga puna pa filtra e kësaj fabrike.

“Nevojiten dy vite për instalim të filtrave dhe jo disa muaj andaj çdo nënshkrim i marrëveshjes mes Qeverisë dhe pronarëve të fabrikës “Jugohrom” do të hasë në kundërshtim të ashpër” shprehen këto lëvizje.

Ndryshe, problemi me ndërmarrjen Jugohrom erdhi pasi që kjo fabrikë nuk ka punuar me standarde ekologjike e cila solli deri te ndotja enorme e ajrit në rajonin e Pollogut. Ndotja e ajrit Tetovën e rangoi ndër qytetet evropiane me ndotjen më të madhe të ajrit. Protestat e sektorit civil nuk ishin të pakta, si pasojë e kësaj, Qeveria VMRO-BDI në atë kohë i caktoi afat kohor për vendosjen e filtrave deri më 1 nëntor, si vonesë të kësaj, Jugohromi do të mbyllej.

Jugohrom nuk arriti të respektojë afatin kohor, Qeveria nuk iu zgjati afatin kohor dhe në mesin e nëntorit të 2016-s u mbyll.
Pas mbylljes, rreth 900 punëtor mbetën pa punë, të cilët të organizuar në sindikatë punëtorësh, vazhdimisht kanë protestuar për humbjen e vendit të punës. 
Pas mbylljes së Jugohromit, ish-ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti publikoi raportin e gjendjes së ajrit, raport ky që vërtetoi se Jugohrom ka qenë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Pollogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button