Pacolli ftoi presidentin dhe kryeministrin turk në Kosovë

Në përfundim të vizitës së tij në Turqi, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, takoi edhe Kryeministrin e Turqisë, Binali Yildrim.

Në kuadër të këtij takimi, Pacolli, ka falënderuar Kryeministrin, Yildrim, për mbështetjen e fuqishme, që Turqia i ka dhënë dhe do t’i jep edhe më fuqishëm Kosovës në procesin e njohjes, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe për vendosmërinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së investimeve në Kosovë.

Me këtë rast, Pacolli, i ka përcjellë ftesën Kryeministrit, Yildrim, për të vizituar Kosovën në një kohë të përshtatshme, gjë e cila është pranuar me kënaqësi nga Kryeministri Yildrim.

Ftesën e ngjashme për të vizituar Kosovën, Ministri i Jashtëm Pacolli i ka përcjellë nëpërmjet Kryeministrit Yildrim edhe Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, vizitë kjo, që pritet të ndodh në një të ardhme të afërt.

Gjatë këtij takimi shumë miqësorë, të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve dhe dy popujve, duke shprehur përkushtimin dhe zotimin e dy-anshëm për t’i forcuar dhe thelluar ato edhe më shumë.

Më herët gjatë ditës, u takua edhe me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Turqisë, Lütfi Elvan, dhe së bashku e hapën Forumin e Biznesit, Kosovë-Turqi me prezencën e shumë kompanive si nga pala turke, por, edhe nga ajo e Kosovës. Vizita e Zëvendës-Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, është e para në Turqi, që nga ardhja e tij në pushtet në këtë funksion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button